Krahasuar me një muaj më parë, financimi i dhënë nga bankat është rritur lehtësisht me 0.3%. Ai përkon me një vlerë prej 1.6 miliardë lekë. Në fakt, kredia vlerësohet të jetë rritur më shumë, por fshirja e kredive të humbura nga bilancet e bankave ka vijuar edhe në nëtor, duke bërë që stoku i kredisë së llogaritur në total të jetë vetëm pak më shumë se një muaj më parë.
Prej muajsh, Banka e Shqipërisë raporton një rimëkëmbje te kredia për individët. Ndërsa së fundi, shenjat e gjallërimit duken edhe tek financimi i biznesit. Të dhënat e sapo publikuara tregojnë se ka rritje mujore të financimit si për individët edhe bizneset.
Por, këto mbeten shenja të zbehta gjallërimi dhe në rrezik të lartë për t’u dobësuar nëse nuk krijohet një qëndrueshmëri për disa muaj resht. Ndaj, bilanci i financimit nuk rezulton më i lartë se një vit më parë.
Parë në një këndvështrim më të gjerë, kredia e dhënë vijon të mbetet pothuaj vend numëro, pasi stoku i kredisë është rritur vetëm 0.1% krahasuar me një vit më parë. Edhe në këtë rast, vlen të përmendet fshirja e një pjesë kredish të humbura nga bilancet e bankave.
Por, ajo çka mbetet është se kredia e re dhënë në një vit, nuk arriti të jetë dukshëm më e lartë se kredia e fshirë. Dy vitet e fundit, gjithsesi, janë mbyllur me vlera pozitive financimi (ndonëse minimale, pasi nuk e kalojnë rritjen 1%).
2017-a është viti me uljen më të fortë të kredive me probleme, duke bërë që kreditë të kenë nivelin më të ulët të 7 viteve të fundit. Në mes të vitit 2014 kreditë me probleme arritën në një të katërtën e totalit të kredive. Sipas të dhënave të fundit të Bankës së Shqipërisë kredia me probleme një muaj më parë ishin më pak se 15% e totalit të financimit në vend (saktësisht 14.45%).
Kreditë me probleme janë ato që nuk paguhen të paktën prej tre muajsh. Ky është niveli më i ulët që nga fillimi i vitit 2011. Kjo ka ardhur nga përmirësimi lehtësisht i kushteve financiare të biznesit dhe individëve.
Dy vitet e fundit, Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me institutcionet e tjera financiare, ka shtuar punën për të fshirë nga bilancet kreditë e humbura (ato që nuk kthehen prej tre vitesh). Kjo fshirje bëhet më shumë për të shëndoshur bilancet e bankave, (të cilat nuk paguajnë taksa për këtë pjesë) dhe nuk ka ndikim në gjendjen financiare të bizneseve borxhlie, apo individëve, pasi ato duhet të paguajnë gjithsesi.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se gjatë periudhës së reformimit janë fshirë 43 miliardë lekë kredi e humbur, ose një e treta e totalit të kredive të humbura. Aktualisht kredia e humbur është 80 miliardë lekë. Por, tregu vijon të përballet me sfidën e krijimit të kredive të tjera me probleme. Janë sipërmarrje e individë që shfaqin vonesa në pagesa dhe mund të kthehen shpejt në debitorë të këqinj.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.