Meta paralajmëron për "përvojë më të keqe" për përdoruesit europianë pas gjobës së BE-së - Business Magazine Albania

Meta paralajmëron për “përvojë më të keqe” për përdoruesit europianë pas gjobës së BE-së

Nëse zotëroni një palë Ray-Ban Meta, kontrolloni sërish cilësimet e privatësisë!

Meta ka paralajmëruar se përdoruesit europianë mund të përballen me një përvojë “dukshëm më të keqe” pas një vendimi të rëndësishëm nga Komisioni Europian, i cili penalizoi gjigantin teknologjik me një gjobë prej 200 milionë euro për shkelje të Aktit për Tregjet Digjitale (DMA).

Kompania e njohur më parë si Facebook, kishte zbatuar së fundmi modelin “prano ose paguaj”, ku përdoruesit europianë duhej të zgjidhnin midis një abonimi mujor pa reklama ose lejimit të përdorimit të të dhënave të tyre për qëllime reklamimi nga Meta në Facebook dhe Instagram.

Komisioni Europian deklaroi se ky model nuk përmbush kriterin e “pëlqimit të lirë” dhe e cilësoi si të papajtueshëm me rregulloren e re digjitale të BE-së.

Në raportin financiar tremujor, Meta tha se do të duhet të bëjë ndryshime në këtë model dhe paralajmëroi se ato mund të kenë “ndikim të ndjeshëm negativ në përvojën e përdoruesve në Europë” dhe në të ardhurat e kompanisë nga ky treg.

Këto ndryshime pritet të hyjnë në fuqi që në tremujorin e tretë të këtij viti, edhe gjatë kohës që Meta apelon vendimin.

Përdoruesit në Mbretërinë e Bashkuar nuk do të preken, pasi Meta ende nuk e ka zbatuar modelin “pa reklama me pagesë” atje. Kompania po zhvillon diskutime me autoritetin britanik të mbrojtjes së të dhënave (ICO) mbi një version të ngjashëm të këtij modeli për përdoruesit britanikë.

Një zëdhënës i Metës i tha BBC-së se kompania po bashkëpunon me ICO për të garantuar që shërbimet e saj të përputhen me kërkesat rregullatore, duke ndihmuar gjithashtu në rritjen ekonomike.

Lexo edhe: Microsoft dhe Meta tejkalojnë pritshmëritë, ndërsa AI neutralizon pasiguritë nga tarifat e Trump

“Reklamat e personalizuara në platformat tona gjenerojnë mbi 19.5 miliardë paund në të ardhura për bizneset britanike çdo vit,” shtoi ai.

Analisti Eric Seufert nga Mobile Dev Memo tha për BBC-në se Meta po përpiqet strategjikisht të shndërrojë përdoruesit europianë në “avokatë të zëshëm” të platformës, për të ndikuar në opinionin publik kundër rregullimeve të reja.

“Ata duan të demonstrojnë se këto rregulla po e përkeqësojnë përvojën e përdoruesve, dhe kështu të kthejnë opinionin publik kundër tyre,” u shpreh ai.

Komisioni po shqyrton edhe një opsion tjetër që Meta paraqiti vitin e kaluar, i cili përdor më pak të dhëna personale për shfaqjen e reklamave. Meta ka 60 ditë kohë për të përmbushur kërkesat e Komisionit, përndryshe do të përballet me gjoba të reja. Ndërkohë, edhe Apple u ndëshkua me 500 milionë euro javën e kaluar për praktikat në App Store.

Meta në ‘gaz të plotë’ me AI

Ndërkohë, Meta raportoi fitime më të larta se pritshmëritë e Wall Street, duke treguar që reklamat vazhdojnë të jenë një burim i fortë të ardhurash. Kompania theksoi investimet në inteligjencën artificiale (AI), përfshirë progresin me syzet inteligjente dhe asistentin Meta AI, që tashmë ka gati 1 miliard përdorues aktivë në muaj. Mark Zuckerberg, themeluesi dhe CEO i kompanisë, deklaroi:
“Komuniteti ynë po rritet dhe biznesi po performon shumë mirë.” Analisti Matt Britzman nga Hargreaves Lansdown tha se rezultatet tregojnë se Meta “ka shtypur gazin” në drejtim të AI, ndërsa përmendi një rritje prej 6% në përdoruesit aktivë ditor.

Megjithatë, prezantimi i fundit i chatbot-it Meta AI në Europë ka shkaktuar zemërim mes disa përdoruesve të WhatsApp, që nuk mund ta fshijnë këtë funksion “opsional”. Meta tha se do të dëgjojë reagimet e përdoruesve.

Ndërkohë, në SHBA, Meta po përballet në gjyq me Komisionin Federal të Tregtisë (FTC), i cili e akuzon për monopolin e krijuar në tregun e rrjeteve sociale përmes blerjes së Instagram (2012) dhe WhatsApp (2014).

Burimi: BBC

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0