Një sondazh i vitit 2022 me punëkërkues zbuloi se 23% e të anketuarve identifikuan “vlerat dhe kulturën e kompanisë” si një ndikim kryesor nëse vendosin të pranojnë një ofertë pune. I njëjti sondazh tregoi gjithashtu se 21 për qind e punëkërkuesve thanë se “kultura e dobët e kompanisë” ishte arsyeja kryesore për ta lënë punën vitin e kaluar dhe 34 për qind raportuan se u larguan nga puna brenda 90 ditëve të para sepse “kultura e kompanisë nuk ishte ashtu siç e prisnin”.
Kultura e punës është grupi i përbashkët i vlerave, besimeve dhe qëndrimeve që udhëheqin organizatën tuaj dhe reflektohet në mënyrën se si i trajtoni klientët dhe punonjësit tuaj. Kultura e vendit të punës ndikon në llojet e kandidatëve që tërhiqni për pozicionet vakante, dhe të paturit një kulturë të fortë pune gjithashtu rrit produktivitetin, ul qarkullimin e punonjësve dhe përmirëson angazhimin e punonjësve.Çfarë e bën kulturën e punës të rëndësishme?
Kultura e punës i udhëzon punonjësit se cilat sjellje, dhe çështje të rëndësishme janë pjesë e ADN-së aktuale të kompanisë. Ajo gjithashtu rritet dhe ndryshon me rrethanat. Njerëzit duhet të kuptojnë kulturën në mënyrë që të dinë se si ta kryejnë punën e tyre.
Ajo ka një ndikim të thellë në disa aspekte të rëndësishme të përvojës së punonjësve në kompani, si motivimi dhe disponimi emocional individual si dhe i tërësisë së grupit, rendimenti i angazhimit në proceset punës dhe kënaqësia në punë. Për shembull, përjetimi i lumturisë në vendin e punës mund të rrisë produktivitetin e punonjësve me 12 për qind.
Praktikat që ndikojnë negativisht në kulturën e vendit të punës dhe promovojnë një dinamikë toksike të ekipit mund ta drejtojnë një organizatë në drejtim të kundërt nga vizioni i saj, duke e bërë të vështirë punësimin dhe mbajtjen e punonjësve të mirë. Kultura e punës ndodh të formohet natyrshëm brenda çdo organizate dhe ndonjëherë ndodh të formohet në një trajtë të atillë që shërben në dëm të biznesit. Lejimi i sjelljeve negative dhe qëndrimeve toksike do të kultivojë një përvojë pune të pafavorshme. Kulturat toksike të vendit të punës u kushtojnë punëdhënësve amerikanë pothuajse 50 miliardë dollarë qarkullim në vit.
Kultura e punës jo vetëm që udhëzon punonjësit në vendin e punës, por gjithashtu udhëzon klientët nëse duan të bëjnë biznes me ju.
Elementet e kulturës në vendin e punës
Studimet nga MIT Sloan School of Management dhe CultureX bazuar në të dhënat e Glassdoor identifikuan 10 elementët e mëposhtëm të kulturës së punës që punonjësit merrnin në konsideratë dhe i kishin shumë të rëndësishme:
Të ndjerit i respektuar
Pasja e një udhëheqjeje mbështetëse
Veprime të liderëve që përputhen me vlerat thelbësore
Menaxherë që nxisin një mjedis pune toksik
Dëshmimi i sjelljeve joetike
Shpërblimet
Përparësitë dhe komoditetet
Mundësitë për mësim dhe zhvillim profesional
Siguria e punës
Frekuenca dhe cilësia e ndryshimeve dhe riroganizimeve
Lexo edhe: 10 gabimet që bëjnë liderët me punonjësit e tyre
Punonjësit raportojnë se e përjetojnë kulturën e vendit të punës më së shumti përmes qasjes së punëdhënësve ndaj performancës të tyre, lidhjeve domethënëse dhe aktiviteteve argëtuese si dhe misionit dhe vlerave të kompanisë, sipas një sondazhi Quantum Workplace të vitit 2022. Këta elementë themelorë të kulturës së punës përfshijnë sigurimin që punonjësit të ndiejnë se kontributet e tyre individuale vlerësohen dhe zëri i tyre po dëgjohet.
