Elon Musk bëri një paraqitje surprizë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, duke shënuar herën e parë që merr pjesë në një event të tillë, pavarësisht kritikave të tij të vazhdueshme ndër vite ndaj këtij forumi. Gjatë një bisede të gjerë me CEO-n e BlackRock, Larry Fink, drejtuesi i SpaceX dhe Tesla kombinoi humorin, ambicien afatgjatë dhe përditësimet mbi bizneset e tij, duke ndarë vizionin për të ardhmen e njerëzimit.
Që në fillim të diskutimit, Musk shkaktoi të qeshura duke rikujtuar ëndrrën e tij të hershme për jetën në Mars. Ai tha se shpesh është pyetur nëse dëshiron të vdesë në Mars dhe u përgjigj me humor: “Po, por jo në përplasje”, siç raporton Forbes.
Lexo edhe:Historike në hapësirë, për herë të parë, një person me karrocë kalon kufirin e Tokës
Biseda nisi me nota ironike mbi zhvillimet gjeopolitike, përfshirë interesin e SHBA-së për Grenlandën dhe Venezuelën. Musk bëri shaka duke thënë se kishte dëgjuar për një “sammit paqeje” dhe pyeti nëse bëhej fjalë për P-I-E-C (piece – copë), duke shtuar me ironi se “të gjithë duan nga një copë”, sipas Forbes. Larry Fink e drejtoi më pas bisedën drejt hapësirës dhe inteligjencës artificiale. Musk theksoi bindjen e tij se robotët humanoidë të avancuar do të bëhen të zakonshëm dhe se, në të ardhmen, do të zotërohen nga “çdo person në Tokë”, duke nënvizuar rolin kyç të AI në strategjinë afatgjatë të Tesla-s. Prania e Musk në Davos u konfirmua në momentet e fundit, vetëm një ditë pasi forumin e kishte adresuar presidenti amerikan Donald Trump. Kjo pjesëmarrje u pa si një ndryshim i rëndësishëm, duke qenë se Musk e ka kritikuar shpesh Davosin, madje duke e quajtur të mërzitshëm dhe duke kundërshtuar idetë mbi mbipopullimin. Musk, i cili ka 14 fëmijë, ka deklaruar vazhdimisht se rreziku real për njerëzimin është rënia e popullsisë, jo rritja e saj.
Në fund të bisedës, Larry Fink doli hapur në mbrojtje të Musk, duke thënë se ekzistojnë shumë mite rreth tij. Ai e quajti Musk një mik të afërt dhe një burim frymëzimi, duke shtuar se synimi i tij ishte ta “humanizonte” figurën e Musk – deklaratë që u prit me të qeshura nga publiku. Musk ndau edhe përditësime mbi Tesla-n, duke thënë se kompania mund të marrë miratimin rregullator për sistemin Full Self-Driving (i mbikëqyrur) në Evropë dhe Kinë që muajin e ardhshëm. Ky hap është kyç për rritjen e të ardhurave nga softuerët, në një kohë kur shitjet e automjeteve po ngadalësohen, sipas Reuters.
Ai pranoi sfidat me të cilat po përballet Tesla, përfshirë rregulloret më të ashpra në Evropë dhe konkurrencën në rritje. Regjistrimet e automjeteve Tesla ranë në Kaliforni vitin e kaluar dhe kompania ka raportuar dy vite radhazi me rënie të dërgesave, duke humbur pozicionin e prodhuesit më të madh global të automjeteve elektrike ndaj kompanisë kineze BYD.
Robotët humanoidë: shitjet shtyhen për vitin e ardhshëm
Sa i përket robotëve humanoidë të Tesla-s, Musk tha se kompania tani parashikon t’i nxjerrë në treg për publikun deri në fund të vitit të ardhshëm, më vonë se sa ishte planifikuar fillimisht. Ai theksoi se, në të ardhmen, robotët mund të jenë më të shumtë se njerëzit, por ekspertët e industrisë paralajmërojnë se zgjerimi i kësaj teknologjie kërkon miratime të qarta rregullatore, kapacitete prodhimi të besueshme dhe modele ekonomike të qëndrueshme.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.