Kontrollet e ISHMT: Tregu më i pastër, por alarm për lodrat e pasigurta - Business Magazine Albania

Kontrollet e ISHMT: Tregu më i pastër, por alarm për lodrat e pasigurta

Lodrat dhe produktet për fëmijë, që prindërit i blejnë me besimin se janë të sigurta, kanë qenë sërish nën lupën e Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut. Nga 279 lodra të testuara, tre nuk përmbushnin standardet e sigurisë, një detaj që ngre shqetësime, pavarësisht rezultateve pozitive në shumicën e produkteve të tregut.

Sipas raportit vjetor të Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut, në fokus të inspektimeve kanë qenë lodrat, detergjentët, tekstilet, veshjet e këmbës dhe produktet për fëmijë si karrocat, biberonat dhe takëmet. Nga inspektimet, janë vendosur gjithsej 12 masa administrative, përfshirë 11 gjoba dhe një paralajmërim.

Elementi më i ndjeshëm mbetet tregu i lodrave. Gjatë vitit 2024, ISHMT kreu 43 inspektime tek operatorët ekonomikë që importojnë apo shpërndajnë lodra. Nga 279 produkte të kontrolluara, 3 prej tyre rezultuan jo në përputhje me legjislacionin për sigurinë e lodrave. Për këtë shkelje është vendosur një gjobë administrative.

Lexo edhe: Xheni Vata: Si u kthye nevoja për ujin e pastër në një vizion sipërmarrës!

Ndërkohë, kontrolli i detergjenteve, një tjetër kategori që prek direkt konsumatorin, rezultoi pa shkelje. Nga 113 inspektime të zhvilluara në subjekte prodhuese dhe importuese, të gjitha 956 produktet e testuara ishin në përputhje me rregullat për etiketim dhe përbërje.

Sektori i tekstileve dhe veshjeve të këmbës gjithashtu ka treguar përputhje të plotë me standardet. ISHMT raportoi 47 inspektime për etiketimin e materialeve të këpucëve dhe 114 për produktet tekstile, ku asnjë produkt nuk rezultoi problematik.

Institucioni thekson se është përqendruar edhe tek produktet për fëmijë, ku janë inspektuar 181 artikuj si biberona, karroca dhe rrethore, të cilët kanë rezultuar konform standardeve të sigurisë.

Një tjetër prioritet ka qenë monitorimi i qeseve plastike, në zbatim të ndalimit ligjor të qeseve që nuk plotësojnë kriteret mjedisore. Për këtë kategori janë vendosur 2 masa gjobë për shkelje të legjislacionit.

Monitor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0