Një porosi ushqimi u shndërrua në një histori që po bën xhiron e rrjeteve sociale dhe po hap një debat serioz mbi përdorimin e inteligjencës artificiale për mashtrime. Platforma e shpërndarjes së ushqimit DoorDash ka përjashtuar përfundimisht një shofer, pasi dyshohet se ka tentuar të mashtrojë një klient duke përdorur një imazh të gjeneruar nga AI për të “provuar” një dorëzim që nuk kishte ndodhur kurrë.
Ngjarja u bë publike më 26 dhjetor nga Byrne Hobart, një klient nga Austin, Teksas, i cili publikoi në rrjetin social X një postim që ngjalli reagime të shumta. Sipas tij, shoferi kishte pranuar porosinë dhe pothuajse menjëherë e kishte shënuar si të dorëzuar, duke dërguar si provë një foto ku shfaqej një qese DoorDash përpara derës së shtëpisë, foto që dyshohet se ishte krijuar me inteligjencë artificiale.
Për ta bërë edhe më bindëse historinë, Hobart publikoi krahas fotos “zyrtare” edhe një foto të derës së tij reale, ku dallimet ishin të qarta. Ai shprehet se shoferi, sipas tij, nuk ka qenë asnjëherë fizikisht pranë banesës dhe se gjithçka ishte një skemë e ndërtuar për të mashtruar si klientin, ashtu edhe vetë platformën.
Sipas Hobart, ekziston edhe mundësia që llogaria e shoferit të ishte hackuar dhe përdorur nga një mashtrues, i cili kishte ndryshuar të dhënat e pagesës dhe po përfitonte nga “dorëzime fantazmë” përpara se të zbulohej. Madje, një tjetër përdorues ka komentuar se i njëjti mashtrim i kishte ndodhur edhe atij, po në Austin, me të njëjtin emër shoferi.
DoorDash reagoi shpejt. Në një deklaratë për Nexstar, kompania konfirmoi se llogaria e shoferit është hequr përgjithmonë nga platforma.
“Pas një hetimi të menjëhershëm, e përjashtuam përfundimisht llogarinë dhe siguruam që klienti të dëmshpërblehej. Ne kemi tolerancë zero ndaj mashtrimit dhe përdorim teknologji të avancuar, së bashku me verifikim njerëzor, për të parandaluar abuzimet,” thuhet në reagimin zyrtar.
Klienti u rimbursua dhe mori edhe kredit shtesë, ndërsa porosia e tij, një poke bowl, iu dorëzua më vonë, këtë herë realisht.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto