Gjiganti i teknologjisë Meta ka njoftuar se nga data 16 dhjetor do të fillojë të përdorë bisedat që përdoruesit zhvillojnë me inteligjencën e saj artificiale, Meta AI, për të shënjestruar reklama edhe më të personalizuara.
Deri më sot, Meta targetonte përdoruesit bazuar në postimet, klikimet dhe lidhjet e tyre në Facebook, Instagram apo WhatsApp. Por me këtë ndryshim, kompania do të ketë akses në një burim shumë më të drejtpërdrejtë: atë që përdoruesit i rrëfejnë vetë chatbot-it që nga produktet që kërkojnë, deri tek planet për udhëtime apo problemet që mund të zgjidhen me një blerje.
“Ashtu si shërbimet e tjera të personalizuara, ne përshtatim reklamat dhe përmbajtjen bazuar në aktivitetin tuaj. Së shpejti, edhe ndërveprimet me AI do të jenë një tjetër sinjal për të përmirësuar përvojën tuaj,” – tha Meta në blogun zyrtar.
Si do të funksionojë?
Shembull, nëse një përdorues flet me chatbot-in për hiking, Meta do t’i sugjerojë më shumë përmbajtje dhe reklama mbi sportet e natyrës. Por kjo ka ngritur shqetësime, sidomos nëse përdoruesit ndajnë biseda delikate mbi marrëdhënie apo çështje personale, të cilat mund të shndërrohen në rekomandime të padëshiruara.
Meta theksoi se nuk do të përdorë bisedat mbi çështje sensitive si feja, orientimi seksual, shëndeti apo bindjet politike për reklama të personalizuara.
Një treg reklamash gjigant
Aktualisht, Meta gjeneron shifra marramendëse nga reklamat. Vetëm në tremujorin e fundit, kompania ka fituar 46.5 miliardë dollarë nga reklamat, një rritje prej mbi 21% krahasuar me një vit më parë. Sot, vlera e tregut të Metës ka arritur në 1.8 trilionë dollarë.
Me mbi 1 miliard përdorues mujorë të Meta AI, pritet që ky hap të ndryshojë mënyrën se si njerëzit blejnë online. Shumë ekspertë në Silicon Valley besojnë se e ardhmja e shopping-ut nuk do të kalojë më nga Google apo rrjetet sociale, por nga AI chatbots.
Çfarë ndodh me privatësinë?
Meta ofron ende opsione për të kontrolluar temat mbi të cilat përdoruesit duan ose jo të marrin reklama, përmes mjetit “ad preferences”. Por, pas raportimeve të mëparshme ku disa përdorues u turpëruan pasi kishin publikuar pa dashje biseda private në platformën “Discover” (tashmë e zëvendësuar nga “Vibes”), mbetet për t’u parë se sa të sigurt do të ndihen përdoruesit në ndarjen e informacionit personal me chatbot-in e Metës.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto