"Neocortex Hub" - Një horizont i ri për inovacionin dhe dijen - Business Magazine Albania

“Neocortex Hub” – Një horizont i ri për inovacionin dhe dijen

investim

Klevisa Kapo, një sipërmarrëse me përvojë dhe eksperte në fushën e inovacionit, ka themeluar Neocortex Hub, një qendër shumëfunksionale dedikuar nxitjes së inovacionit dhe qarkullimit të dijes. Në këtë intervistë, ajo ndan rrugëtimin e saj, frymëzimin pas krijimit të Neocortex Hub dhe synimin për të transformuar edukimin dhe shërbimet biznesore në Shqipëri. Zbuloni se si vizioni dhe ekspertiza e Klevisës po formësojnë të ardhmen e startup-eve, edukimit dhe projekteve të qëndrueshme, duke e bërë Neocortex Hub një lojtar kyç në ekosistemin e inovacionit në vend.

Cili ishte momenti që ju frymëzoi për të krijuar Neocortex Hub? Çfarë synoni të arrini me këtë projekt të ri? 

“Neokorteksi është ajo shtresë e trurit, që është përgjegjëse për funksionet më të larta të tij, si të mësuarit, të menduarit, të krijuarit, të lëvizurit dhe të folurit.” Duke dëgjuar një shpjegim të detajuar të neokorteksit në një trajnim gjatë vitit të shkuar, më mbetën ndër mend fjalët “Mëso, mendo, krijo, lëviz, fol”. Duke i renditur sipas kësaj radhe, më tingëlluan si një slogan shumë domethënës për të konkretizuar dhe lidhur së bashku disa ide, të cilat doja t’i sillja në jetë dhe për të cilat kam qenë duke punuar gjatë 8 viteve të fundit të jetës sime. Gjithashtu, studimi i metodologjisë së analizës së rrjeteve shoqërore  (Social Network Analysis) disa muaj më parë në një nga kurset e PhD-së, ishte një burim frymëzimi për të kuptuar rëndësinë e të qenurit të ndërlidhur në rrjet dhe fuqizimin e bizneseve, që vjen prej marrëdhënieve me anëtarët e tjerë të rrjetit.   Të dyja këto ngjarje ishin “Aha Moments”, që më ndihmuan të kristalizoja idenë, modelin dhe strukturën e kompanisë, që e quajta Neocortex Hub.

Neocortex Hub është një qendër shumëfunksionale, e ndërtuar mbi dijen dhe inovacionin, e cila synon prodhimin dhe qarkullimin e dijes në forma të ndryshme shërbimesh, si kërkime tregu, plane dhe strategji biznesi, prezantime pitch deck, trajnime, konsulenca biznesi dhe mentorim, si dhe shkrim dhe menaxhim projektesh / grantesh. Në kuadër të inovacionit, dijes dhe projekteve, neocortex Hub do të kontribuojë edhe në prodhimin e vazhdueshëm të produkteve dhe projekteve edukuese, kulturore, kreative dhe të qëndrueshme, si për shembull një qendër edukimi, aplikacione edukimi, shërbime biznesi, projekte sociale, etj. Aktualisht, puna ka nisur në qendrën e edukimit Neocortex Education, e cila ofron paketa të ndryshme të studimit pas shkolle për fëmijët, të integruara me programe të zhvillimit psikologjik dhe programe të ndryshme argëtuese dhe kulturore. Gjithashtu, në Neocortex Education ofrohen edhe kurse dhe programe edukimi nëpërmjet argëtimit për fëmijë dhe të rinj, që kanë në fokus zhvillimin e aftësive më të nevojshme profesionale, njerëzore dhe qytetare. Disa nga këto kurse përfshijnë edukimin për eko-qëndrueshmërinë nëpërmjet eskperimenteve dhe aktiviteteve outdoor, edukimin qytetar, ligjor dhe mbi sigurinë e fëmijëve të shpjeguar nga një eksperte e fushës së ligjit, programi i sipërmarrjes për fëmijë, etj.

 Cili është misioni kryesor i Neocortex Hub dhe si planifikoni ta përmbushni atë përmes projekteve dhe shërbimeve tuaja?

