Miliarderi dhe investitori George Soros, i njohur për donacionet e tij me prirje progresiste, prej vitesh është shënjestër e kritikave nga e djathta. Ai shpesh është portretizuar si “mjeshtri i kukullave dhe manipuluesi ekstrem i së majtës,” siç është shprehur dikur me ironi vetë.
Shumica e teorive konspirative që lidhen me Soros-in kanë në qendër fondacionin e tij Open Society Foundations, i krijuar dekada më parë dhe aktualisht i drejtuar nga djali i tij, Alex Soros. Ndër akuzat është edhe pretendimi i ish-presidentit Donald Trump se fondacioni financon protesta të dhunshme.
Së fundmi, Soros u përmend sërish në Zyrën Ovale, kur Trump tha para gazetarëve se e konsideronte një “kandidat të mundshëm” për hetim, vetëm disa ditë pasi kishte urdhëruar Prokuroren e Përgjithshme, Pam Bondi, të ngrejë akuza ndaj ish-drejtorit të FBI James Comey, senatorit të Kalifornisë Adam Schiff dhe Prokurores së Përgjithshme të Nju Jorkut Letitia James.
“Po të shohësh Soros-in, ai është në krye të çdo gjëje,” tha Trump. “Është në çdo histori që lexoj, kështu që po, është një kandidat i mundshëm.”
Në gusht, Trump kishte thënë se George dhe Alex Soros duhej të akuzoheshin për shkelje të ligjit RICO (Racketeer Influenced and Corrupt Organizations Act) për mbështetjen e protestave të dhunshme.
Open Society Foundations reagoi duke i cilësuar akuzat si “sulme politike ndaj shoqërisë civile”:
“Ne e dënojmë pa ekuivoke terrorizmin dhe nuk financojmë terrorizëm. Aktivitetet tona janë paqësore dhe ligjore, dhe përfituesit tanë duhet të respektojnë të drejtat e njeriut dhe ligjin.”
Lexo edhe: Trump dhe iluzioni i “paqebërësit”
Donacionet e Soros-it
Open Society është një fondacion kryesisht me orientim të majtë. Deri më sot ka shpenzuar mbi 24 miliardë dollarë, nga të cilat 1.2 miliardë vetëm në vitin 2024. Fondet janë përdorur për qasje në arsim e shëndetësi, drejtësi racore, reformën e politikave të drogës, zgjerimin e të drejtave të njeriut, si edhe për çështje si ndryshimet klimatike dhe autoritarizmi. Rrjeti i fondacionit ka vepruar në mbi 100 vende. Donacioni i parë i Soros-it ishte në vitin 1979, kur dha bursa për studentë të zinj në Afrikën e Jugut gjatë aparteidit. Në vitet 1980 financoi vizita akademike në Perëndim për disidentë nga Europa Lindore që sfidonin komunizmin. Ai është një nga donatorët më të mëdhenj të Partisë Demokratike në SHBA. Vetëm në vitin 2021 dhuroi 125 milionë dollarë për një super PAC liberal. Megjithatë, edhe republikanët kanë donatorët e tyre miliarderë, si Charles Koch, Miriam Adelson dhe Timothy Mellon. Në vitin 2020, Soros përmes një grant prej 150,000 dollarësh mbështeti edhe Cato Institute – një institut me prirje liberale në treg – për të ndihmuar në ndërtimin e një konsensusi kombëtar për fundin e imunitetit të kualifikuar dhe politikave që cenojnë llogaridhënien e policisë.
Rasti interesant i Scott Bessent
Një nga figurat e afërta të Trump, Scott Bessent, ka punuar për vite me radhë me Soros. Nga 1991 deri më 2000 ishte partner menaxhues në zyrën londineze të Soros Fund Management, dhe më pas u rikthye si shef i investimeve nga 2011 deri më 2015. Pas largimit, mori një investim prej 2 miliardë dollarësh nga Soros për të nisur fondin e tij, Key Square Group.
Kritikat nga aleatët e Trump
Soros është shpesh shënjestër e akuzave nga figura të djathta. Elon Musk e ka krahasuar me personazhin negativ “Magneto,” duke thënë se ai “urrejt njerëzimin.” Deputetja republikane Marjorie Taylor Greene ka deklaruar se “askush nuk e ka minuar demokracinë amerikane më shumë se George Soros.”
Shpesh e etiketojnë si “globalist” që manipulon fshehurazi financat ndërkombëtare – një akuzë që shumë e shohin si antisemitizëm. Madje një dokumentar i Tucker Carlson në Fox News në 2022 titullohej: “Hungary vs. Soros: The Fight for Civilization.”
Pasuria dhe filantropia
Soros ka lindur në Hungari në vitin 1930 dhe ka mbijetuar gjatë pushtimit nazist. Më pas u shpërngul në Londër, ku mbaroi studimet në London School of Economics (1952), e në 1956 shkoi në SHBA. Në vitin 1970 krijoi Soros Fund Management dhe më 1973 bashkë me Jim Rogers themeloi Quantum Fund, një prej fondeve më të suksesshme në historinë e financave. Në vitin 1992 fitoi rreth 1 miliard dollarë nga spekulimet kundër paundit britanik, në një ngjarje të njohur si “E mërkura e Zezë.” Në vitin 2017 ai transferoi 18 miliardë dollarë te Open Society Foundations, duke e çuar totalin e dhurimeve të tij që prej 1984 në mbi 32 miliardë. Sot pasuria e tij llogaritet në 7.5 miliardë dollarë (Bloomberg Billionaires Index).
Qëndrimi i tij
“Pozita ime është e jashtëzakonshme. Suksesi në tregjet financiare më ka dhënë një shkallë të pavarësisë që shumica nuk e kanë. Kjo më obligon të marr qëndrime në çështje kontroverse kur të tjerët nuk mund ta bëjnë, dhe kjo vetë ka qenë burim kënaqësie,” shkruante Soros në një ese të vitit 2011 në The New York Review of Books.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.