Lamtumirë, Pikachu! Niantic e mbyll një epokë për të ndërtuar të... - Business Magazine Albania

Lamtumirë, Pikachu! Niantic e mbyll një epokë për të ndërtuar të ardhmen me AI

Një nga kompanitë më të dashura të botës së teknologjisë, që solli fenomenin planetar Pokémon Go, ka ndërmarrë një hap që pak do ta kishin imagjinuar. Niantic i ka dhënë lamtumirën lojërave dhe ka zgjedhur të fokusohet plotësisht te Inteligjenca Artificiale për ndërmarrjet. Po, po, e lexuat mirë. Kompania që bëri miliona njerëz të dalin në rrugë për të kapur një Pikachu, sot ka mbyllur këtë kapitull dhe po ndërton të ardhmen në një tjetër dimension, realiteti i avancuar për bizneset.

Lexo gjithashtu: Spotify përmirëson përvojën e dëgjuesve për podcast-et

Nga Snorlax te sensorët e botës reale

Në ambientet e zyrave të Niantic në San Francisko, ende mund të gjesh lodra gjigante të Pokémonëve, një Snorlax që fle pa shqetësim në qoshe, një Psyduck që duket i hutuar. Por pas këtij imazhi të fëmijërisë, po shpaloset një strategji që synon të transformojë botën reale me anë të teknologjisë më të avancuar të AI-së.

Një marrëveshje tronditëse me Arabinë Saudite

Në mars, Niantic zyrtarizoi atë që u përjetua si “tërmeti i vitit” në industrinë e lojërave, shiti të gjithë biznesin e saj të lojërave për 3.5 miliardë dollarë kompanisë saudite Scopely, duke nisur një kapitull të ri nën emrin e ri Niantic Spatial.

Nga tani e tutje, nuk do të ndërtojë më lojëra për telefonë, por modele të inteligjencës artificiale që lexojnë, analizojnë dhe ndërveprojnë me botën fizike në kohë reale, duke i ardhur në ndihmë bizneseve të mëdha, robotëve dhe pajisjeve të realitetit të shtuar.

Lexo gjithashtu: Episodi i dytë i Think Big sjell në fokus Vitalux, kompaninë me pasionin për ndriçimin!

Nga lojërat te modelet gjeohapësinore

CEO-ja vizionar, John Hanke, e përshkruan këtë kthesë si një “ndarje qelizore”, ku dy biznese brenda të njëjtës kompani nuk mund të përparonin më nën të njëjtin kulm.

Tani, Niantic po përqendrohet te Large Geospatial Models (LGM), një teknologji që u jep robotëve dhe kompjuterëve aftësinë për të lëvizur dhe për të kuptuar ambientin fizik sikur të ishin njerëz. Dhe e gjitha kjo mbështetet mbi një thesar unik, 30 miliardë milje të përshkuara nga përdoruesit e Pokémon Go dhe Ingress.

Një fenomen që u shua si një yll

Pokémon Go, që gjeneroi 8 miliardë dollarë që nga 2016-a, pati një ndikim global të pakrahasueshëm. Në kulmin e saj, në vetëm tre ditë, loja kishte më shumë përdorues aktivë se Twitter. Por Niantic nuk arriti kurrë ta përsëriste atë sukses.

Pas përpjekjeve të dështuara me Harry Potter: Wizards Unite dhe anulimit të projekteve me emra të mëdhenj si NBA apo Marvel, u bë e qartë se rruga e vetme ishte rikthimi te rrënjët teknologjike.

Një njeri, një vizion

John Hanke nuk është i panjohur për revolucionet. Ai është njeriu pas Google Earth, pasionant pas hartëzimit digjital dhe bashkëthemelues i startup-it Keyhole, të blerë nga Google në 2004. Niantic lindi fillimisht si një projekt i brendshëm i Google-it dhe më pas u bë i pavarur. Sot, ai e quan rikthimin në AI jo një largim nga pasioni, por kthim në origjinë.

Çfarë pritet tani?

Sipas Gartner, tregu i “spatial computing” do të kapë vlerën 1.7 trilionë dollarë deri në vitin 2033. Niantic po vendos veten në vijën e parë, por përballë ka gjigantë si Nvidia dhe startup-e me vlerë miliarda si World Labs.

Për të financuar këtë tranzicion, Niantic siguroi një investim prej 250 milionë dollarësh, ndërsa 400 punonjës të lojërave kalojnë tek Scopely dhe 200 të tjerë mbeten në Niantic Spatial.

Nga një kompani që solli lodrën më të madhe digjitale në duart tona, Niantic tani kërkon të ndërtojë mjetet që e bëjnë botën reale më të kuptueshme për makinat. Një transformim i rrallë, i guximshëm dhe me potencial të jashtëzakonshëm.

Në fund të fundit, ajo që nisi si një kërkim për Pikachu, mund të përfundojë duke i dhënë robotëve aftësinë të gjejnë rrugën e tyre në botën tonë. Dhe kjo është magji… e një lloji tjetër.

FORBES

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.



Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0