Pas gati katër dekadash si simbol i gabimeve fatale në Windows, “Ekrani blu i vdekjes” (Blue Screen of Death) do të marrë më në fund një pamje të re. Microsoft ka njoftuar se po e zëvendëson ekranin famëkeq blu me një version të zi, si pjesë e përpjekjeve për të përmirësuar qëndrueshmërinë e sistemit operativ Windows.“Out of the blue and into the black”, shkruhet me sarkazëm në njoftimin e Microsoft-it, duke ironizuar ndryshimin historik që vjen si pasojë e incidentit të rëndë të vitit të kaluar, ku një ndërprerje në platformën CrowdStrike rrëzoi miliona pajisje Windows në mbarë botën.
Sipas kompanisë me bazë në Redmond, Washington, përdoruesit tani do të përballen me një përvojë më të thjeshtuar gjatë ristartimeve të papritura, me synimin për të reduktuar ankthin dhe për të përshpejtuar rikuperimin.
Lexo edhe: Kina prezanton një dron në madhësinë e një mushkonje për operacione të fshehta ushtarake
Ndër risitë kryesore është zhdukja e ekranit blu, që tashmë zëvendësohet nga një sfond i zi me një mesazh më të shkurtër dhe pa fytyrën e vrenjtur, e cila prej vitesh e shoqëronte këtë mesazh. Në vend të saj, shfaqet një përqindje progresi, që tregon në kohë reale ecurinë e ristartimit.

Rikuperim i shpejtë për rastet më të rënda
Microsoft njoftoi gjithashtu se po prezanton një mekanizëm të ri rikuperimi të shpejtë të kompjuterëve, veçanërisht të dobishëm në rastet kur pajisjet nuk mund të ristartohen me sukses. Kjo veçori do të jetë e disponueshme këtë verë për të gjitha pajisjet me Windows 11 (versioni 24H2).
Risia konsiston në automatizimin e proceseve të riparimit, duke i shmangur ndërhyrjet manuale komplekse të ekipeve IT, veçanërisht gjatë ndërprerjeve të mëdha në rrjet.
Microsoft shtoi se funksionalitetet e reja të rikuperimit do të zgjerojnë kapacitetet gjatë pjesës së dytë të vitit, duke shtuar opsione të reja për mirëmbajtje dhe menaxhim në raste krizash teknike.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto