Meta ka prezantuar një gamë të re syzesh inteligjente të fuqizuara nga inteligjenca artificiale (AI), duke forcuar bastin e saj se këto pajisje do të shndërrohen në një aksesor të domosdoshëm për përdoruesit në mbarë botën.
Në konferencën vjetore të zhvilluesve Meta Connect, drejtuesi i kompanisë, Mark Zuckerberg, njoftoi një seri pajisjesh të reja në partneritet me markat e syzeve Ray-Ban dhe Oakley. Një nga risi ishte byzylyku neural, i cili lidhet me syzet Meta Ray-Ban Display dhe u mundëson përdoruesve të kryejnë veprime, si dërgimi i mesazheve, vetëm me gjeste të vogla të dorës.
Prezantimi erdhi në një moment kur Meta, zotëruese e Facebook, Instagram dhe WhatsApp përballet me kritika të vazhdueshme për ndikimin e produkteve të saj, veçanërisht tek fëmijët. Zuckerberg e quajti teknologjinë një “arritje shkencore gjigante” përpara qindra të ftuarve në kampusin e kompanisë në Silicon Valley.
Syzet Meta Ray-Ban Display vijnë me ekran me ngjyra dhe rezolucion të lartë në njërin lente, ku përdoruesit mund të bëjnë telefonata me video apo të lexojnë mesazhe. Ato përfshijnë gjithashtu një kamerë prej 12 megapikselësh. Zuckerberg shpreson që këto pajisje të shndërrohen në platformën kryesore për integrimin e mjetit të kompanisë, Meta AI, në jetën e përditshme.
Analistët parashikojnë që syzet inteligjente mund të kenë më shumë sukses sesa projekti shumë miliardësh i Metaversit, i cili synonte krijimin e botëve virtuale për ndërveprim digjital. “Ndryshe nga helmetat e realitetit virtual, syzet janë një formë e përditshme dhe jo e vështirë për t’u mbajtur,” tha Mike Proulx, Drejtor Kërkimesh në Forrester. Megjithatë, ai paralajmëroi se Meta duhet të bindë shumicën e konsumatorëve se përfitimet ia vlejnë koston.
Lexo edhe: Diella në vëmendjen botërore, chatbot-i që ‘trondit’ BE-në dhe demokracinë
Kompania ka shitur rreth dy milionë palë syze inteligjente që prej hyrjes në treg në vitin 2023, edhe pse nuk jep të dhëna zyrtare mbi shitjet. Modeli i ri Display do të dalë këtë muaj me çmimin 799 dollarë (rreth 586 paund), qindra dollarë më shumë se versionet aktuale të syzeve Meta.
Meta ndodhet në mes të një fushate masive shpenzimesh për të forcuar operacionet e saj në AI. Në korrik, Zuckerberg tha se kompania do të investojë qindra miliarda dollarë në ndërtimin e qendrave të të dhënave për AI në SHBA, ku një prej tyre pritet të ketë sipërfaqe gati sa Manhattan. Investimet përfshijnë edhe rekrutimin e talenteve më të mira nga rivalët.
Kompania ka paralajmëruar gjithashtu se do të zhvillojë teknologjinë e quajtur “superinteligjencë” AI që mund të tejkalojë mendimin njerëzor.
Po çfarë janë syzet Meta?
“Syzet janë forma e vetme që i lejon AI të shohë çfarë sheh ti, të dëgjojë çfarë dëgjon ti dhe të të flasë gjatë gjithë ditës… ndaj nuk është çudi që po fitojnë popullaritet,” – tha CEO i Metës, Mark Zuckerberg, në ngjarjen Connect. Ai shtoi se përdoruesit po i adoptojnë këto syze me të njëjtin ritëm si disa nga pajisjet më të njohura elektronike ndonjëherë. Ndryshe nga versionet e mëparshme që ofronin vetëm reagime audio, këto syze ofrojnë informacion vizual përmes një ekrani të vogël në cepin e sipërm të lentes së djathtë. Kur i ke veshur, ekrani duket sikur projektohet disa metra larg. Është i dukshëm vetëm kur fokusohesh, përndryshe qëndron në periferi. Mund të fiket gjithashtu për të mos shpërqendruar gjatë bisedave apo punës.
