Mickey dhe Vicky Popat nuk e nisën biznesin e tyre me një plan ambicioz për të ndërtuar një kompani ndërkombëtare. Ai punonte në financë dhe ajo ishte mësuese, kur hobi i tyre i fundjavës për mbjelljen e pemëve frutore në kopshtin e shtëpisë në Orlando, Florida, u kthye në një pasion të madh. Me kalimin e kohës, ata mbollën më shumë se 80 pemë frutore, dhe aty lindi ideja për të krijuar një biznes.
“Jam rritur me fruta tropikale si guava, mango dhe lychee,” tregon Mickey, i cili emigroi nga Afrika e Jugut në SHBA në fillim të viteve ‘90. “Më befasonte që shumë nga miqtë e familjes nuk i kishin provuar kurrë këto fruta. Pasi i shijonin, thoshin se ishin më të mirat që kishin provuar ndonjëherë.” Këto reagime u kthyen në kërkesa. Të afërmit dhe miqtë nisën t’u kërkonin ndihmë për të mbjellë edhe ata pemë frutore. Duke ardhur nga familje me traditë sipërmarrëse, çifti vendosi ta shndërrojë pasionin në një biznes. Kështu, në vitin 2007, lindi PlantOGram, një kompani që ofron pemë frutore si dhurata luksoze.
Për të ndjekur ëndrrën, Mickey dhe Vicky lanë punët e tyre dhe investuan gjithçka që kishin. “Kthyem mbrapsht gjithçka luksoze,” thotë Vicky. “Makina, rrobat e shtrenjta, i shitëm të gjitha dhe nisëm nga e para.” Me paratë e fituara blenë një furgon pune Ford për 1,500 dollarë dhe nisën kërkimin për bimë në tregjet bujqësore. Pa njohuri në marketing, por me përkushtim të madh, ata shkonin derë më derë për të shitur pemët. Vendosnin deri në 50 bimë nëpër oborre për t’i prezantuar klientëve. Vicky krijoi edhe një katalog për të thjeshtuar zgjedhjet. Kartëvizitat, kontaktet me dorë dhe një regjistër i shkruar me dorë për çdo klient ishin mjetet e para të menaxhimit të klientelës. Ajo që kuptuan shpejt ishte se blerja e një peme frutore nuk ishte thjesht një transaksion. Ishte një përvojë emocionale. “Shumë konsumatorë i shihnin këto pemë si dhurata brezash,” thotë Mickey. “I mbillnin me fëmijët dhe nipërit, duke krijuar kujtime që zgjasin për dekada.”
Lexo edhe:Retreat-i: Udhëtimi i heshtur që po transformon mendjet më të ndritura të biznesit
Një vit pas nisjes, çifti vendosi të krijojë një faqe interneti , të ndërtuar vetë, pa ndihmën e një programuesi. Fillimisht, ishte vetëm informuese, pa mundësi blerjeje online. Por kërkesa e një klienteje nga Georgia ndryshoi gjithçka. Ajo dërgoi një çek për të marrë një pemë që nuk e gjente askund tjetër. Kur pema nuk mbijetoi gjatë dërgesës, ajo dërgoi një tjetër çek dhe i nxiti që të gjenin mënyrën e duhur për transportin. Duke kërkuar ndihmë nga baballarët e tyre, çifti arriti të zhvillojë metodën që përdorin edhe sot: dërgimi i pemëve në vazo, pa prekur rrënjët, me një shkallë suksesi prej 99.9%. Kjo zgjidhje e bëri të mundur zgjerimin e biznesit në shkallë kombëtare dhe më pas ndërkombëtare, me dërgesa në Europë, Azi dhe Lindjen e Mesme.
Në vitin 2024, PlantOGram arriti një xhiro prej 4.2 milionë dollarësh. Gjatë gjithë kësaj kohe, çifti zgjodhi të mos marrë investime të jashtme. “Për ne, ishte e rëndësishme të kishim kontrollin e plotë, mbi çdo vendim, sukses apo dështim,” shprehet Mickey. Vicky shton se kjo zgjedhje i ndihmoi të forconin aftësitë e zgjidhjes së problemeve. “Prindërit e mi ishin sipërmarrës. I kam parë të përballen me vështirësi me qetësi dhe kreativitet, dhe këtë përpiqemi të bëjmë edhe ne.” Gjatë pandemisë, kërkesa për bimë dhe pemë frutore u rrit ndjeshëm. Njerëzit kërkonin më shumë lidhje me natyrën, dhe shumë prej tyre vijojnë të merren me kopshtari edhe sot. Mango-t janë më të kërkuarat për momentin, me mbi 2,000 varietete të ndryshme, ndërsa pemët e avokados dhe ullinjve janë shumë të preferuara në tregun e dhuratave korporative.
Për ata që duan të kthejnë një pasion në biznes, çifti Popat ka dy këshilla: Mos e zgjatni me fjalë, nisni nga veprimi. Dhe, merrni një licencë për të nisur ligjërisht. Ashtu siç kujton Vicky një bisedë me vajzën e tyre: “Kur e kishim idenë për PlantOGram, thjesht zbritëm nga makina dhe morëm licencën. Nuk kishte vend për hezitim.”
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.