Miliona fibra plastike në çdo larje, ja shpikja që po i ndalon ato - Business Magazine Albania

Miliona fibra plastike në çdo larje, ja shpikja që po i ndalon ato

Çdo larje rrobash fsheh një problem që pak e mendojnë: miliona fibra plastike të padukshme që përfundojnë në lumenj dhe oqeane. Një veshje sintetike mund të çlirojë deri në 1.5 milionë mikrofibra gjatë një cikli të vetëm larjeje, ndërsa studimet tregojnë se lavatriçet shtëpiake janë burimi kryesor i mikroplastikës në detra.

Ironikisht, zgjidhja për këtë ndotje erdhi pikërisht nga jeta detare.

Tre shpikës të rinj nga Case Western Reserve University në Ohio, SHBA, u frymëzuan nga mënyra se si peshqit manta ushqehen në oqean. Goja e tyre në formë koni krijon rryma të vogla rrotulluese që kapin planktonin pa u bllokuar. Duke parë se filtrat tradicionalë të lavatriçeve shpesh bllokohen dhe humbin efikasitetin, ata projektuan një alternativë që imiton këtë mekanizëm natyror.

Lexo gjithashtu: Demis Hassabis: AI mund të të bëjë më të zgjuar ose të ta bllokojë mendjen, varet si e përdor

Rezultati është filtri i patentuar Vortx, i cili krijon vorbulla të vogla brenda sistemit, duke bllokuar mikroplastikat dhe duke i drejtuar ato drejt një kapsule të zëvendësueshme. Sipas krijuesve, teknologjia është deri në 300% më efektive sesa filtrat klasikë.

CEO Max Pennington, së bashku me bashkëthemeluesit Chip Miller dhe David Dillman, krijuan startup-in Cleanr për ta sjellë produktin në treg. Pajisja vendoset mbi një lavatriçe standarde dhe në SHBA shitet për 359 dollarë (269 paund).

Edhe pse çmimi aktual mbetet i lartë për shumë familje dhe kapsulat e përdorura kërkojnë menaxhim të kujdesshëm, themeluesit shpresojnë që filtrat e mikrofibrave të bëhen të detyrueshëm në lavatriçet e reja. Tashmë, gjashtë shtete amerikane, përfshirë Pennsylvania, Oregon dhe California, po diskutojnë ligje në këtë drejtim.

“Ligjvënësit po e kuptojnë se duhet ta ndalim problemin që në burim,” ka deklaruar Pennington.

Në një kohë kur mikroplastika është kthyer në një kërcënim global për ekosistemet dhe shëndetin e njeriut, kjo shpikje tregon se ndonjëherë përgjigjja për problemet moderne gjendet në mençurinë e natyrës. Nga deti në shtëpitë tona, biologjia e peshqve mund të jetë çelësi për ujëra më të pastër.

PN

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0