Të anketuarit zakonisht përdornin fjalë si “fleksibël”, “përfshirës”, “miqësor”, “bashkëpunues” dhe “argëtues” për të karakterizuar “kulturat ideale të vendit të punës”. Shumica e punonjësve thonë se përcaktimi dhe komunikimi i kulturës fillon me liderët dhe menaxherët. Por më shumë se gjysma i shohin punonjësit në të gjitha nivelet si kontribues individualë në formësimin e kulturës.
Si të krijoni një kulturë pozitive në vendin e punës
Shumica e njerëzve thonë se mund ta kuptojnë brenda harkut kohor të një muaji nëse kultura e një kompanie do të jetë e përshtatshme për ta, dhe shumë madje thonë se u mjafton më pak se një javë. Komponentët përgjegjës për ndërtimin e një kulture pune të shëndetshme dhe mikëpritëse janë listuar më poshtë:
- Përcaktimi dhe komunikimi i vlerave themelore: Këto duhet të jenë themeli i gjithçkaje që ndodh në organizatën tuaj dhe pika e referencës për çdo vendimmarrje dhe proces pune. Dedikoni sa më shumë kohë që të jetë e nevojshme për të siguruar që të gjithë janë në shinat e vlerave tuaja, dhe përfshini në këtë kontroll edhe drejtuesit, punonjësit afatgjatë ne kompani si dhe përfaqësuesit e HR-së në mënyrë që të gjitha palët të kenë mundësi të shprehin mendimin e tyre. Pra kini parasysh të krijoni dhe komunikoni një listë të shkurtër të vlerave themelore që reflektojnë saktësisht kulturën aktuale të kompanisë dhe objektivat tuaj afatgjatë.
2. Angazhimi për një lloj kulture pune: Mendoni për llojin e kulturës së punës që dëshironi të krijoni. Konsideroni gjithçka për ta realizuar atë, që nga dizajni fizik i zyrës deri te sa shpesh punonjësit ndërveprojnë me kolegët, menaxherët. Nga aty, mund të filloni të dizajnoni politika dhe praktika konkrete që lehtësojnë këto ndërveprime dhe përvoja të dëshiruara të punonjësve.
3. Vendosja e qëllimeve të qarta për departamentet: Përcaktoni objektivat e secilit ekip në mënyrë që punonjësit të kenë rezultate konkrete për të cilat mund të punojnë për ti arritur. Kjo jo vetëm që do të ndihmojë në udhëheqjen e performancës individuale, por do të inkurajojë bashkëpunimin midis anëtarëve të ekipit. Sigurohuni që të ketë hapësirë për reagime për të përshtatur organizimin e punës dhe KPI-të kur është e nevojshme.
4. Komunikimi i qëllimeve të përgjithshme të organizatës: Përveç vendosjes së qëllimeve të departamenteve, sigurohuni që çdo punonjës të jetë i qartë për objektivat afatgjatë të organizatës. Kjo do të ndihmojë individët të kultivojnë një ndjenjë qëllimi profesional. Të kesh një burim motivimi përtej objektivave tremujore do të tregojë vlerën që ka secili në arritjen e misionit të kompanisë.
5. Promovimi i diversitetit dhe përfshirjes: Krijoni një kulturë pune pozitive dhe përfshirëse duke mirëpritur individë nga të gjitha fushat dhe duke vlerësuar dallimet mes tyre. Inkurajoni punonjësit të ndërveprojnë me pjesën tjetër të ekipit për të promovuar gjuhën përfshirëse dhe harmonike në grup. Bashkëpunoni me departamentin e HR-së për ta bërë diversitetin pjesë të strategjisë suaj të rekrutimit dhe sigurohuni që diversiteti dhe përfshirja të vazhdojnë të jenë elemente themelore ndërsa organizata juaj rritet.
