MoneyCoach zgjeron praninë e tij në tregun ndërkombëtar - Business Magazine Albania

MoneyCoach zgjeron praninë e tij në tregun ndërkombëtar

 

Këtë muaj, aplikacioni i sipërmarrësve shqiptarë në Gjermani “MoneyCoach” është prezantuar në faqe të parë të App Store në SHBA. Në të njëjtën kohë, kjo po ndodh në 21 vende të botës. MoneyCoach është aplikacioni i parë në shërbim të menaxhimit të parasë, i vendosur në seksion e Apps tab. Skuadra prej 4 zhvilluesish software, ndihet krenare për këtë arritje.

Në një intervistë për Businessmag, Kristi Duro spjegon më shumë.

Po renditeni ndër të parët në aplikacionet e menaxhimit të parasë. Pse mendoni se e keni arritur këtë?

Kemi 4 vjet që punojmë fort çdo ditë, duke e përditësuar app-in, duke shtuar features, duke mbështur të gjitha pajisjet që Apple ofron. Sot, MoneyCoach mund të përdoret në iPhone, iPad, iPod Touch, Apple Watch, HomePod dhe së shpejti në të gjithë iMac dhe MacBook Pro. Ofrimi i një aplikacioni apo shërbimi cilësor, të plotë dhe të optimizuar për secilën nga njësitë e sipërpërmendura është shumë i rëndësishëm. Apple u kushton vëmendje detajeve dhe gjithmonë kërkon perfeksionin.  Ndër aplikacionet më të përdorura sot nga përdoruesit që kanë iPhone apo iPad janë aplikacionet zyrtare të zhvilluara nga vetë Apple. Shumë nga këta përdorues kërkojnë të njëjtën ndjesi në të gjitha aplikacionet e tjera që ata shkarkojnë. Pikërisht, sa më afër kësaj ndjesie të jesh me aplikacionin, aq më shumë përdorues do ta shkarkojnë dhe përdorin çdo ditë.

Aplikacionet e financës mund të jenë të frikshme në momentin e parë që i hap, pasi mund të jenë të tejmbushura me informacion dhe kjo i tremb përdoruesit. Me MoneyCoach jemi munduar gjithmonë që ta bëjmë menaxhimin e financave të thjeshtë, duke përdorur një gjuhë informale, që duket sikur po komunikon me një shok apo të afërm, ngjyra apo edhe karaktere me personalitet, të cilat thyejnë monotoninë e një aplikacioni financiar zyrtar. Të dalësh në faqe të parë të App Store, është një arritje shumë e madhe, jo vetëm për faktin se je në konkurencë me më shume se 2.3 milionë aplikacione të tjera, por edhe sepse aplikacioni shfaqet në faqe të parë në më shumë se 1.4 miliardë pajisje Apple.

Lexo: MoneyCoach, aplikacioni i të riut shqiptar që listohet në krye të Apps nga Apple 

Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?

Apple së shpejti do të lançojë versionet më të fundit të sistemeve operative të iPhone dhe iPad, iOS 13 dhe iPadOS, të cilat sjellin shumë risi. Të gjitha këto risi, janë të përfshira dhe të suportuara në versionin e fundit të MoneyCoach, që pritet të dalë në të njëjtën kohë me iOS 13 dhe iPadOS. Muajt e fundit, kemi punuar fort që të shtojmë dhe suportojmë të gjitha këto risi. MoneyCoach V është ridizenjuar i gjithi nga fillimi, me ngjyra të reja, të testuara dhe të konceptuara edhe për njerëzit me probleme në shikim. “Dark Mode” është një tjetër risi, e cila e transformon të gjithë eksperiencën MoneyCoach dhe duket fantastike.

Kemi bërë ndryshime të tjera rrënjësore në mënyrën se si aplikacioni funksionon, duke përmirësuar akoma më shumë shpejtësinë e një transaksioni dhe eksperiencën fillestare për përdoruesit e rinj.  Gjithashtu, eksperienca në iPad është ridizenjuar tërësisht nga fillimi. Mund të them pa frikë që është versioni përfundimtar i MoneyCoach dhe kam një parandjenjë, që MoneyCoach mund të jetë përsëri i përzgjedhur nga Apple në të gjitha App Store-t, por kjo mbetet për t’u parë. Puna me një aplikacion nuk mbaron asnjëherë.

Lançimi i MoneyCoach V është një arritje e madhe për ekipin tonë, por është vetëm fillimi. Në të njëjtën kohë me zhvillimin e versioneve të iOS dhe iPadOS, kemi bërë një punë kolosale për të sjellë gjithë eksperiencën e MoneyCoach në Mac. Duke qenë se edhe programet e ofruara nga Apple për zhvillimin e aplikacioneve të Mac, kanë qenë versione Beta, të cilat kanë pasur shumë probleme, progresi nuk ka qenë aq i shpejtë në këtë front. Ndaj, pas lançimit të MoneyCoach V, ekipi do të bëjë, pak a shumë, gjysmë ore pushim dhe do t’i përvishet punës për përfundimin e aplikacionit të Mac.

Cilat janë vështirësitë që po hasni?

Një ndër vështirësitë më të mëdha është ajo që sapo përmenda, të zhvillosh një aplikacion duke përdorur një program, i cili është për vete në zhvillim. Imagjino të ndërtosh një aeroplan gjatë kohës që ai është në fluturim. Një vështirësi tjetër është financimi i gjithë projektit. MoneyCoach është një startup i vetëfinancuar, pa lidhje direkte me ndonjë bankë apo institucion financiar. Kostot e shërbimeve që ofrojmë në aplikacion, kostot e serverave, kostot e APIs, zyrat, kostot e aparaturave më të fundit si dhe kostoja e një ekipi me standarde gjermane, le të themi që më kanë mbajtur zgjuar natën më shumë se njëherë.  Por, fatmirësisht kam MoneyCoach që më ndihmon t’i menaxhoj në të njëjtën kohë, si financat personale, ashtu edhe ato të startup-it në një mënyrë të thjeshtë dhe shumë efikase.

Çfarë mbështetje konkrete keni marrë nëse keni pasur të tilla?

Mbështetjen më të madhe e kam nga ekipi, i cili çdo ditë punon fort dhe jep gjithmonë maksimumin. MoneyCoach ka ecur shumë, sidomos këto muajt e fundit, si në iOS po ashtu edhe në Android. Së fundi në Android, kemi lëshuar një përditësim madhor, që prek të gjithë aplikacionin me features të reja të shumta, përmirësime në dizajn dhe funksionalitete ekzistuese.

Një gjë interesante, që mund të përmendim, është që ishim pjesë në finalistët e Elevator Lab Challenge, i organizuar nga Raiffeisen Bank, ku negociuam një bashkëpunim midis MoneyCoach X Raiffeisen Bank. Pa hyrë në shume detaje, juria e Raiffeisen Bank na bëri të ditur, që ishim të mbikualifikuar për vendin e parë. Gjithësesi jemi në bisedime të vazhdueshme me Raiffeisen Bank International, për një bashkëpunim potencial në të ardhmen. Ndërkohë, mund të përmend që kemi dy partneritete, një me një nga bankat më të mëdha në Hollandë, ING Bank dhe tjetra me një nga kompanitë më të mëdha të sigurimeve në Zvicer, “Generali”.

Si jeni vendosur në Shqipëri. A po përdoret aplikacioni?

Në Shqipëri, MoneyCoach ka ecur shumë mirë, sidomos pas publikimit të artikullit të parë në Business Mag. Faleminderit edhe njëherë për atë artikull. Nuk mund të themi një numër të saktë të përdoruesve shqiptarë, pasi shumica përdorin App Store jo shqiptar dhe gjuha në device është anglisht, mund të them që renditemi në top 30 në klasifikimin e aplikacioneve financiare në Shqipëri. Dëshira dhe misioni ynë është që të ndihmojmë njerëzit të përmirësojnë gjendjen e tyre financiare, të krijojnë buxhete për të kursyer para dhe për të realizuar qëllimet e tyre afatshkurtra, apo afatgjata, qoftë një udhëtim jashtë shtetit, pushime, një makinë të re, çfardo të jetë.

Kohët e fundit kemi marrë emaile nga përdorues shqiptarë, të cilët kërkojnë ndihmë, apo pyesin për ndonjë gjë në anglisht, por jo detyrimisht e dinë se mbështetja menaxhohet nga shqiptarë. Është shumë e bukur kur ju kthen përgjigje në shqip. MoneyCoach V është versioni më i fundit i MoneyCoach, i mbushur plot me risi, të cilat e bëjnë eksperiencën akoma dhe më të plotë. MoneyCoach mund të përdoret nga të gjitha moshat, që nga më të rinjtë të cilët duan të kursejnë për të blerë ndonjë lojë në Playstation, deri tek më të moshuarit që mund të kontrollojnë pensionin.

MoneyCoach V Video

MoneyCoach ne iOS 

MoneyCoach ne Android

 

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0