Levita, startup-i shqiptar në rrugën për tu bërë "Health OS" i Ballkanit! - Business Magazine Albania

Levita, startup-i shqiptar në rrugën për tu bërë “Health OS” i Ballkanit!

Nga Eni Muça- Sistemi shëndetësor nuk dështon gjithmonë me zhurmë. Shpesh dështon në heshtje: në analizat që nuk lexohen në kohë, në dosjet që humbasin mes institucioneve, në pacientët që kalojnë nga një mjek te tjetri pa një histori të plotë klinike. Ky është realiteti i përditshëm në Shqipëri dhe në pjesën më të madhe të Ballkanit, por, paradoksalisht, edhe në disa nga sistemet më të zhvilluara europiane.

Pikërisht nga ky paradoks nisi Levita. Jo si një ide për të “digjitalizuar shëndetësinë”, por si reagim ndaj një problemi konkret: mungesës së vazhdimësisë në kujdesin mjekësor. Për themeluesin e saj, Nazmi Shehi, ky problem nuk ishte teorik. Ai u përball me të personalisht, fillimisht si pacient në Spanjë dhe më pas si dëshmitar i pasojave që kjo mungesë kishte lënë për dekada te familja e tij në Shqipëri.

Në këtë intervistë, Shehi shpjegon pse Levita nuk është thjesht një platformë telemjekësie, por një përpjekje për të ndërtuar infrastrukturën digjitale që shëndetësia në Ballkan nuk e ka pasur kurrë, dhe pse kjo mund të jetë një nga bastet më serioze të health-tech-ut rajonal në vitet e ardhshme.

Çfarë përvoje personale ose profesionale ju frymëzoi të krijoni Levita dhe çfarë problemi ishit të vendosur të zgjidhnit që nga dita e parë?

Në janar 2024 u sëmura rëndë ndërsa jetoja në Spanjë, një vend me një nga sistemet më të mira shëndetësore në botë. Pavarësisht burimeve, përvoja ime ishte zhgënjyese. Mjekët ishin të mbingarkuar dhe nuk kishin kohën e nevojshme për të ndjekur rastin tim siç duhej. Informacioni humbiste mes klinikave dhe spitaleve të ndryshme, ndërsa unë detyrohesha të mbaja fizikisht dosje me letra nga një specialist te tjetri, shpesh duke i humbur gjatë rrugës.

Në atë moment mendova për familjen time në Shqipëri, për gjyshen time që jetoi gjithë jetën me diabet, por kurrë nuk iu kontrolluan siç duhet veshkat apo zemra për shkak të mungesës së vazhdimësisë në kujdes. Ajo ndërroi jetë nga komplikacione të parandalueshme. Kjo nuk është një histori e rrallë, por realitet për miliona njerëz në Ballkan.

E kuptova se nëse unë po përballesha me këto vështirësi në një sistem perëndimor elitar, situata në vendet tona ishte edhe më kritike. Vendosa të largohem nga bizneset e mëparshme dhe ta bëj Levita misionin e jetës sime. Ne po ndërtojmë “Health OS” për Ballkanin, duke lidhur ishujt e fragmentuar të shëndetësisë, që asnjë pacient të mos harrohet apo të marrë kujdes të dobët.

A pati një moment specifik kur e kuptuat se kjo ide mund të bëhej një startup i shkallëzueshëm?

Po, patjetër. Fillimisht, Levita ishte një projekt i thjeshtë telemjekësie, që lidhte mjekët shqiptarë të emigruar në Gjermani, Itali e vende të tjera me pacientët në Shqipëri.

Momenti “Aha!” erdhi kur pamë pengesat jashtë konsultës. Një video-thirrje nuk mjafton. Pacientët kishin nevojë për analiza, ekzaminime, kuptim të rezultateve dhe rikthim te mjeku, pa humbur dokumente apo kohë.

