Dy vitet e fundit (2014-2015), investimet në hidrokarbure (kryesisht Bankers) përbënin rreth 40% të totalit të investimeve të huaja. Për krahasim, në janar-qershor 2014, investimet kapitale të Bankers ishin 132 milionë dollarë, apo mëse 6 herë më të larta se në të njëjtën periudhë 2016.
Frenimi i Bankers pritet të lërë zbuluar një pjesë të rëndësishme të investimeve të huaja dhe të zbehë shpresat e qeverisë për një hyrje të kapitalit në vend, teksa sipërmarrjet e reja të mëdha me kapital të huaj po mungojnë. Vërtet vitin e kaluar u hapën 694 sipërmarrje të reja me pronarë të huaj, por sipas INSTAT, 507 kishin më pak se 4 punonjës, apo 73% e tyre, duke qenë kryesisht biznese të vogla që nuk sjellin investime të mëdha. Vetëm 43 sipërmarrje të reja të huaja që kanë mbi 50 punonjës janë hapur vitin e kaluar. Pjesa më e madhe e ndërmarrje të huaja janë italiane, kryesisht call center, që duan një kapital minimal për t’u hapur.
Taksat më të larta në rajon, mungesa e incentivave (Serbia psh ndonëse ka taksa të krahasueshme me ne ofron subvencione për investitorët), klima e rënduar e investitorëve aktuale, që po thuhet hapur nga gjithë dhomat e huaja, janë disa nga arsyet që po mbajnë larg investitorët e huaj.
Investimet e huaja ishin 152 milionë euro në tremujorin e parë, nga 261 milionë euro në janar-mars 2015 dhe 222 milionë euro në tremujorin e parë 2014, sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë. Shtesa e kapitalit të bankave, një tjetër element që nxiti investimet në 2015-n, ishte gati 50% më e ulët në gjashtëmujorin e parë 2016, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas statistikave të pasiveve të sistemit, të publikuara nga Banka e Shqipërisë (8 miliardë lekë, nga 15.3 mld lekë që ishte shtesa në janar-qershor 2015). Licenca celulare, që i dhanë hov investimeve të huaja në gjysmën e parë të 2015-s, nuk janë dhënë në muajt e parë të këtij viti.
Shpresa e vetme për qeverinë mbeten dy investimet e mëdha strategjike për momentin, gazsjellësi TAP dhe HEC-i i Devollit.
Të dhënat e investimeve të huaja për tremujorin e dytë pritet të publikohen në shtator nga Banka e Shqipërisë.
Burimi: monitor.al
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto