Krishtlindje më të shtrenjta, si po ndikon ndryshimi klimatik te ushqimet festive - Business Magazine Albania

Krishtlindje më të shtrenjta, si po ndikon ndryshimi klimatik te ushqimet festive

Me afrimin e Krishtlindjeve, raftet e supermarketeve mbushen me produkte të dashura për tryezat festive: gjel deti, patate, kanellë dhe çokollatë. Por këtë vit, shumë konsumatorë kanë vënë re se çmimet janë më të larta ose se disa produkte janë më të vështira për t’u gjetur.

Arsyeja kryesore lidhet me ndikimin gjithnjë e më të fortë të ndryshimeve klimatike, të cilat kanë goditur përbërës kyç të ushqimeve festive, duke ulur ndjeshëm prodhimin ose duke detyruar fermerët të përshtasin mënyrat e kultivimit.

Krizë për përbërësit e ëmbëlsirave të Krishtlindjeve

Pjekja e ëmbëlsirave është një traditë e dashur festive në mbarë botën, nga biskotat me xhenxhefil te tortat e Krishtlindjeve dhe rolet me kanellë. Megjithatë, disa prej përbërësve kryesorë po bëhen gjithnjë e më të rrallë.

Sipas një raporti të ri nga The Weather Channel, presioni klimatik po ndikon si në disponueshmëri, ashtu edhe në çmimin e kakaos, vaniljes, kanellës dhe kallamit të sheqerit. Këto kultura janë ndër më të ndjeshmet ndaj ndryshimeve klimatike.

Vanilja, e prodhuar kryesisht në Madagaskar, është veçanërisht e ekspozuar ndaj cikloneve dhe valëve të të nxehtit. Ndërkohë, kallami i sheqerit dhe panxhari i sheqerit vuajnë nga thatësirat, përmbytjet dhe temperaturat ekstreme, ndërsa kanella rritet vetëm në disa zona tropikale me ekosisteme të brishta.

Kakaoja është një nga produktet më të prekura. Ajo kërkon temperatura, lagështi dhe reshje të qëndrueshme, por rreth 97% e prodhimit global vjen nga vende me aftësi të ulëta ose mesatare për t’u përshtatur ndaj dëmeve klimatike. Modelet klimatike paralajmërojnë se deri në vitin 2050, deri në 50% e tokave aktuale për kultivimin e kakaos mund të bëhen të papërshtatshme.

Gjel deti më i shtrenjtë në një klimë më të nxehtë

Ndryshimet klimatike po ndikojnë edhe te mishi i gjelit të detit. Sipas organizatës britanike Which?, çmimi i gjelit të freskët të Krishtlindjeve në Mbretërinë e Bashkuar është rritur me 4.7% krahasuar me vitin e kaluar.

Temperaturat më të larta gjatë verës po stresojnë shpendët, duke i bërë të humbasin peshë dhe duke rritur kostot e prodhimit. Çmimet po ndikohen gjithashtu nga faturat e larta të energjisë, pasi inkubatorët për zogjtë konsumojnë sasi të mëdha gazi.

Në Shtetet e Bashkuara, popullata e gjelave të egër ka rënë me rreth 18% midis viteve 2014 dhe 2019, ndërsa edhe gjelat e rritur në ferma po përballen me nxehtësinë dhe rritjen e çmimeve të ushqimit për shkak të dështimeve të të korrave.

Lexo edhe: Shqipëria po humbet popullsinë me ritme alarmante, shumë mbi mesataren e Rajonit

Krishtlindje pa të gjitha shoqërueset tradicionale?

Edhe perimet klasike të tryezës festive po vuajnë pasojat e klimës. Thatësira uli prodhimin e qepëve në Mbretërinë e Bashkuar me 30% në vitin 2023, ndërsa në veriperëndim të SHBA-së prodhimi ra me 8% për shkak të valëve ekstreme të të nxehtit.

Nga ana tjetër, reshjet e dendura kanë dëmtuar prodhimin e patateve në Belgjikë, Holandë, Francë dhe Britani. Në vitin 2023, rreth 15% e patateve në Holandë mbetën pa u korrur për shkak të përmbytjeve, duke shkaktuar rritje çmimesh gjatë sezonit festiv.

Edhe lakrat e Brukselit janë nën kërcënim. Temperaturat më të larta favorizojnë përhapjen e dëmtuesve, siç ndodhi në vitin 2016 kur një “super-dëmtues” shkatërroi deri në 60% të prodhimit për disa fermerë.

Ndryshimet e mëdha të temperaturës po ndikojnë gjithashtu në cilësinë e prodhimit, duke bërë që perimet tradicionale të Krishtlindjeve të jenë më të vogla dhe më të pakta, një tjetër sinjal se kriza klimatike po ndryshon edhe tryezat tona festive.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0