Shkollë pa libra, shkollë pa mure. Keni dëgjuar për alternativën mësimore të Finlandës. Përveçse argëtuese ajo po rezulton ndër më të mirat në renditjet e vlerësimeve ndërkombëtare të arsimit, si “Pisa”.
Në Tiranë ka nisur puna për hapjen e shkollës finlandeze. Sipërmarrësi në fushën e arsimit Alejtin Berisha, tregon se shkolla do të hapet në Tiranë shtatorin e ardhshëm dhe është entuziast për reagimin e parë mes prindërve që ky lajm ka dhënë.
Në një intervistë për BusinessMag, z. Berisha tregon se, “Përvoja e deritanishme është e jashtëzakonshme – në Tiranë për vetëm 2 ditë të postimit të lajmit në Facebook, kemi marrë 490 mesazhe interesimi. Në Prishtinë, 14 muaj ende pa filluar shkolla, kemi përmbyllur 50 regjistrimet e para. Kemi rekrutuar gjithë mësuesit, të cilët janë ekskluzivisht nga Finlanda”. Ai tregon se, “çdo ditë marrim kërkesa për të hapur shkolla finlandeze në të katër anët e botës”, çka e projekton atë si kompania kryesore në eksportimin e edukimit finlandez nëpër botë.
Sistemi finlandez i shkollimit është një alternativë ndaj nacionales. Fillimisht, mësimi shihet si kënaqësi. Së dyti, mësimi bazohet në fenomene e jo në lëndë. Mjedisi mësimor është i hapur e jo klasik, ndërsa nxënësit mësohen të krijojnë e jo të memorizojnë. “Lojrat dhe teknologjia janë në qendër të punës së shkollës, siç është edhe mësimi i bazuar në përvojë (experiental learning)”, thotë Berisha.
Ju mund të lexoni rreth eventit: https://businessmag.al/revista/mars-2018/
Sipas tij, “kjo është diçka krejtësisht e re, por shumë e bukur dhe jashtëzakonisht e rëndësishme për shekullin në të cilin po jetojmë dhe revolucionin e katërt teknologjik”.
Modeli është një arësye e fortë për të ndërmarrë një nismë të re, ndërsa Alejtin Berisha tregon se ka përvojë në këtë fushë. “Ka më shumë se 15 vite që familja ime dhe une jemi të përfshirë në sektorin e edukimit dhe këto 7 vitet e fundit po punoja në një model të një shkolle ndërkombëtare. Para 3 viteve fillova të hulumtoj sistemin finlandez dhe kuptova se nuk është vetëm më i miri në gjitha rankimet, por është vërtetë revolucion në qasjen ndaj të mësuarit dhe shkathtësitë që zhvillon tek nxënësit”, thotë Berisha. Me shkollat Finlandeze në Ballkan dhe nga 2020 edhe nëpër botë, “ne synojmë të krijojmë një model të ri shkollash fillore dhe të mesme të fokusuar në kreativitet, sipërmarrje e teknologji, shkathtësitë më të rëndësishme të shekullit XXI”.
Në Tiranë nisma do të lançohet me 19, 20 prill përmes një takimeve informuese me prindërit e interesuar. Themeluesi i saj, drejtuesja dhe mësues të shkollës do të japin detajet dhe pritshmëritë e rezultateve të këtij modeli arsimor.
Pas hapjes në Prishtinë dhe Tiranë, vitin e ardhshëm Berisha ka planifikuar të hapë aktivitetin në Shkup dhe në Zagreb.
Çfarë i dallon shkollat finlandeze?
Finlanda ka dominuar arsimin botëror në dy dekadat e fundit dhe vazhdimisht rankohet e para në të gjitha vlerësimët ndërkombëtare si PISA, TIMMS & PIRLS, World Economic Forum, Economist Intellgince Unit.
Çfarë nënkupton mësimi në një shkollë të tillë?!
T’u mësohen fëmijëve më të domosdoshmet. Bëhen prioritet gjërat që janë më bazike për t’u mësuar.
T’u programohen fëmijëve “pauzat e trurit”. Fëmijët sipas këtij programi duhen lënë të shkëputen nga puna e tyre, në mënyrë që në trurin e tyre të programohet një shprehi, e cila lejon që fëmijët të ndërpresin përqëndrimin e tyre në punë kur nuk ndihen të gatshëm të vazhdojnë më tej dhe të merren me aktivitete të tjera më relaksuese.
Mësojnë duke ndejtur në lëvizje. Nxënësit duhet të lejohen të ngrihen ose të ecin përreth klasës edhe gjatë kohës sa janë në mësim, e kjo sepse ndjenja e të ndjerit i lirë, përveç se i relakson, u jep edhe mundësi që mendimin e tyre ta shprehin kudo ndihen më mirë e më rehat.
Lihen të rimbushen me energji pas shkollës. Kjo mund të arrihet nëse minimalisht u jepen detyra të shtëpisë. Sipas hulumtimeve të bëra del se finlandezët janë ata që kanë më pak detyra shtëpie. Ndërkohë në vlerësimet në PISA zënë vendin e parë.
Të lidhen me natyrën. Gjatë procesit të të mësuarit mund të hapen dritaret. Lidhja me natyrën si dhe të mësuarit jashtë, jep mundësinë e të kuptuarit më efikas dhe përjetimit të asaj që mësohet.
Të luajmë me nxënësit. Bashkohuni në lojërat që nxënësit përzgjedhin të luajnë e jo në ato që inicioni ju. Nëse nxënësit janë në qendër, janë ata të cilët vendosin për mënyrën se si duan të mësojnë. Kjo u rrit atyre vetbesimin.
T’i lëmë fëmijët të festojnë të mësuarit e tyre. Paraqitja e punës së suksesshme të nxënësve tek të tjerët nxit krenarinë si dhe kështu nxitë edhe të tjerët të punojnë më shumë.
T’i miqësojmë. Duke i bashkuar studentët më të rritur me ata më të rinj për aktivitete të ndryshme përveç socializimit ata do të kenë edhe rastin të mësojnë shumë nga njëri-tjetri.
T’u ofrojmë zgjedhje. I lejojmë nxënësit të zgjedhin një detyrë të shkurtër të të mësuarit, ose të zgjedhin opsionin kur u jepen detyra të hapura.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.