Një teknologji që premton të shkurtojë ndjeshëm kostot e inteligjencës artificiale është duke tërhequr vëmendjen globale. Startup-i spanjoll Multiverse Computing sapo ka mbyllur një raund investimi prej 215 milionë dollarësh, i udhëhequr nga emra të mëdhenj si Bullhound Capital dhe HP Tech Ventures. Bëhet fjalë për një teknologji të re, të quajtur “CompactifAI”, e frymëzuar nga kompjutimi kuantik, që kompreson modelet e mëdha të gjuhës deri në 95%, pa cenuar performancën. Kjo shpikje mund të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si ndërtojmë dhe përdorim AI.
Çfarë është CompactifAI dhe pse ka kaq shumë rëndësi?
CompactifAI është një teknologji kompresimi e zhvilluar nga Multiverse Computing, e cila përdor parime nga rrjetet tensoriale, një metodë matematikore që imiton sjelljen e kompjuterëve kuantikë, por që funksionon mbi kompjuterët klasikë.
Sipas kompanisë, kjo teknologji redufton madhësinë e modeleve AI deri në 95%, pa asnjë humbje në performancë, duke i bërë ato jo vetëm më të shpejta, por edhe shumë më të lira për t’u përdorur. Modelet e “dobësuara” (të ashtuquajturat “slim models”) janë 4 deri në 12 herë më të shpejta dhe ofrojnë kursime prej 50%-80% në kostot e inferencës.
Për shembull, Llama 4 Scout Slim, një nga modelet e tyre të kompresuara kushton vetëm 10 cent për një milion tokenë në AWS, krahasuar me versionin standard që kushton 14 cent.
Përdorime të reja, AI që mund të futet në çdo pajisje
Falë efikasitetit të jashtëzakonshëm të teknologjisë së tyre, Multiverse pretendon se modelet e kompresuara mund të funksionojnë edhe në kompjuterë personalë, telefona, makina, dronë, e madje edhe në pajisje ultra-kompakte si Raspberry Pi. Kjo do të thotë që inteligjenca artificiale e avancuar mund të shtrihet në çdo cep të jetës sonë të përditshme, pa pasur nevojë për serverë të fuqishëm apo energji të shtrenjtë. Një botë ku edhe një lodër mund të ketë një bisedë të mençur nuk duket më aq larg.
Lexo edhe: A po na bën AI më dembelë, më të varur dhe më pak të vetëdijshëm?
Kush qëndron pas këtij suksesi?
Kompania u bashkëthemelua nga Román Orús, një profesor në Qendrën Ndërkombëtare të Fizikës në San Sebastián dhe një ekspert i njohur botërisht për punën e tij në rrjetet tensoriale. CEO i Multiverse, Enrique Lizaso Olmos, ka një sfond të pasur si akademik dhe bankier, ku njihet më së shumti si ish-zv/CEO i Unnim Bank.
Investimi i fundit prej €189 milionë (rreth $215 milionë) në raundin Series B u udhëhoq nga Bullhound Capital (e njohur për investimet në Spotify, Revolut, Discord), me pjesëmarrje të HP Tech Ventures, Santander Climate VC, Toshiba, CDP Venture Capital, dhe të tjerë. Deri më sot, Multiverse ka mbledhur afro 250 milionë dollarë në total.
Një portofol që flet vetë: 160 patenta dhe klientë globalë
Me një portofol prej 160 patentash dhe mbi 100 klientë ndërkombëtarë, si Iberdrola, Bosch dhe Banka e Kanadasë, Multiverse Computing po pozicionohet si një lojtar kyç në të ardhmen e AI-së. Kompania pritet të zgjerojë edhe më tej modelet e saj, duke përfshirë versione të kompresuara të DeepSeek R1 dhe modele të tjera me fokus në arsyetimin logjik dhe open-source.
Teksa kostot e përdorimit të AI-së rriten dhe konsumi i energjisë bëhet gjithnjë e më shqetësues, teknologji si CompactifAI vijnë si përgjigje ndaj sfidave të industrisë. Për herë të parë, duket se nuk do të jetë nevoja për superkompjuterë për të përdorur modelet më të avancuara të inteligjencës artificiale. E gjithë kjo falë një startup-i spanjoll me rrënjë në fizikë kuantike dhe një vizion të qartë për të ardhmen.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.