Kujdes "thyerjen" e marrëdhënies me klientin - Business Magazine Albania

Kujdes “thyerjen” e marrëdhënies me klientin


Ofrimi i shërbimeve, qofshin ato teknologjike apo të natyrave të tjera, është një fushëbetejë e tejngopur me ofertues të këtyre shërbimeve që proklamojnë bindur se kanë një numër shumë të madh klientësh të kënaqur. Ndryshe flasin klientët e tyre. Në një treg, ku numri i blerësve është relativisht i kufizuar, është e pamundur të ecet përpara me procese të fundme marrëdhëniesh me klientin. Modeli modern i një cikli të suksesshëm marrëdhënieje nënkupton identifikimin e klientëve me të cilët të krijohet një bashkëpunim afatgjatë dhe të ndërtohet një besim i ndërsjelltë, që do ta bënte klientin të rekomandonte më gjerë të njëjtin ofertues.

Për ofertuesit e shërbimeve, të ardhurat mbeten parësore. Ndaj duhet të forcohet kultura e një marrëdhënieje afatgjatë me klientët, e cila shkon përtej kontratës aktuale. Një klient i kënaqur nga një shërbim i mëparshëm është më i lehtë për t’u rifituar. Puna bëhet më shpejt për shkak të njohjes së terrenit paraprakisht dhe angazhimi me të ka më pak kosto.

Rekomandimet janë domethënëse dhe nëse dikush i referohet një klienti të pakënaqur, gjasat që klienti të kërkojë shërbime tek i njëjti ofertues janë pothuaj zero. Eksperiencat e këqija “vrasin” raportin e mirëbesimit midis ofertuesit dhe klientëve, reputacionin e markës dhe ulin të ardhurat.

Ja disa faktorë kritikë të kësaj marrëdhënieje:

1-Studim dhe hulumtim rreth industrisë ku operon klienti aktual apo potencial me qëllim përfitimin e njohurive mbi sfidat më kritike dhe objektivat strategjikë të sektorit.

2- Pozicionimi si një konsulent i besuar që flet në anën e klientit dhe përfaqëson zërin e tij brenda ofertuesit të shërbimit. Kjo aktualizohet përmes të dhënave faktike dhe dijes së fituar nga eksperienca të ngjashme, të vëna në përdorim të klientit aktual apo potencial.

3-Krijimi i ekspertizës mbi rrjetin e klientit dhe proceset që preken nga shërbimi që po ofron. Veçanërisht në IT, proceset që preken nga ndryshimet kanë shpesh nevojë të ri-inxhinierohen dhe aktorët e prekur të trajnohen duke marrë parasysh ndryshimin e kulturës dhe proceseve të punës që sjell transformimi i cikleve ekzistuese.

4- Qëndrimi aktiv përgjatë zhvillimit të shërbimit duke mbajtur komunikime konstante për të siguruar mbarëvajtjen e procesit. Në shumë raste, klientët nuk shohin proceset e ndërmjetme dhe duhet të bazohen vetëm në fjalët e ofertuesit për të ndjekur statusin. Rreziku është që nëse klienti nuk ndjehet i përfshirë dhe nuk sheh elementë të prekshëm edhe gjatë proceseve të ndërmjetme, mund të krijohen mosmarrëveshje nëse çfarë raportohet nuk përputhet me përvojën që klienti merr ndërkohë.

Lexo: Content, fjala kyçe e Konferencës së Marketingut Dixhital ALLWeb

Prania e një qendre të vetme informacioni, e cila të jetë e përbashkët, e përdorshme nga të dyja palët, e paanshme dhe transparente, do të shërbente si pikë referimi për matjen e progresit dhe performancës.

Piktura e madhe e tregut të sotëm ka nuanca të pafundme, por ngjyrat e përbashkëta të të gjithë klientëve janë pritshmëria dhe skepticizmi i lartë. Nëse i kushtohet rëndësi vetëm ofrimit të shërbimit bazë dhe lihet pas dore kurimi i marrëdhënies dypalëshe, rrezikohet jetëgjatësia e këtij raporti.

Duke u fokusuar tek mekanizmat e rinj të teknologjisë për të siguruar transparencë dhe efektivitetit të komunikimit midis palëve dhe duke vendosur marrëdhëniet e nevojat njerëzore në qendër të procesit, beteja e përditshme për të siguruar besnikërinë e klientëve bëhet më e lehtë për t’u fituar.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #37 - Prill 2025

Mendo lokalisht, vepro globalisht

Viti 2025 vjen me sfida dhe mundësi të mëdha në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Turizmi shqiptar po përjeton një rritje të jashtëzakonshme, ku duket se pas një prezantimi mbresëlënës në ITB Berlin, Shqipëria është gati të pozicionohet si një destinacion i rëndësishëm në hartën botërore me një ofertë të larmishme turistike. Paralelisht, tregu i pasurive të paluajtshme po përballet me ndyshime të shumta, ku investimet strategjike dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë kyç për suksesin e këtij sektori.
Teknologjia vazhdon të transformojë mënyrën se si jetojmë dhe punojmë. Inteligjenca Artificiale nuk është më thjesht një mjet ndihmës, por një faktor vendimtar që po shkruan rregulla të reja në çdo industri.

Bota përballë sfidës së krijimit të një axhende më humane për Inteligjencën Artificiale – si mund ta vendosim atë në shërbim të njeriut, pa e shndërruar në një rrezik për demokracinë dhe ekonominë globale? Ndërsa jetojmë në një botë që ndryshon vazhdimisht, shohim sesi Fintech është një realitet i padiskutueshëm që po lehtëson ditë pas dite jetën dhe veprimtarinë e bizneseve dhe individëve. Ajo që konfirmojmë me siguri në këtë edicion është sesi bizneset shqiptare po përqafojnë gjithnjë e më shumë një qasje europiane në menaxhim, kulturë, lidership dhe investime, duke u nxitur drejt inovacionit dhe …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0