Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca zhvilloi një takim me përfaqësues të Shoqatës së Prodhimit të Bukës, Brumërave dhe Pastiçerive, në ambientet e MBZHR-së, ku diskutoi mbi ecurinë e këtij sektori, nevojat që ata kanë dhe vizionin për të mbështetur këtë industri.
Krifca theksoi se, industria e prodhimit të bukës në vend është një nga sektorët më të rëndësishëm, jo vetëm për sigurinë ushqimore, por edhe për punësimin.
Ministrja vuri në dukje se, prodhuesit e bukës në Shqipëri janë të mirëorganizuar në një shoqatë të tyre.
“Bizneset e këtij sektori prodhojnë 100 % bukë artizanale me receta tradicionale që janë mjaft të pëlqyera nga konsumatorët dhe kjo industri jep një kontribut të rëndësishëm në punësimin e të rinjve dhe grave”, tha Krifca.
“Këtë produkt që e prodhojmë me shumë pasion dhe dashuri, duhet t’i japim një vlerë edhe në aspektin e promovimit dhe të bëjmë në fakt atë që po bëjmë edhe me produktet e tjera që po certifikojmë, për sa i takon recetave autentike tradicionale, apo të certifikuara dhe regjistruara sipas emërtimit të origjinës”, u shpreh ministrja.
Krifca shprehu mbështetjen për prodhuesit e kësaj industrie, që për recetat që ata prodhojnë dhe kanë një traditë shumëvjeçare, do t’i japë vlerën e caktuar asaj recete duke e mbrojtur, certifikuar dhe promovuar këtë recetë ndërkombëtarisht.
Lexo: A po na bëjnë mediat sociale më pak shoqëror dhe më shumë të vetmuar?
“Diskutuam gjerësisht mbi ecurinë e punës në sipërmarrjet e tyre, bashkëpunimin me ministrinë në rolin e politikëbërësit të sektorit, por dhe institucionet e varësisë që sigurojnë garantimin e sigurisë ushqimore dhe cilësisë së produkteve kaq të rëndësishme për tryezat e familjeve tona”, tha ministrja.
Krifca u shpreh e hapur për të bashkëpunuar me sipërmarrësit e këtij sektori dhe hodhi idenë për organizimin e një forumi dedikuar kësaj industrie, për të diskutuar mbi prodhimin e bukës, si dhe ndoshta edhe për organizimin e një “Panairi të bukës”.
Ajo theksoi se nevoja e konsumatorëve tanë është që dëgjojnë dhe njohin se në këtë sektor ka edhe inovacion, traditë, por edhe diversitet prodhimi.
Gëzim Peshkopia, kryetari i Shoqatës së Brumërave dhe Pastiçerive, në fjalën e tij bëri një përshkrim të shkurtër rreth shoqatës e cila është krijuar në 1998.
“Sipërmarrësit e këtij sektori janë të shtrirë në të gjithë Shqipërinë dhe ajo përfaqësohet nga prodhuesit më në zë të pastiçerisë, bukës dhe brumrave”, tha ai.
“Shoqata ka kryer studime të mirëfillta për prodhimin e bukës sipas zonave, ndërsa është shkruar në një revistë të madhe në Gjermani për bukën e prodhuar në Shqipëri, ku spikati interes i shtuar për bukën me qiqra të zonës së Korçës, por edhe të zonave të tjera të Shqipërisë”, theksoi Peshkopia, teksa vlerësoi tryezën e diskutimit me ministren Krifca, për një hov të ri në mbarëvajtjen e punës së kësaj industrie.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.