Nga 164 € në Ukrainë në 2,700 € në Luksemburg, ja ku qëndron Shqipëria në hartën e pagave në Europë - Business Magazine Albania

Nga 164 € në Ukrainë në 2,700 € në Luksemburg, ja ku qëndron Shqipëria në hartën e pagave në Europë

Miliona punonjës në Bashkimin Europian vazhdojnë të paguhen me pagën minimale, e cila synon të sigurojë një nivel jetese bazik. Megjithatë, nivelet e pagave minimale shpesh nuk janë rritur në përputhje me inflacionin, duke e bërë sfidën më të madhe për familjet me të ardhura të ulëta.

Sipas Eurostat-it, në korrik 2025, paga minimale mujore para tatimeve në vendet e BE-së luhatet nga vetëm 551 euro në Bullgari, deri në 2,704 euro në Luksemburg. Nëse shtohen edhe vendet kandidate për në BE, Ukraina renditet në fund të listës me vetëm 164 euro.

Pesë vende anëtare të BE-së, Italia, Danimarka, Suedia, Austria dhe Finlanda nuk kanë një pagë minimale kombëtare të përcaktuar.

Por si krahasohen pagat minimale në Europë në terma të fuqisë blerëse, pra atë që mund të blihet realisht me paratë e paguara? Kur merren parasysh kostot e jetesës, hendeku mes vendeve ngushtohet ndjeshëm.

Në krye të listës nominale qëndrojnë vende të Perëndimit dhe Veriut të Europës, ku pagat minimale mujore janë mbi 1,500 euro, ndërsa vendet e Europës Lindore dhe Ballkanit, përfshirë edhe vendet kandidate, kanë paga minimale shumë më të ulëta.

Dr. Sotiria Theodoropoulou nga Instituti Evropian i Sindikatave shpjegon se produktivi më i lartë i ekonomisë zakonisht shoqërohet me paga më të larta, duke përfshirë sektorë si teknologjia apo industria financiare dhe fuqinë më të madhe të punonjësve në negociata.

Në terma realë, Luksemburgu ka pagën minimale 4.9 herë më të lartë se Bullgaria, por në terma të fuqisë blerëse kjo diferencë zbret në 2.3 herë. Ndërsa Luksemburgu renditet i pari, në fund të listës me fuqinë blerëse më të ulët qëndron Estonia në BE, ndërsa kur përfshihen edhe vendet kandidate, Shqipëria mbetet një nga vendet me fuqinë më të ulët blerëse.

Lexo edhe: BSH i jep miratimin Ziraat, 12 muaj afat për të nisur aktivitetin

Ndërsa ndryshimet në paga minimale kanë qenë kryesisht të vogla gjatë gjashtë muajve të fundit, disa vende, si Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, shënuan rritje mbi 20% brenda vitit të fundit, ndërsa Turqia dhe Ukraina pësojnë ulje të ndjeshme për shkak të inflacionit dhe ndryshimeve në kursin e valutës.

Në eurozonë, Kroacia dhe Lituania udhëheqin me rritjet më të mëdha, ndërsa Franca regjistron rritje të ngadalta, të cilat në fakt janë të dobëta kur merret parasysh inflacioni.

Shqipëria renditet e fundit

Nga raporti i Eurostat mbi pagat minimale në Europë në vitin 2025, Shqipëria shfaqet si një nga vendet me pagën minimale më të ulët në rajon, duke u renditur në grupin e vendeve me paga shumë të ulëta, nën 600 euro në muaj. Konkretisht, paga minimale në Shqipëri është 408 euro para taksave, shifër kjo që është dukshëm më e ulët sesa në shumicën e vendeve të Bashkimit Europian.

Në terma të fuqisë blerëse (Purchasing Power Standard – PPS), që merr parasysh ndryshimet në çmimet dhe koston e jetesës, Shqipëria qëndron në fund të renditjes me një PPS prej 566, duke treguar se edhe në raport me çmimet lokale, fuqia blerëse e pagës minimale mbetet e kufizuar.

Kjo situatë pasqyron sfidat ekonomike dhe sociale që kanë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe vende kandidate për anëtarësim në BE, ku paga minimale shpesh nuk arrin të sigurojë një nivel jetese të pranueshëm. Për më tepër, në raport theksohet se ndryshimet në pagën minimale gjatë vitit 2025 kanë qenë modeste për Shqipërinë, duke mos shënuar rritje të ndjeshme, ndryshe nga disa vende të tjera të rajonit si Mali i Zi apo Maqedonia e Veriut, të cilat kanë pasur rritje mbi 20%.

Kjo e vendos Shqipërinë në një pozitë sfiduese, ku përpjekjet për përmirësimin e kushteve të punësimit dhe pagave duhet të jenë në fokus për të përballuar ndikimin e inflacionit dhe për të rritur standardin e jetesës së punonjësve më të varfër.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0