Fshati turistik i Linit, në brigjet e liqenit të Ohrit, ka marrë një status të ri që e ngre në një nivel tjetër vlerësimi. Me kërkesë të UNESCO-s, Lini është shpallur Ansambël Arkitektonik, për shkak të trashëgimisë së pasur historike, gjetjeve arkeologjike dhe mënyrës së jetesës që vijon të ruhet prej shekujsh.
Ky vend unik, i njohur për rrugicat me kalldrëm, shtëpitë karakteristike dhe pamjet që duken sikur s’janë prekur nga koha, konsiderohet tashmë si një nga vendbanimet më të hershme të Europës. Me statusin e ri, çdo ndërtesë apo ndërhyrje e ardhshme duhet të jetë në harmoni të plotë me identitetin arkitektonik të zonës, ndërsa për ndërtimet më të mëdha kërkohet edhe miratimi i UNESCO-s.
Vendimi pritet të sjellë një mbrojtje më të madhe për trashëgiminë kulturore dhe njëkohësisht të rrisë interesin turistik për këtë fshat, që prej vitesh tërheq vizitorë vendas dhe të huaj për historinë, pamjet dhe qetësinë që ofron.
Lini kthehet kështu në një simbol të lidhjes mes kulturës, historisë dhe turizmit, duke dëshmuar se identiteti nuk është vetëm në të kaluarën, por në mënyrën se si dimë ta ruajmë atë sot.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto