Kur teknologjia sfidon kancerin, spitali i AI që përshpejton miratimin e barnave - Business Magazine Albania

Kur teknologjia sfidon kancerin, spitali i AI që përshpejton miratimin e barnave

Barnat e reja vonohen shumë për të dalë në treg për shkak të bllokimeve në provat klinike. Dy mjekë onkologë ndërtuan teknologji të mbështetur nga AI për ta përshpejtuar këtë proces. Si mjekë onkologë me përvojë dhe ekspertizë rregullatore, bashkëthemeluesit e Pi Health, Geoff Kim dhe Bobby Reddy, e dinin mirë se përfundimi i provave klinike për barnat e reja zgjaste shumë. Procesi i ngadaltë për regjistrimin e pacientëve dhe pastaj kalvari i përpunimit të sasive të mëdha të të dhënave për përgatitjen e dokumentacionit rregullator ishte një barrë që shumë spitale dhe klinika nuk mund ta përballonin. Ata e kuptuan se shansi më i mirë për sukses i startup-it të tyre ishte të anashkalonin të gjithë këtë pengesë. Dhe morën një hap të guximshëm dhe të paprecedentë: ndërtuan një spital për trajtimin e kancerit në Indi.Provat klinike janë pengesa kryesore në zhvillimin e barnave të reja dhe Kim e Reddy mendonin se softueri i tyre, i fuqizuar me inteligjencë artificiale, mund t’i bënte këto prova më të shpejta dhe më të lira duke zgjeruar numrin e pacientëve potencialisht të përshtatshëm. Por shumica e provave klinike sot zhvillohen në qendra akademike mjekësore të nivelit të lartë. Ata duhej të provonin që softueri i tyre mund të ndihmonte edhe spitalet jashtë vendit dhe qendrat më të vogla për të përballuar dokumentacionin që kërkohet për miratimin rregullator. Kështu, ata ndërtuan një spital modern me 30 shtretër në Hyderabad, një qendër teknologjike dhe farmaceutike në Indinë Jugore.

Spitali i Pi Health për trajtimin e kancerit u hap në shtator 2023 dhe nisi zhvillimin e provave klinike vitin e kaluar. Deri tani ka marrë pjesë në tetë prova, përfshirë një që çoi në miratimin e një ilaçi për kancer të kokës, qafës dhe mushkërive në Indi vetëm shtatë muaj pasi u regjistrua pacienti i parë. Kjo është më pak se gjysma e kohës që zakonisht kërkohet, duke qenë një dëshmi madhore për efektivitetin e softuerit, diçka që Kim dhe Reddy besojnë se do t’u sjellë më shumë klientë.

“Po bëjmë gjithçka që mundemi për ta bërë këtë proces shumë më efikas,” tha Kim, CEO i kompanisë. “Ka mënyra të reja dhe emocionuese për të luftuar kancerin. Nëse mund t’i bëjmë këto prova më shpejt dhe më lirë dhe t’i sjellim terapitë te pacientët, duhet ta bëjmë tani – sepse ata po presin tani.”

Vetëm 8% e pacientëve me kancer në SHBA marrin pjesë në studime klinike, pjesërisht për shkak të sasisë së madhe të dokumentacionit të kërkuar. Kjo kufizon të kuptuarit e sëmundjes në grupe të ndryshme njerëzish dhe e zgjat e rrit koston e aprovimit të barnave.

Lexo edhe: A mund të zhduket Sindroma Down?

Softueri i Pi Health synon ta lehtësojë këtë barrë. Ai integron të gjitha të dhënat e provës klinike në një vend, duke përmirësuar rrjedhën e punës dhe duke ulur gabimet, që nga faza e dizajnit e deri në dorëzimin për miratim. AI përdoret për të kontrolluar mospërputhjet dhe për të krijuar dokumentacion automatik të kalibrit rregullator.

Startup-i me bazë në Kembrixh ka mbledhur afro 40 milionë dollarë dhe vlerësohet në gati 100 milionë. Ai ka gjeneruar të ardhura nga kontrata të nënshkruara me vlerë mbi 70 milionë dollarë dhe po punon në gati 20 studime për pesë kompani farmaceutike globale, përfshirë BeOne Medicines, ish-BeiGene, me një kapital tregu prej 30 miliardë dollarësh, që zotëron rreth 40% të Pi Health.

