Ministrja Albana Koçiu mblodhi në një takim institucionet kryesore që kanë rol kyç në sigurinë rrugore. Në fokus të diskutimeve me përfaqësues të Policisë, bashkisë, DPSHTRR-së dhe ARRSH-së ishte kuadri i ri ligjor që po përgatitet për rikthimin me rregulla të këtyre mjeteve.
Burime pranë Ministrisë së Brendshme i thanë Report Tv se ndryshimet pritet të bëhen në Kodin Rrugor, dhe aktualisht janë në fazë fillestare.
Koçiu thotë se diskutimet janë për standardet teknike të mjeteve, rregullat e qarkullimit, zonat e lejuara, dhe përgjegjësitë e institucioneve që do të sigurojnë zbatimin e ligjit.
Fokusi kryesor është në 3 pika kyçe.
Së pari, shpejtësia maksimale që do të kenë monopatinat. Burime thonë se në diskutim është 25 km/h. Më tej, mosha minimale e përdorimit, që edhe këtu në diskutim është 16 vjeç e sipër.
Pikë e rëndësishme konsiderohen dhe vendet e përcaktuara se ku duhet të lëvizin në rrugë. Kategoria e monopatinave janë mjetet që aktualisht, sipas Kodit Rrugor, mund të lëvizin në korsi biçikletash dhe në mungesë të tyre në anën më të djathtë të rrugës. Me ndryshimet e reja pritet të përcaktohen llojet e rrugëve ku lejohet ose jo kalimi.
Monopatinat pritet të mos lejohen kategorikisht të qarkullojnë jashtë zonave të banuara, si autostrada apo superstrada, siç janë parë shpesh drejtues të tyre. Po ashtu, ndalimi pritet të jetë edhe në trotuare, apo nëpër zona pedolane. Mosrespektimi i tyre pritet të shoqërohet me ndëshkime me gjobë, deri në sekuestrim të mjetit.
Një tjetër moment është vendosja ose jo e regjistrimit të këtyre mjeteve, për targim të mundshëm ose një numri unik për ta identifikuar, ndërsa diskutohet dhe mundësia e sigurimit të detyrueshëm, për të mbajtur përgjegjësi njëlloj si për mjetet e tjera në rrugë. Përpilimi i këtyre ndryshimeve të Kodit Rrugor është në fazë fillestare dhe akoma nuk ka një afat të përcaktuar se kur pritet të hyjnë në fuqi. Fillimisht duhet të kalojnë faza të rëndësishme konsultimi, që më pas të marrin miratim edhe në Kuvend.
Autoritet po shohin disa nga modelet europiane. Holanda është një shtetet që vetëm pak muaj më parë standardizoi përdorimin e monopatinave. Ky shtet ka përcaktuar llojet që lejohen për qarkullim, targim të tyre, siguracion të detyrueshëm, moshë minimale 16 vjeç, qarkullim vetëm në rrugë biçikletash kur janë ekzistuese, shpejtësi maksimale 25 km/h, si dhe gjobitjen e tyre sipas shkeljes së këtyre rregullave./Shqiptarja.com
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.