Neocortex Hub është një qendër e bazuar në njohuri, e dedikuar për nxitjen e prodhimit, zhvillimit, shkëmbimit dhe qarkullimit të njohurive ndërmjet organizatave dhe individëve. Si një qendër dinamike për inovacionin, edukimin dhe industritë kreative, misioni i saj është të krijojë projekte dhe shërbime të qëndrueshme, edukative, kulturore dhe novatore. Ofertat kryesore përfshijnë:

  • Shërbime dhe Konsulencë Biznesi: Mbështetja e startup-eve, OJQ-ve, institucioneve të edukimit dhe bizneseve me shkrimin dhe menaxhimin e projekteve, kërkime tregu, planifikim biznesi, komunikim strategjik, trajnime, etj.
  • Qendra e edukimit “Neocortex Education”: Një hapësirë unike për të mësuar në mënyrë kreative, që ofron mbështetje studimore pas-shkollore, programe zhvillimore me bazë psikologjike, kurse të larmishme dhe aktivitete argëtuese, që promovojnë zhvillimin e aftësive dhe njohurive, rritjen dhe zhvillimin personal dhe forcimin e aspekteve të qytetarisë.

Çfarë e bën Neocortex Hub të veçantë në krahasim me qendrat e tjera të inovacionit dhe edukimit në treg?

Përvoja ime e gjatë në angazhimin në ekosistemin e startup-eve si konsulente, si edhe përfshirja nëpër projekte dhe akademi si lektore dhe kërkuese shkencore, më kanë bërë që të jem më pranë nevojave të tregut, ideve të reja dhe partnerëve të ekosistemit të startup-eve dhe inovacionit. Gjithashtu, studimet akademike të PhD-së në Universitetin e Firences, që jam duke kryer aktualisht më kanë ndihmuar që të formoj edhe një botëkuptim më të thelluar shkencor. Të gjitha këto së bashku, i japin hub-it një natyrë praktike, por me baza shkencore, që rrit kushtet për një cilësi maksimale dhe përmbushje sa më të mirë të misionit të tij. Ndërsa qendra Neocortex Education është e veçantë për shkak të qasjes tonë unike, që përzien edukimin tradicional me inovacionin, kreativitetin dhe metodat bashkëkohore, duke krijuar një hapësirë ku fëmijët dhe të rinjtë mund të eksplorojnë dhe zhvillojnë interesat e tyre në mënyrë cilësore dhe kuptimplotë. Bashkimi edhe i disa anëtarëve të familjes me përvoja të suksesshme në fushën e edukimit, sportit dhe psikologjisë, i kanë dhënë qendrës ngjyra të larmishme dhe baza shumë të qëndrueshme. Gjithashtu, bashkëpunëtorët e programeve tona janë trajnerë profesionistë, që kanë ekspertizë në fushat e tyre profesionale, si sipërmarrja, sporti, psikologjia, shëndeti, qëndrueshmëria, ligji, teknologjia, shkenca, gjuhët e huaja, etj.

Lexo edhe:“Primordial Passion” – Ora e parë luksoze shqiptare me vlerë €1.4 milionë nga Argjendari Pirro!

Çfarë mësimesh të rëndësishme keni marrë deri tani si themeluese e një startup-i të ri?

Libri i mësimeve sapo është hapur dhe e di se do të marr shumë të tilla gjatë rrugës. Jam duke mësuar se suksesi nuk vjen menjëherë dhe është e rëndësishme të kesh durim dhe këmbëngulje. Gjithashtu, të qenurit pjesë e një rrjeti të fortë mbështetës, qoftë partnerë, bashkëpunëtorë, klientë apo mentorë, të cilët mund të të ofrojnë udhëzime dhe mbështetje në çastet më të vështira, është esenciale.

A ka ndonjë projekt që po realizoni aktualisht, që mendoni se do të ketë një impakt të rëndësishëm në komunitet?

Po, aktualisht po punojmë me një projekt shumë të veçantë, që do jetë gati për të dalë në treg gjatë muajit nëntor. Projekti quhet LitCor Audio dhe është një platformë me përralla audio në gjuhën shqipe, që synon jo vetëm të edukojë dhe argëtojë fëmijët shqiptarë, por edhe të ndihmojë në ruajtjen dhe trashëgiminë e gjuhës dhe kulturës shqipe për fëmijët që jetojnë jashtë vendit. Ky projekt do të ketë një ndikim të madh në ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare, duke krijuar një produkt edukativ, miqësor për mjedisin dhe lehtësisht të arritshëm nga çdo familje shqiptare kudo në botë. LitCor Audio do të jetë një produkt digjital (aplikacion), që do të shërbejë si një platformë (e ngjashme me Netflix për nga modeli i biznesit). Ai do të ofrojë një katalog të larmishëm me përralla në gjuhën shqipe, që përcjellin mesazhe edukuese. Qëllimi është edukimi i fëmijëve, ruajtja e gjuhës shqipe, zhvillimi i imagjinatës dhe aftësive kreative te fëmijët, mbrojtja e shikimit dhe mjedisit, duke i ofruar përrallat në versionin audio, jo nëpërmjet ekraneve që dëmtojnë shikimin dhe jo në formën e printuar, me qëllim reduktimin e impaktit negativ mjedisor.

