Anxhela Bushati, përfaqësuese e Ministrisë së Financave, tha gjatë eventit se, “Networking For Smart Tourism Development –NEST, është një projekt ndërkufitar që zynon të rrisë konkurrueshmërinë në fushën e turizmit të destinacioneve që lagen nga detet Adriatik dhe Jon. Konkurrueshmëria synohet të rritet duke fuqizuar sipërmarrjet në fushën e turizmit (të vogla dhe të mesme) përmes një qasje inovative, mjete e strategji bazuar në potencialet e teknologjisë dixhitale”.
Përmes këtij projekti synohet të mbështetet zhvillimi i procesit socio-ekonomik në zonën IPA, në koherencë me prioritetet e strategjisë së Europës 2020. Pjesë e programit është, nxitja e interesit për asetet natyrore e kulturore për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm.
Përfaqësuesit e projektit që financohet nga programi Interreg thanë se, “NEST do të operojë si një laborator dhe motor eksperimental për të siguruar konkurrueshmërinë e siteve dhe destinacioneve në tregjet globale”.
Në program, ekspertët e përfshirë janë angazhuar të bëjnë një vlerësim të konkurrencës në turizëm. Përmes projektit pritet të ndërtohet një broshurë mbi mjetet dhe teknologjitë që mund të përdoren në gjetjen e destinacionit turistik.
Më vonë, pritet të ketë një plan veprimi për krijimin e destinacionit të turizmit të zgjuar; Laboratori virtual i përbashkët eksperimental për turizëm të zgjuar; Udhërrëfyesi i zgjuar për zhvillimin e sipërmarrjes së turizmit; përmirësimi i aftësive të sipërmarrësve të turizmit si dhe ndërtimi i vendeve pilot të destinacioneve.
Projekti NEST pritet të krijojë një model përmes “destinacionit të zgjuar Interreg”. Synimi është që përdoruesit të aplikojnë risitë në teknologji, të frymëzuara nga parimet e qasjes së Living Lab.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.