Nga Athina në Londër, ja sa e shtrenjtë është jetesa me qira në metropolet europiane - Business Magazine Albania

Nga Athina në Londër, ja sa e shtrenjtë është jetesa me qira në metropolet europiane

Çmimet shpeshherë marramendëse të qirave në qendrat urbane europiane vazhdojnë të rriten. Sipas një raporti të ri të Deutsche Bank, vetëm në pesë qytete europiane mund të gjendet një apartament me tre dhoma për më pak se 2.000 euro në muaj.

Ndërkohë që çmimet e qirave në gjithë Bashkimin Europian janë në rritje, përshpejtimi më i madh është regjistruar gjatë pesë viteve të fundit në Evropën Jugore dhe Lindore. Ky përfundim vjen nga një raport i fundit i Deutsche Bank, i cili ka analizuar 67 qytete në mbarë botën, përfshirë 28 në Evropë.

Sipas Eurostat, çmimet e banesave janë rritur me 27.3% nga tremujori i parë i vitit 2020 deri në tremujorin e parë të vitit 2025, ndërsa qiratë janë rritur mesatarisht me 12.5% nga qershori 2020 deri në qershor 2025. Megjithatë, raporti vë në dukje se në qendrat urbane rritja e qirave ka qenë dukshëm më e lartë se mesatarja.Cilat janë qytetet më të shtrenjta në 2025? Cilat janë më të përballueshmet? Dhe ku janë rritur më shumë çmimet që prej vitit 2020?

Athina më e lirë, Londra më e shtrenjta
Në vitin 2025, qiraja mujore për një apartament me tre dhoma në qendër të 28 qyteteve europiane varion nga 1.080 euro në Athinë deri në 5.088 euro (ose 4.278 paund) në Londër. Këto qytete ndahen në tre kategori sipas nivelit të qirasë:

Qira mbi 3.000 euro:
Pas Londrës, qytetet më të shtrenjta janë Zyrihu, Gjeneva dhe Amsterdami, të gjitha me çmime mbi 3.800 euro. Zvicra zë vendin e parë me më shumë se 4.250 euro në muaj. Edhe Dublini, Luksemburgu, Parisi, Kopenhaga dhe Mynihu kanë çmime të larta, mbi 3.000 euro. Këto qytete janë qendra të rëndësishme financiare, politike apo ndërkombëtare, që shkaktojnë një kërkesë të lartë për banim.

Lexo edhe: Studimi: Evropianët kanë pasur dikur lëkurë dhe flokë të errëta

Qira ndërmjet 2.000 dhe 3.000 euro:
Disa qytete të zhvilluara ofrojnë çmime më të moderuara: Milano, Edinburgu dhe Lisbona qëndrojnë në krye të kësaj kategorie. Madrid, Stokholm, Berlini, Frankfurti dhe Barcelona janë më të përballueshëm, rreth 2.500 euro. Ndërsa Birmingami, Brukseli, Vjena dhe Praga afrohen më shumë tek 2.100 euro, duke reflektuar një kosto jetese më të ulët krahasuar me qytetet kryesore.

Qira nën 2.000 euro:
Vetëm pesë qytete europiane kanë qira mesatare nën 2.000 euro: përveç Athinës, janë Budapesti (1.225 euro), Stambolli (1.614 euro), Varshava (1.881 euro) dhe Helsinki (1.928 euro).

Këto të dhëna tregojnë se çmimet më të larta të qirave gjenden në Evropën Perëndimore dhe Veriore, për shkak të ekonomive të forta, standardeve të larta të jetesës dhe mungesës së strehimit. Ndërsa në Evropën Jugore dhe Qendrore situata është më e përzier, kurse Lindja dhe Jugu i thellë europian mbeten zonat më të përballueshme.

Nëse analizohen vendet jashtë Evropës, New York-u del në pah me qiratë mesatare më të larta në botë – 7.676 euro (ose 8.388 dollarë amerikanë). Ndërkohë, qyteti më i lirë mbetet Kajro, me vetëm 377 euro në muaj.

Në qendrat urbane të Dubait dhe Sidneit, pagat mesatare tejkalojnë 4.000 euro, duke i bërë këto qytete më të shtrenjta se shumica e metropoleve europiane. Qiratë në Toronto, Seul, Tokio, Moskë dhe Shangai variojnë rreth 2.500 euro.

Ku janë rritur më shumë çmimet?
Raporti jep të dhënat në dollarë amerikanë, por për krahasim më të qartë janë konvertuar në euro. Sidoqoftë, ndryshimet në valutën vendase mund të jenë ndryshe.

Nga viti 2020 deri më 2025, qiraja mujore për një apartament me tre dhoma në qendër të qyteteve europiane është rritur nga 3% në Helsinki deri në një rritje dramatike prej 206% në Stamboll.

Evropa Jugore dhe Lindore kanë përjetuar rritjet më të mëdha: Lisbona (81%), Praga (73%) dhe Edinburgu (71%) ndjekin Stambollin me rritje mbi 70%.

Në Spanjë, qiratë janë rritur ndjeshëm – 65% në Barcelonë dhe 59% në Madrid. Ndërkohë, Athina dhe Varshava janë të vetmet qytete të tjera europiane me rritje mbi 50%.

Ndryshime sipas madhësisë së banesës
Për banesat me një dhomë, rritjet më të mëdha dhe më të vogla në Evropë u regjistruan sërish në Stamboll (191%) dhe Helsinki (18%). Në disa qytete, rritja ishte më e madhe për banesa me tre dhoma (si në Stamboll, Pragë dhe Amsterdam), ndërsa në të tjera – për ato me një dhomë (si në Milano dhe Varshavë).

Raporti “Qytete të mëdha, kosto më të mëdha” nxjerr në pah se brenda një vendi, ndryshimet e çmimeve të banesave mund të jenë të theksuara. Për shembull, banesat në Londër janë rreth 50% më të shtrenjta se mesatarja e Mbretërisë së Bashkuar.

Në fund, raporti e lidh çështjen e përballueshmërisë së qirave edhe me nivelet e të ardhurave, duke vënë në pah dallimet mes qyteteve kur krahasohen pagat mesatare me çmimet e qirave.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.



Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0