Kur kuptuam se mund të bëheshim “ngjitësi” që integron shërbimet fizike, telemjekësinë dhe mjekun lokal në një rrugëtim të vetëm digjital – duke krijuar një “Profil Shëndetësor Levita” që ndjek pacientin kudo – modeli ndryshoi. Nuk po ndërtonim thjesht një shërbim, por një ekosistem të shkallëzueshëm me efekte të forta rrjeti, që përfiton pacientin dhe partnerët njëkohësisht.

Lexo edhe:Gjërat më interesante që pritet të ndodhin deri në vitin 2030!

Çfarë roli luan teknologjia dhe inteligjenca artificiale në platformën tuaj?

Ne përdorim AI për të zgjidhur dy pengesat më të mëdha në shëndetësi: ngarkesën administrative dhe saktësinë diagnostikuese.

Së pari, shërbejmë si një “bashkëpilot klinik” për mjekët. Sistemi analizon historikun e pacientit dhe analizat për të evidentuar sinjale rreziku dhe për të sugjeruar kërkime relevante, duke ulur barrën administrative që sot merr deri në 40% të kohës së mjekëve.

Së dyti, përdorim AI për triazhim inteligjent, duke e drejtuar pacientin drejtpërdrejt te specialisti i duhur, pa humbur kohë dhe para.

Së fundi, përmes automatizimeve, pacientët marrin përmbledhje të qarta pas çdo konsultimi, shpjegime të trajtimit dhe hapa të mëtejshëm. Ne u rikthejmë pacientëve pronësinë mbi shëndetin e tyre përmes një “Kartelë Klinike” digjitale të unifikuar.

Çfarë e dallon Levita nga platformat e tjera të telemjekësisë?

Shumica e platformave janë thjesht sisteme rezervimi ose aplikacione të izoluara. Levita është një Operating System që integrohet me botën fizike. Ne nuk konkurrojmë klinikat, farmacitë apo laboratorët lokalë, por i fuqizojmë ata pa investime të mëdha teknologjike.

Një konsultë në Levita nuk është vetëm një video-thirrje, por një proces i mbyllur digjital që e drejton pacientin te laboratorët partnerë dhe siguron që rezultatet të kthehen automatikisht në profilin e tij shëndetësor.

Kush është përdoruesi juaj kryesor dhe si ka ndikuar ai në zhvillimin e platformës?

Përdoruesi ynë është kushdo që ndihet i braktisur nga sistemi aktual: profesionistë të zënë, pacientë kronikë, të moshuar apo persona me vështirësi aksesimi. Duke parë nevojën urgjente për kujdes parandalues në Shqipëri dhe Ballkan, po evoluojmë drejt menaxhimit proaktiv të shëndetit, jo vetëm trajtimit të sëmundjes.

Si e siguroni që rritja të mos dëmtojë cilësinë e kujdesit?

Ne nuk jemi një marketplace ku mund të regjistrohet kushdo. Mjekët përzgjidhen me rigorozitet dhe vlerësohen jo vetëm nga pacientët, por edhe mbi bazën e cilësisë klinike. Nëse standardet bien, ne ndërhyjmë me feedback dhe ritrajnim të bazuar në të dhëna.

Ku e shihni Levita-n në 3–5 vitet e ardhshme?

E shohim Levita-n si shtyllën digjitale të shëndetësisë në Ballkan. Synojmë të bëhemi standardi rajonal dhe më pas të zgjerohemi më gjerë, duke ofruar një aplikacion të vetëm për telemjekësi, vizita fizike, receta, analiza dhe histori klinike.

Të ndërtosh një Health OS në Ballkan nuk është thjesht një ide biznesi, është një provë durimi, standardesh dhe besimi. Levita po hyn në këtë provë herët. Pyetja nuk është nëse tregu ka nevojë për një zgjidhje të tillë, por kush do të arrijë ta ndërtojë i pari.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

✨ Thënia e ditës
“Suksesi arrihet më shpesh nga ata që nuk e dinë se dështimi është i pashmangshëm.”
— Coco Chanel
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0