6. Inkurajoni të gjithë punonjësit të ndajnë idetë e tyre: Çdo individ duhet të ndihet i vlerësuar dhe i dëgjuar, pavarësisht nga statusi i tyre brenda kompanisë. Ju kurrë nuk e dini se nga ku do të vijë ideja e madhe e radhës, kështu që lejoni që çdo punonjës të ketë një vend në tryezë dhe të ndihet i fuqizuar për të ndarë mendimet e tij.
7. Vendosja e një politike të rreptë të tolerancës: Një aspekt thelbësor i një kulture pozitive pune është ofrimi i mundësisë për punonjësit që të flasin hapur për çështjet me të cilat po përballen – brenda dhe jashtë zyrës – dhe të ketë një qasje mbështetëse për ta dhe burimet e nevojshme. Sigurohuni që përfaqësuesit e HR-së të kenë fleksibilitet brenda orarit të tyre për të qenë të disponueshëm për biseda personale me punonjësit kur është e nevojshme.
8. Krijoni një program të njohjes dhe ndërveprimit të punonjësve: Njihni kontributin dhe vlerat e punonjësve si dhe shpërbleni punonjësit për përmbushjen e rezultateve . Kjo do të inkurajojë punonjësit të vazhdojnë të performojnë në nivele gjithnjë e më të larta dhe do t’i bëj të ndihen të vlerësuar brenda kompanisë. Gjithashtu do të motivojë kolegët e tyre të përmirësojnë punën e tyre, duke krijuar një kulturë pune me fryme të konkurrencës miqësore që çon në performancë të lartë.
9. Pranoni dhe përdorni feedback-un e punonjësve tuaj: Në vend që ta konsideroni feedback si një tregues të diçkaje që po bëni gabim, mendoni për të të kundërtën – punonjësit tuaj kujdesen aq shumë për organizatën dhe suksesin e saj sa që po përpiqen ta ndihmojnë atë të bëhet më e mirë. Ata po zgjedhin të sjellin në vëmendjen tuaj pikëshikimet e tyre nga procesi i përditshëm i punës dhe kjo ju jep mundësinë për t’i rregulluar ato në vend që punonjësi të mbetet i mërzitur dhe eventualisht të largohet nga kompania nga zhgënjimi dhe mbingarkesa.
10. Jini fleksibël: Punonjësit nuk duhet të ketë druarje për vërejtje të mundshme nga mos angazhimi për realizimin e detyrave urgjente ose që lidhen me përgjegjësi jashtë profilit të tyre të punës. Ju do të fitoni respektin e punonjësve tuaj duke bërë kompromise dhe marrëveshje në vend që t’u kërkoni atyre të sakrifikojnë jetën e tyre personale në emër të produktivitetit dhe punës. Jo vetëm kaq, por oraret fleksibël mund t’ju ndihmojnë të tërhiqni kandidatë elitarë – 81% e kërkuesve të punës dhe punonjësve me kohë të plotë duan një javë pune të përbërë prej katër ditësh.
11. Jini transparent: Punonjësit e angazhuar investojnë tërë energjitë e tyre në suksesin e kompanisë, dhe ata meritojnë besimin e ekipit tuaj udhëheqës. Promovoni transparencën dhe komunikimin e hapur midis drejtuesve të departamenteve, menaxhmentit dhe anëtarëve të ekipit. Duke bërë këtë, do të krijoni një kulturë pune pozitive ku punonjësit ndihen të dëgjuar dhe të vlerësuar.
12. Planifikoni aktivitete sociale: Njerëzit janë qenie sociale që kërkojnë ndërveprim. Krijoni një mundësi për të njohur njëri-tjetrin në punë si dhe jashtë punës për të nxitur marrëdhënie kuptimplota midis punonjësve. Mund ta realizoni atë në mënyrë të thjeshtë duke organizuar një ‘orë të lumtur’ të premten në zyrë. Jini kreativ. Merrni kohën tuaj për të reflektuar mbi informacionet që keni në dispozicion për të gjetur mënyra autentike si mund të bëni ndryshime të reja në kulturën tuaj të punës për ti bërë punonjësit më të përmbushur dhe të motivuar për punën që bëjnë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.