“Jemi të apasionuar për të ndryshuar mënyrën si zhvillohen barnat për kancerin,” tha Reddy, COO i kompanisë. “Në fushën e kujdesit shëndetësor ka shumë përsëritje dhe pak guxim për të ndërmarrë hapa të ndryshëm.”

Numri i pjesëmarrësve në prova klinike është rritur vetëm pak, nga 655,000 në vitin 2010 në 764,000 në vitin 2024 – ndërsa numri i barnave në zhvillim është trefishuar në më shumë se 23,000 dhe kompanitë që punojnë në këtë fushë janë po ashtu trefishuar. Kjo është një lajm i mirë për pacientët, por sfiduese për një infrastrukturë që nuk e përballon më.

Shumica e provave zhvillohen në spitale të mëdha si Memorial Sloan Kettering ose Mass General, çka lë jashtë shumë pacientë, sidomos ata jashtë qyteteve të mëdha apo në vende të tjera, duke ngadalësuar më tej procesin për kompanitë farmaceutike.

Ndërkohë, kriteret e përzgjedhjes së pacientëve janë të rrepta, përfshirë moshën, llojin e kancerit dhe trajtimet e mëparshme. Pi Health ndërtoi teknologjinë duke filluar nga fundi i procesit miratimi rregullator për të qenë të sigurt që softueri i tyre do t’i adresonte realisht problemet.

Spitali në Indi u ndërtua gjatë pandemisë Covid-19. Për të respektuar afatet, ata vendosën të mos e prisnin skanerin CT që do të vinte nga Gjermania, por e futën pajisjen gjigante përmes një vrime në katin e katërt me një vinç. “Nëse do ta kishim ditur sa e vështirë do të ishte, ndoshta askush nuk do të kishte investuar,” tha Reddy.

Pi Health tani po zgjerohet përtej onkologjisë, në fusha si imunologjia dhe psikiatria, me qendra në SHBA, Indi, Brazil, Australi dhe Kinë. Në SHBA, ka filluar të bashkëpunojë me klinika të vogla komunitare, si Iyengar Oncology Center në New Jersey, ku një pacient i vetëm merr pjesë në një provë për një lloj të rrallë kanceri – diçka që më parë ishte e pamundur pa softuerin e ri.

Megjithëse nuk planifikojnë të ndërtojnë më shumë spitale, guximi për të provuar një model që dukej i pamundur, u dha atyre prova konkrete që ideja e tyre funksionon. “Ajo që kemi bërë në Indi tregon se mund ta demokratizojmë aksesin në barnat dhe provat klinike,” përfundoi Reddy.

Forbes

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

✨ Thënia e ditës
“Kurrë mos iu ndaj parimeve të tua të nderit dhe qëllimit të mirë.”
— Winston Churchill
Must watch
Business Mag Nr. #39 – Shtator 2025

‘’Zgjidhni njeriun’’ … ‘’Punësoni për aftësitë e buta’’….   Janë sot postulate nga ekspertët dhe studiues të tregut të punës, të cilat iu drejtohen stafeve të burime njerëzore. Mund edhe të duket pak romantike për kohën që po jetojmë, por zgjedhja e njeriut të duhur për t’i hapur dyert e zyrës, për ta futur në gjirin e skuadrës tënde dhe për t’i dhënë pushtetin e të folurit në emër të brand-it tënd ka sot vlerë më shumë se kurrë më parë. Rëndësia e ‘aftësive të buta’ qëndron në faktin e të zotëruarit të cilësive si komunikimi, dëshira për të provuar e qenë kurioz, bashkëpunimi, empatia, besnikëria, etika e lartë dhe padyshim ndershmëria; tipare të cilat nuk janë edhe aq të thjeshta për tu gjendur në njeriun modern i cili duket se vrapon pas trendeve, të resë dhe virales dhe për të cilin çdo gjë që ka më shumë ndjeshmëri seç duhet është ‘jashtë mode’.

Për ne shqiptarët shumë nga këto vlera njerëzore janë edhe vlera të familjeve tona, vlera të cilat jan duartrokitur gjithmonë në mjediset ku jemi rritur, por që ndoshta nuk duartrokiten edhe shumë sot, ndër breza më të rinj…, ose të paktën nuk duartrokiten në publik. 

E kush më …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0