Kur teknologjia flet shqip dhe dialekt, Albquest prezantohet në "Pr... - Business Magazine Albania

Kur teknologjia flet shqip dhe në dialekt, Albquest prezantohet në “Product Launch”

Pasditen e 30 majit, në ambientet e One Connect Hub, u zhvillua eventi i radhës i “Product Launch”, organizuar nga AlbaniaTech, ku në qendër të vëmendjes ishte Albquest, platforma edukuese e krijuar për të ndihmuar fëmijët shqiptarë të diasporës që të ruajnë gjuhën dhe kulturën e tyre amtare.

Themeluar nga Kleida Peçulaj, Albquest përfaqëson një iniciativë që ndërthur edukimin digjital me ruajtjen e identitetit kulturor. Eventi nisi me një prezantim të vetë themelueses, e cila ndau historinë e krijimit të platformës, që lindi si përgjigje ndaj nevojës së qartë për ruajtjen e gjuhës shqipe mes brezit të ri të shqiptarëve që rriten jashtë vendit.

“E veçanta e Albquest është se nuk i përjashton dialektet, përkundrazi. Gjatë gjithë jetës kam parë si shpeshherë gjykohen ata që flasin në dialekt, veçanërisht nga veriu i vendit. Me Albquest nuk do të ndodhë kjo. Do të mësojmë edhe gjuhën standarde, sepse është e rëndësishme, por dua të jetë e qartë, të flasësh në dialekt nuk është gabim, është pasuri.”– u shpreh Peçulaj gjatë prezantimit.

Platforma përfshin mjete të avancuara interaktive, që nga lojërat gjuhësore, aktivitetet letrare e artistike, deri te përfshirja e dialekteve, si një mënyrë për të ruajtur pasurinë gjuhësore dhe për të forcuar lidhjen me zonat e origjinës së nxënësve.

Përshtypjet nga të pranishmit ishin pozitive, duke vlerësuar qasjen inovative dhe vizionin e qartë të platformës, që jo vetëm mëson gjuhën shqipe, por edhe nxit ndjesinë e përkatësisë dhe vlerësimit për trashëgiminë kulturore.

Albquest u prezantua si një shembull i qartë i mënyrës se si teknologjia mund të përdoret për të ruajtur identitetin kombëtar në një kontekst global dhe të lëvizshëm. Me një nisje të suksesshme në “Product Launch”, platforma synon të zgjerojë ndikimin e saj dhe të bëhet një pikë referimi për edukimin gjuhësor të brezit të ri shqiptar në diasporë.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

✨ Thënia e ditës
“Kurrë mos iu ndaj parimeve të tua të nderit dhe qëllimit të mirë.”
— Winston Churchill
Must watch
Business Mag Nr. #39 – Shtator 2025

‘’Zgjidhni njeriun’’ … ‘’Punësoni për aftësitë e buta’’….   Janë sot postulate nga ekspertët dhe studiues të tregut të punës, të cilat iu drejtohen stafeve të burime njerëzore. Mund edhe të duket pak romantike për kohën që po jetojmë, por zgjedhja e njeriut të duhur për t’i hapur dyert e zyrës, për ta futur në gjirin e skuadrës tënde dhe për t’i dhënë pushtetin e të folurit në emër të brand-it tënd ka sot vlerë më shumë se kurrë më parë. Rëndësia e ‘aftësive të buta’ qëndron në faktin e të zotëruarit të cilësive si komunikimi, dëshira për të provuar e qenë kurioz, bashkëpunimi, empatia, besnikëria, etika e lartë dhe padyshim ndershmëria; tipare të cilat nuk janë edhe aq të thjeshta për tu gjendur në njeriun modern i cili duket se vrapon pas trendeve, të resë dhe virales dhe për të cilin çdo gjë që ka më shumë ndjeshmëri seç duhet është ‘jashtë mode’.

Për ne shqiptarët shumë nga këto vlera njerëzore janë edhe vlera të familjeve tona, vlera të cilat jan duartrokitur gjithmonë në mjediset ku jemi rritur, por që ndoshta nuk duartrokiten edhe shumë sot, ndër breza më të rinj…, ose të paktën nuk duartrokiten në publik. 

E kush më …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0