Entet private dhe furrat e bukës në kryeqytet do të paguajnë një tarifë mujore shtesë prej 450 lekësh në muaj, në faturën e ujit, me qëllim shlyerjen e pagesës për matësit smart.
Kjo tarifë do të aplikohet për një periudhë kohore prej 1 viti e gjysmë, ndërkohë që sipas vendimit të miratuar në Këshillin Bashkiak të Tiranës, shtrirja në kohë e kësaj pagese është bërë për të mos rënduar koston e tyre.
Sipas dokumentit, shlyerja e matësve do të bëhet nga bizneset, pasi ai do të jetë në pronësi të tyre. Investimi i parashikuar nga Ujësjellës Kanalizime Tiranë për pajisjen me matësa smart do të fillojë pikërisht nga bizneset dhe është pjesë e investimeve kapitale nga huaja tregtare, që arrin në total rreth 16.26 miliard lekë. Prej tyre, 10.3 miliardë lekë do të përdoren për rinovime kapitale të rrjetit, ndërsa 5.9 miliardë lekë për investime të reja kapitale.
Disa nga projektet, më të rëndësishme, përveç matësve të rinj mekanikë dhe smart, janë edhe shtimi i impiantit të Bovillës dhe ndërtimi i linjës së re të transmisionit nga Bovilla në Yzberish. Po ashtu, parashikohet rikualifikimi i linjave të transmetimit të Shën Mërisë dhe shfrytëzimi i vendburimit të Gurit të Bardhë. Këshilli Bashkiak i Tiranës i ka propozuar Entit Rregullator të Ujit rritjen e tarifës së ujit të pijshëm për konsumatorët familjarë dhe entet private.
Sipas propozimit të bashkisë, tarifa e ujit të pijshëm për abonentët familjarë pritet të rritet me 20 lekë, duke shkuar në 65 lekë/m3 nga 45 lekë/m3 që është aktualisht. Ndërkohë që, për entet private kjo tarifë pritet të rritet në 190 lekë/m3 nga 135 lekë/m3 që është deri më tani. Enti Rregullator i Ujit do të nisë shqyrtimin e kërkesës në muajin shtator, ndërkohë që ky proces mund të kërkojë deri në 3 muaj kohë.
/Scan
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.