Vetëm personi që i mban syzet mund ta shohë ekranin. Dikush që flet me ty nuk do ta dijë nëse je duke parë një mesazh apo një video në Instagram, përveçse nëse shmang kontaktin me sy.
Karakteristika shtesë
Një risi tjetër: një byzylyk “neural” që të lejon të kontrollosh ekranin me gjeste të vogla të dorës, pa pasur nevojë të prekësh kornizat ose të thuash “Hey Meta”. Megjithëse pak më të rënda se syzet normale, janë mjaft komode për t’u veshur për periudha të gjata.
Çfarë mund të bësh me to?
- Të marrësh e shohësh foto/video
- Të lexosh dhe tu përgjigjesh mesazheve
- Të lundrosh në Instagram Reels
- Të bësh thirrje me video
- Të shohësh harta në kohë reale
- Të lexosh përkthime në moment
- Të marrësh përgjigje vizuale dhe audio nga Meta AI
- Të identifikosh objekte përreth
Probleme dhe sfida
Për momentin nuk ka tastierë për të korrigjuar tekstin kur diktohet gabim Në një demo, Zuckerberg nuk mundi të pranojë një telefonatë video për shkak se butoni nuk u shfaq në ekran. Çështje të privatësisë dhe komoditetit social, a janë njerëzit rehat të jenë përreth dikujt që mund të regjistrojë në çdo moment?
A do t’i blejnë njerëzit?
Çmimi: $799
Edhe pse është një teknologji mbresëlënëse, shumë njerëz janë duke kërkuar mënyra për të reduktuar kohën përpara ekraneve. A do të dëshirojnë ata një ekran që qëndron vetëm disa centimetra larg syrit gjithë kohën? Mbetet për tu parë.
Çfarë thotë Meta?
Sipas Ankit Brahmbhatt, drejtor i syzeve inteligjente me AI në Meta:
“E ndërtuam këtë produkt për të mbrojtur prezencën. Mund të duket kontradiktore, por ekrani është menduar për t’u parë me një vështrim të shpejtë. Merr informacionin dhe më pas largohet.”
“Ideja që të mos jemi gjithmonë me kokën te telefoni është pikërisht përvoja që duam të ofrojmë.”
Privatësia dhe etika
Sërish ngrihen pyetje për sigurinë, privatësinë dhe perceptimin publik, veçanërisht për Meta-n që ka një histori problematike me të dhënat personale. Syzet kanë një dritë LED që ndriçon kur po regjistrojnë, por përdoruesit duhet të informohen mbi funksionet e tyre. Meta planifikon t’i hedhë në shitje më 30 shtator, fillimisht në disa dyqane në SHBA, përpara se t’i shpërndajë globalisht në vitin 2026.
Protestat për sigurinë e fëmijëve
Gjatë prezantimit, aktivistë dhe familjarë të viktimave të vetëvrasjeve protestuan para selisë së Metës në New York, duke kërkuar më shumë masa mbrojtëse për fëmijët në platformat e saj. Javën e kaluar, dy ish-studiues të sigurisë në kompani dëshmuan në Senatin amerikan se Meta kishte fshehur dëshmi të mundshme mbi dëmet që produktet e realitetit virtual shkaktonin tek fëmijët.
Jason Sattizahn dhe Cayce Savage thanë se drejtuesit e kompanisë u kishin kërkuar studiuesve të shmangnin çdo punë që mund të zbulonte dëshmi të tilla. Meta i ka mohuar akuzat duke i cilësuar si “të pavërteta”.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.