Cili është ai moment unik ose situatë, që ju bëri të ndiheni se Neocortex Hub është pikërisht ajo që duhet për tregun?

Sikurse e përmenda edhe më lart, puna me startup-et dhe kërkimet në këtë fushë më kanë bërë të kuptoj shumë qartë mungesën e një mekanizmi ndërlidhës dhe nxitës të qarkullimit të dijes në ekosistem, prandaj mendova që të themeloj Neocortex Hub. Ndërsa, projekti më aktiv brenda tij aktualish, Neocortex Education, vjen si një përgjigje ndaj sistemit dhe metodave tradicionale të edukimit në treg, që mendoj se janë masivisht në një nivel të dëshpëruar. Për këtë arsye shikoj shumë potencial për zhvillimin e zgjidhjeve të larmishme të edukimit formal dhe jo formal.

Nëse do të mundnit të ktheni kohën pas dhe të jepnit një këshillë vetes kur filluat Neocortex Hub, çfarë do të ishte ajo?

Neocortex ka pak kohë që është themeluar zyrtarisht, edhe pse puna për të ndërtuar elemente të ndryshme të tij ka nisur rreth 8 vite më parë. Gjatë rrugëtimit tim, do specifikoja se mësimi më me vlerë është të kuptojmë rëndësinë e kohës. Mund të kesh një ide unike, por nxitimi për ta nxjerë në treg pa vlerësuar të gjithë faktorët e ndërlidhur dhe strategjitë efektive, mund të rezultoj shumë lehtë në dështim. Por nga ana tjetër, mungesa e guximit për ta nxjerë në treg një produkt të mirëstudiuar, mund të ndikoj në humbjen e avantazhit të kohës për tu diferencuar në treg. Kështu që gjetja e momentit të duhur është me rëndësi kritike në vijueshmërinë e një startup-i.

Cili është vizioni juaj për të ardhmen e startup-it tuaj dhe si dëshironi që të kujtohet startup-i juaj në industrinë ku operoni?

 Vizioni im për të ardhmen e Neocortex Hub është që të bëhet një qendër referimi për inovacionin dhe edukim në Shqipëri dhe rajon. Synimi ynë është që kompania të njihet si një vend, ku krijimi dhe qarkullimi i dijes janë në qendër të çdo projekti dhe shërbimi. Do ta quaja sukses, nëse filloj të shikoj që organizata të ndryshme në ekosistem po fuqizohen, si pasojë e suportit të Neocortex Hub. Sigurisht që ka shumë punë dhe sfida përpara, por të paturit objektiva afatgjata dhe largpamëse, të ndihmon për të patur një bosht të qartë referimi.

————————

*Për Klevia Kapon:Klevisa Kapo është një kërkuese me përvojë në fushën e sipërmarrjes dhe inovacionit, si edhe eksperte e shkrimit dhe menaxhimit të projekteve. Ajo është e specializuar në ofrimin e shërbimeve profesionale për startup-e, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, OJQ-të dhe institucionet arsimore. Katalogu i shërbimeve që ajo mbulon përfshin: studime të tregut, shkrim propozimesh për projekte / grante, menaxhim projektesh, përgatitje e planeve të biznesit, hartim të strategjive organizative, analizë të dhënash, konsulencë dhe trajnime në fushat e biznesit dhe komunikimit. Propozimet e projekteve që ajo ka përgatitur kanë siguruar fonde deri në 600,000 euro dhe përmes këtyre propozimeve të suksesshme, ajo ka ndihmuar disa organizata dhe institucione të edukimit të zhvillojnë projekte mbi inovacionin, sipërmarrjen sociale, qëndrueshmërinë, edukimin, sportin, rininë, aftësimin profesional, financat dixhitale, big data, turizmin, etj.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0