Misioni i parë në Mars nis vitin e ardhshëm! - Business Magazine Albania

Misioni i parë në Mars nis vitin e ardhshëm!

Misioni i parë në Mars nis vitin e ardhshëm!

Themeluesi i SpaceX, Elon Musk, ka deklaruar se raketa e tij Starship do të niset drejt Marsit deri në fund të vitit të ardhshëm, ndërsa kompania po heton disa shpërthime të ndodhura gjatë testeve të fundit të fluturimit.

Nëse misionet fillestare shkojnë mirë, zbarkimi i parë i njerëzve në Mars mund të ndodhë që në vitin 2029, megjithëse Musk shtoi në një postim në platformën e tij X se viti 2031 është “më i mundshëm”.

Starship – raketa më e madhe e krijuar ndonjëherë me një lartësi prej 123 metrash – është thelbësore për ambiciet e Musk për të kolonizuar planetin Mars. Megjithatë, testimet e saj kanë hasur në disa dështime. Një nga raketat u shpërthye disa minuta pas nisjes nga Teksasi javën e kaluar, duke shënuar dështimin e dytë për këtë vit, pas një shpërthimi të ngjashëm në janar. SpaceX ka njoftuar se do të analizojë të dhënat për të kuptuar më mirë shkakun kryesor të shpërthimit të fundit dhe theksoi se ai ndodhi pasi disa motorë të raketës u ndalën gjatë fluturimit. Administrata Federale e Aviacionit të SHBA-së (FAA) deklaroi se kompania do të duhet të kryejë një hetim përpara se të lejohet të kryejë një tjetër fluturim.

NASA planifikon të përdorë një version të modifikuar të Starship si mjetin e parë për uljen e njerëzve në Hënë në kuadër të misioneve Artemis, të cilat synojnë rikthimin e njerëzve në sipërfaqen hënore. Miliarderi i teknologjisë ka plane të mëdha për sistemin e tij të raketave, duke synuar që një ditë të transportojë njerëz në Hënë dhe më pas në Mars, duke e bërë njerëzimin një “specie multi-planetare”. Musk ka pasur prej kohësh synimin për një udhëtim në Mars. Në vitin 2016, ai deklaroi se planifikonte të dërgonte anijen Dragon në Mars që në vitin 2018. Në vitin 2020, ai shprehu besimin se kompania e tij do të arrinte të dërgonte njerëz në planetin e kuq brenda gjashtë viteve të ardhshme.

Lexo edhe: Utopitë e miliarderëve – 8 miliarderë që po krijojnë qytetet e tyre!

Në vitin 2024, Musk tha se do të niste Starship-ët e parë drejt Marsit në vitin 2026, me plane për misione të ekuipazhuara katër vite më vonë. Musk ka bërë të ditur se misioni i ardhshëm në Mars do të mbartë gjithashtu robotin humanoid Optimus të prodhuar nga Tesla, i cili u prezantua për publikun vitin e kaluar. Ai ka thënë se ky robot një ditë do të jetë i aftë të kryejë detyra të përditshme dhe do të kushtojë mes 20,000 dhe 30,000 dollarë.

Ndërkohë, të premten SpaceX lëshoi raketën Falcon 9 me një ekuipazh të ri drejt Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS), si pjesë e një plani për të kthyer në Tokë dy astronautë.

Butch Wilmore dhe Suni Williams fillimisht ishte planifikuar të qëndronin në ISS për vetëm tetë ditë, por për shkak të problemeve teknike me anijen eksperimentale me të cilën udhëtuan – e ndërtuar nga Boeing – ata janë atje prej më shumë se nëntë muajsh.

bbc

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0