Të rinjtë që janë në fillimet e karrierës po përballen sot me një nga tregjet më të vështira të punës në vitet e fundit. Konkurenca është e lartë, vendet e lira janë më të pakta dhe aplikimet për çdo pozicion janë në rritje. Në këtë realitet, LinkedIn vjen me një këshillë të qartë për vitin 2026, mos e neglizhoni fillimin nga bizneset e vogla.
Në parashikimet e tij për vitin e ardhshëm, platforma profesionale thekson se lëvizja më e mirë në karrierë për punëkërkuesit entry-level është të “fillojnë nga e vogla”. Sipas LinkedIn, kompanitë me më pak se 250 punonjës pritet të jenë destinacioni kryesor për të rinjtë në kërkim pune në 2026.
Pse bizneset e vogla janë një mundësi reale
“Kur shohim se kush po punëson sipas madhësisë së kompanisë, bizneset e vogla vazhdojnë të ofrojnë shumë avantazhe për të rinjtë,” thotë Karin Kimbrough, kryeekonomiste e LinkedIn, për CNBC Make It.
Të dhënat globale e mbështesin këtë ide:
-
Rreth 90% e bizneseve në botë janë të vogla ose të mesme
-
Ato krijojnë më shumë se 50% të vendeve të punës globalisht
-
Në këto kompani, të rinjtë dhe punonjësit në fazat e hershme të karrierës përbëjnë një përqindje më të lartë sesa në korporatat e mëdha
“Kur mendon për mundësitë reale, aty është mënyra më e mirë për të nisur,” thekson Kimbrough.
Një treg pune gjithnjë e më i ashpër për të rinjtë
Pamja për punëkërkuesit e rinj nuk ka qenë pozitive vitet e fundit. Sipas një raporti të LinkedIn:
-
Punësimet entry-level kanë rënë me 23% që nga marsi 2020
-
Në të njëjtën periudhë, punësimi total ka rënë me 18%
Ndërkohë, sipas të dhënave të Federal Reserve, në shtator 2025:
-
Papunësia për moshat 20–24 vjeç ishte 9.7%,
-
Më shumë se dyfishi i normës së përgjithshme të papunësisë, që ishte 4.4%
“Në këtë treg ka shumë më tepër aplikime për çdo vend pune,” thotë Kimbrough. “Bizneset e vogla janë porta më e mirë e hyrjes në treg.”
Përvoja, më e rëndësishme se emri i madh
Në kompanitë shumë të mëdha, pjesa e punonjësve entry-level po mbetet e njëjtë ose po zvogëlohet, sipas një raporti të LinkedIn në tetor.
Për të rinjtë që sapo diplomohen, mesazhi është i qartë: përvoja ka më shumë peshë sesa logoja e kompanisë në CV.
“Gjëja më e rëndësishme për të sapodiplomuarit është të futen në tregun e punës,” thekson Kimbrough.
“Nëse nuk po gjejnë hapësirë në kompani të mëdha që nuk po punësojnë si më parë, le të mos harrojnë bizneset e vogla që i rrethojnë.”
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto