Për fëmijët e ngujuar, mësuese Liljana nuk është thjeshtë mësuesja e shkollës 9 vjeçare “Pashko Vasa”, në Shkodër.
Për ta, ajo është e gjithë bota përtej mureve dhe shpresa për një të nesërme më të mirë.
Mësuese Liliana u nderua me Certifikatë Mirënjohjeje në ndarjen e çmimeve të filantropisë nga Partnerët Shqipëri. Motivacioni ishte, “Për kontributin e çmuar dhe punën e vyer e të palodhur prej më shumë se pesëmbëdhjetë vitesh në edukimin dhe shkollimin e fëmijëve të ngujuar nga fenomeni i gjakmarrjes, që me përkushtimin dhe investimin e saj personal, u jep këtyre fëmijëve shpresë për të ardhmen”.
Në një zonë ku rrugëtimi është i vështirë edhë në këmbë, mësuese Liljana nuk mungon.
Vullnetarisht, ajo po mëson, e ushqen me shpresë, fëmijët e ngujuar dhe lehtëson dhimbjen e prindërve të tyre.
Në edukimin e fëmijëve ka arritur të angazhojë edhe mësuese të tjera, duke lënë një dritare hapur për fëmijët që po rriten brenda katër mureve.
Të intervistuar nga Partnerët, të rinjtë e prindërit e tyre shprehen mirënjohës.
“Liljana na ka ndihmue. Unë kam 6 fëmijë dhe jemi në hasmeri. Nuk kam dasht t’i çoj në shkollë. Ka ndërhy Liliana. Ajo i mëson, i pajis me çanta, pajisje dhe fëmijët tanë vazhdojnë shkollën përmes kontributit të saj. Kështu, mendoj se fëmijët janë shkolluar gati si shokët e tyre. Nuk u ka munguar gjë”, thotë nëna e disa fëmijëvë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto
