Krijohet superdruri, 10 herë më i fortë se çeliku - Business Magazine Albania

Krijohet superdruri, 10 herë më i fortë se çeliku

Një kompani amerikane ka krijuar një lloj të ri druri që, sipas saj, ka deri në 10 herë më shumë raport forcë–peshë se çeliku, duke qenë njëkohësisht deri në gjashtë herë më i lehtë. Ky material i ri, i quajtur “Superwood” (Superdruri), po hyn në tregun komercial përmes kompanisë InventWood, e themeluar nga shkencëtari i materialeve Liangbing Hu.

Hu, aktualisht profesor në Universitetin Yale, e nisi kërkimin e tij mbi drurin mbi dhjetë vjet më parë, në Qendrën për Inovacionin e Materialeve në Universitetin e Maryland-it. Ai kishte një qëllim të qartë: ta bënte drurin më të fortë se kurrë më parë, duke përmirësuar një material që njerëzimi e ka përdorur për mijëra vjet. Në procesin e tij kërkimor, Hu arriti madje ta bënte drurin transparent, duke hequr një pjesë të ligninës, përbërës që i jep drurit ngjyrën dhe një pjesë të fortësisë së tij.

Megjithatë, synimi kryesor i tij ishte forcimi i drurit përmes celulozës, përbërësit kryesor të fibrave bimore, i cili është “biopolimeri më i bollshëm në planet”. Pika e kthesës erdhi në vitin 2017, kur Hu dhe ekipi i tij arritën ta trajtonin drurin kimikisht për të përmirësuar celulozën natyrore, duke krijuar një material ndërtimi shumë më të qëndrueshëm.

Procesi përfshin zierjen e drurit në një përzierje uji dhe kimikatesh të caktuara, e më pas shtypjen me nxehtësi për ta bërë atë më kompakt në nivel qelizor. Rezultati është një material shumë më i dendur, me një forcë që tejkalon shumicën e metaleve strukturore, sipas studimit të botuar në revistën Nature.

Pas më shumë se 140 patentave dhe përmirësimeve të shumta, Hu dhe InventWood e kanë bërë procesin më të shpejtë, duke e kthyer në prodhim industrial. Sipas drejtorit ekzekutiv të kompanisë, Alex Lau, Superdruri “duket dhe sillet si dru i zakonshëm, por është më i fortë dhe më i qëndrueshëm në çdo aspekt të testuar”.

Në ndërtim, Superdruri mund të mundësojë struktura deri në katër herë më të lehta, gjë që do t’i bënte godinat më rezistente ndaj tërmeteve dhe më të lehta për t’u ngritur mbi themele. Ai është gjithashtu 20 herë më i fortë dhe 10 herë më rezistent ndaj gërvishtjeve sesa druri i zakonshëm, për shkak se struktura e tij poroze është eliminuar. Kjo e bën atë të paprekshëm nga kërpudhat dhe insektet, ndërsa testet zyrtare e kanë vlerësuar me rezistencë të lartë ndaj zjarrit.

Në fillim, InventWood synon përdorimin e Superdrurit në mbulesa të jashtme, tarraca dhe fasada, përpara se ta zgjerojë në brendësi banesash, si dysheme, panele muresh dhe mobilje. Lau shpjegon se shumë mobilje dëmtohen nga pjesët metalike që dobësohen me kohën,  një problem që Superdruri mund ta zgjidhë, duke zëvendësuar madje edhe vida, gozhda e mbërthyes metalikë.

Megjithëse aktualisht kushton më shumë se druri i zakonshëm dhe ka një gjurmë më të madhe karboni në prodhim, kompania thekson se prodhimi i tij emeton 90% më pak karbon sesa çeliku. Synimi i saj nuk është të jetë më i lirë se druri, por të konkurrojë me çelikun në cilësi dhe performancë.

Ekspertët e arkitekturës, si profesori australian Philip Oldfield, e shohin këtë si një hap të madh drejt ndërtimit më të qëndrueshëm, pasi ndërtimet me dru ruajnë dioksid karboni për periudha të gjata. Sipas tij, pengesa kryesore nuk është mungesa e forcës, por hezitimi i industrisë për të pranuar teknologji të reja.

techcrunch

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.



Na Suporto
✨ Thënia e ditës
“Ti jeton vetëm një herë, por nëse jeton ashtu si duhet, edhe një herë mjafton.”
— Mae Uest
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0