Kur shiu nuk mjafton/ Gordani: Pse prurjet hidrike nuk e ulin çmimin e energjisë në Shqipëri - Business Magazine Albania

Kur shiu nuk mjafton/ Gordani: Pse prurjet hidrike nuk e ulin çmimin e energjisë në Shqipëri

Shqipëria përjetoi javën e kaluar një nga episodet më të rënda të përmbytjeve për këtë vit, ku zona të tëra si edhe mijëra hektarë tokë bujqësore u zhytën nën ujë, duke detyruar qindra familje të evakuohen dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme ekonomike.

Në  një situatë të tillë, në një vend ku mbi 95% e prodhimit vendas të energjisë vjen nga hidrocentralet, reshjet e dendura krijojnë shpesh pritshmëri të menjëhershme se çmimi i energjisë duhet të ulet. Por realiteti i tregut energjetik është më kompleks. Sipas Dr. Lorenc Gordanit, avokat dhe ekspert i infrastrukturës energjetike, prurjet e larta hidrike nuk përkthehen automatikisht në energji më të lirë për konsumatorët shqiptarë, të cilët, paradoksalisht, vijojnë të paguajnë energji të shtrenjtë krahasuar me nivelin e të ardhurave.

A sjell shiu ulje çmimi?

Pyetja adreson pritshmërinë publike se reshjet e bollshme duhet të ulin faturat e energjisë, ndërsa Gordani sqaron pse kjo nuk ndodh në praktikë.

Sipas Gordanit, në afat të shkurtër nuk duhet pritur domosdoshmërisht një ulje e çmimit të energjisë elektrike. Prurjet e larta hidrike ndikojnë pozitivisht në bilancin financiar të sektorit, duke ulur nevojën për importe të shtrenjta, por çmimi për konsumatorët shqiptarë është i rregulluar dhe nuk reflekton automatikisht luhatjet sezonale të prodhimit.

”Përfitimi kryesor i këtyre reshjeve është stabilizimi i kostove të sistemit dhe ulja e presionit financiar, jo një ulje e menjëhershme e faturës mujore. Ndërkohë, duhet theksuar se çmimi i energjisë për këtë vit vijon të mbetet i ulur, në të njëjtat nivele si një vit më parë, pikërisht falë menaxhimit më të kujdesshëm të riskut dhe kushteve më të favorshme hidrike.”

Nga ana tjetër Gordani thekson se Shqipëria përballet me kufizime strukturore serioze që e pengojnë të shndërrojë prurjet e larta në të ardhura të qëndrueshme nga eksporti. Mes tyre renditen kapacitetet e kufizuara ndërkufitare, linjat e transmetimit shpesh të mbingarkuara dhe mungesa e kontratave afatgjata që do ta bënin energjinë shqiptare më të parashikueshme në tregjet rajonale dhe europiane.

Lexo edhe: Përmbytjet, një kronikë e paralajmëruar që kërkon masa urgjente

Një tjetër faktor është mekanizmi CBAM i Bashkimit Europian, i cili po e bën tregun gjithnjë e më selektiv. Edhe pse energjia shqiptare është kryesisht hidro dhe me gjurmë të ulët karboni, mungesa e certifikimit të plotë dhe e integrimit të avancuar tregtar e kufizon konkurrueshmërinë reale.

Edhe pse energjia shqiptare është kryesisht hidro dhe me gjurmë të ulët karboni, mungesa e certifikimit të plotë dhe integrimit të avancuar tregtar e kufizon aktualisht konkurrueshmërinë reale në eksport. Pra, nuk mjafton të prodhosh energji të gjelbër, ajo duhet edhe të certifikohet, strukturohet dhe tregtohet si e tillë.” nënvizon Gordani.

A janë përmbytjet vërtet një ‘bekim’ për energjinë?

Sipas Gordanit, reshjet e dendura dhe përmbytjet rrisin ndjeshëm riskun operacional dhe financiar të sistemit energjetik. Ato shoqërohen me shkarkime emergjente nga digat, sedimentim të përshpejtuar të rezervuarëve dhe dëmtime në nënstacione e linja shpërndarjeje.

Ngjarjet ekstreme klimatike rrisin ndjeshëm riskun operacional dhe financiar të sistemit energjetik. Ato shoqërohen me: shkarkime emergjente nga digat; sedimentim të përshpejtuar të rezervuarëve apo edhe dëmtime në nënstacione dhe linja të shpërndarjes. Kjo do të thotë se prurjet e larta nuk janë gjithmonë një përfitim neto. Në shumë raste, kostot e mirëmbajtjes, ndërhyrjet emergjente dhe rreziku i ndërprerjeve e neutralizojnë përfitimin e prodhimit të shtuar.” shpjegon ai.

A ka zgjidhje afatgjata për energji më të përballueshme?

Gordani është i qartë: investimet në ruajtjen e ujit janë teknikisht të realizueshme dhe strategjikisht të domosdoshme. Por ato kërkojnë kapital të madh fillestar, planifikim afatgjatë dhe stabilitet rregullator, si dhe koordinim të fortë mes sektorit të energjisë, mjedisit dhe financës publike.

“Në tregjet e zhvilluara të energjisë, ruajtja e ujit ka vlerë më të madhe se vetë prodhimi në moment. Sidomos projektet e pump-storage lejojnë depozitimin e energjisë dhe shfrytëzimin e saj në orët kur çmimet në bursa janë më të larta. Ky është drejtimi ku duhet të orientohet edhe Shqipëria nëse synon të kalojë nga menaxhimi reaktiv në strategji tregu.” thekson ai.

Shiu nuk mjafton për energji të lirë

Prurjet hidrike janë një avantazh natyror, por energjia e qëndrueshme dhe e përballueshme nuk vjen vetëm nga reshjet. Ajo kërkon planifikim, infrastrukturë moderne, certifikim, integrim real në tregjet europiane dhe politika që shkojnë përtej reagimit pas çdo përmbytjeje. Në të kundërt, Shqipëria do të vazhdojë të përjetojë të njëjtin paradoks: shumë ujë, por energji me çmime që godasin xhepin e qytetarëve. Edhe pse çmimi i energjisë për këtë vit ka mbetur në nivele të ngjashme me një vit më parë, kjo nuk e ndryshon faktin se energjia në Shqipëri është e shtrenjtë në raport me pagat dhe koston e jetesës, duke e kthyer energjinë nga një shërbim bazë në një barrë të ndjeshme ekonomike për familjet.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

✨ Thënia e ditës
“Suksesi arrihet më shpesh nga ata që nuk e dinë se dështimi është i pashmangshëm.”
— Coco Chanel
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0