Shqipëria ka rreth 5 vjet që ka ndryshuar pozitivisht imazhin e saj përsa i përket mundësive për të bërë biznes. Këtu i referohem jo për kompanitë multinacionale të cilat bëjnë ujdi direkte me qeverinë shqiptare ose me ministrat direkt, por për ato qindra e mijera kompani të mesme e të vogla të cilat prej më shumë se 20 viteve shohin nëpër Europë se ku mund te zhvillojnë aktivitetin e tyre në mënyrë të sigurt dhe të suksesshme.
Rritja e imazhit të Shqipërisë nuk është falë vetëm punës së qeverive shqiptare por edhe për…
faktin që situata në shumë vende europiane është përkeqësuar së shumti dhe ka detyruar shumë biznesmen-ë të vegjël dhe të mesëm të lëvizin nëpër Europë për të gjetur mundësi të reja.
Qeveria shqiptare duhet me doemos të përfitojë nga kjo mundësi duke i tërhequr sa më shumë këtë fluks biznesesh duke pasur parasysh që të gjitha shtetet europiane janë në kërkim të joshjes dhe tërheqjes së kësaj kategorie. Suksesi qëndron në mënyrën se si do të veprohet për të arritur këtë kategori. Pikë së pari vendimet ekonomike e fiskale të qeverisë shqiptare duhet me doemos të kenë parasysh edhe situaten ekonomike dhe fiskale të vendeve fqinje sepse ato përbëjnë konkurentët tanë në këtë garë. Duhet të kemi parasysh që Serbia, Maqedonia e Bosnja kanë shumë Zona të Lira (Free Zone) tek të cilat i vihet në dispozicion investitorëve që sjellin biznese strategjike për ekonominë e vendit të tyre shumë lehtësira si për shembull, Kapanone dhe logjistike konkurruese me çmime simbolike, ulje të taksave deri në zero në rastet kur fitimi ri-investohet në kompani për rinovimin e teknologjisë dhe hapjen e vendeve të tjera të punës.
Një rast konkret eshte Zona e Lirë në Kragujevac të Serbisë ku shteti serb e vuri në dispozicion total të kompanisë FIAT. Eshtë fakt konkret se vetëm ardhja e Fiat ne Kragujevac solli dhe tërheqjen e shumë firmave të tjera italiane në Klagujevac duke krijuar një sektor strategjik si ai i automobilëve dhe si pasojë krijimin e të ardhurave për ekonominë lokale dhe vende pune të këtij specialiteti.
Gjithashtu, shumë vende të rajonit kanë taksa të ulëta, për shembull, Bullgaria edhe pse në BE ka tatim mbi fitimin 10%, të njëjtën gjë dhe Hungaria, ndërkohë që Mal i Zi ka vetëm 9% tatim mbi fitimin. Qeveria shqiptare duhet të ketë parasysh dhe trendet e vendeve të rajonit para se të marrë vendime fiskale të kësaj natyre. Pasi dihet se zakonisht rritja e taksave sjell vjelje më të ulët të tyre, mjafton të marrim si shembull vendet si Greqia dhe Italia ku sa herë që qeveria vendos për rritje të taksave hyrjet janë më të ulëta sesa parashikimet duke sjellë një përkeqësim të situatës ekonomike dhe largimin masiv të investitorëve vendas dhe të huaj.
Qeveria shqiptare duhet të ketë parasysh edhe cilat janë pikat e forta dhe ato të dobëta të ekonomisë tonë dhe cilat biznese janë më të përshtatshme për tu kryer në Shqipëri.
Mënyrat e vjetra të komunikimit për tërheqjen e kësaj kategorie kanë dhënë rezultate të dobëta, kam parasysh vizitat e ministrave shqiptare nëpër Itali dhe Europë për të inkurajuar ardhjen në Shqipëri ose raporte midis dhomave të tregtisë apo të shoqatave të bizneseve me vende të ndryshme.
Një vend i vogël si Shqipëria duhet të diversifikojë ekonominë e saj në mënyrë që të vetëmbrohet nga krizat botërore siç është tani ajo e rënies së çmimeve të lëndëve të para që për Shqipërinë do të thotë ulje e të ardhurave në mbi 30% të eksporteve apo industria e fasonëve e cila është e rëndësishme për një fazë tranzicioni për të rritur numrin e të punësuarve por gjithashtu nuk ka një vlerë afat gjatë për ekonominë shqiptare sepse ky sektor punon vetëm në vendet me të ardhura të ulëta për frymë përndryshe spostohet në vende më të varfëra.
Shqipëria duhet të tërheqë bizneset jo vetëm përpunuese të lëndëve të para por edhe të ofrohet si hub apo platformë komerciale( trading) apo financiare. Është e vërtetë që nuk është e lehtë që Shqipëria të futet në garë me shtete të tjera në këtë sektor siç është Austria, Zvicra, Malta apo Hungaria, megjithatë Shqipëria mund të tregohet interesante duke ofruar pozitën strategjike të saj dhe përmirësimi i infrastrukturës siç janë portet detare dhe rrugët që depërtojnë në Ballkan. Çelësi i suksesit mbetet Liberalizimi i sistemit ekonomik e financiar domethënë përdorimi i rregullave bazë në sistemin ekonomik e financiar dhe liri biznesi. Shembulli më konkret i kësaj teorie është Hungaria, e cila rreth viteve 2008 ishte drejt kolapsit ndërsa sot është një katalizator që tërheq gjithë investimet e huaja falë thjeshtimit të sistemit dhe të proçedurave madje duke vënë në krizë ekonomitë e vendeve të saja fqinje si Austria, Çekia dhe Slovakia.
* Konsulent Financiar, JZF Group, Partner
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.