Konkurrenca në rritje nga Kina dhe pasiguria tregtare po ushtrojnë presion mbi rritjen ekonomike në rajonet ku vepron Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Sipas parashikimit më të fundit të bankës, disa vende të Evropës Qendrore, përfshirë Hungarinë, Rumaninë dhe Slloveninë kanë parë përkeqësim të perspektivave ekonomike, teksa tarifat tregtare dhe konkurrenca kineze po kufizojnë eksportet e tyre.
Rritja në 43 vendet ku BERZH investon u përshpejtua nga 2.8% në vitin 2024 në 3.3% gjatë gjysmës së parë të vitit 2025. Por pas kësaj periudhe më të fortë se pritej, banka parashikon një ngadalësim të ndjeshëm në pjesën e dytë të vitit në të gjitha rajonet ku operon, nga Azia Qendrore dhe Mesdheu Jugor e Lindor deri te Evropa Juglindore, Evropa Qendrore dhe shtetet baltike.Rreziqet kryesore lidhen me tensionet tregtare dhe rënien e kërkesës globale. Megjithatë, BERZH pret rimëkëmbje në vitin 2026. Sipas raportit të Perspektivave Ekonomike Rajonale, prodhimi pritet të rritet me 3.1% këtë vit dhe të arrijë 3.3% vitin e ardhshëm.
Kush u prek më shumë?
Sllovenia pa një ulje të fortë të parashikimit, me rritje prej vetëm 0.7% këtë vit, ndërsa eksportet drejt SHBA-së ranë ndjeshëm. Hungaria gjithashtu pësoi tkurrje në pritshmëri, me vetëm 0.5% rritje të parashikuar, e ndikuar nga mungesa e investimeve dhe fondet e ngrira të BE-së. Letonia dhe Estonia patën ulje përkatësisht me 0.9% dhe 0.8%.
Lexo edhe: ECB: Punë nga shtëpia, por jo pagë më e ulët për europianët!
Në të kundërt, Polonia doli me pritshmëri më të mira falë investimeve në infrastrukturë dhe projekteve të tranzicionit energjetik, ndërsa Lituania përfitoi nga një rishikim pozitiv për vitin 2026.
Në Evropën Lindore dhe Kaukaz, Ukraina pa ulje të parashikimit për shkak të agresionit rus dhe prodhimeve bujqësore të dobëta. Në Evropën Juglindore, përfshirë Bullgarinë, Greqinë dhe Rumaninë, pritshmëritë u ulën lehtë, me Rumaninë në pozitën më të dobët.
Tarifat amerikane dhe konkurrenca kineze
Sipas BERZH-it, rreziqet kryesore për vendet evropiane mbeten tarifat amerikane dhe konkurrenca e ashpër kineze. Që nga fundi i gushtit 2025, pothuajse të gjitha eksportet e BE-së drejt SHBA-së përballen me tarifa 15%. Ndërkohë, Kina po konsolidon rolin e saj si superfuqi eksportuese, duke konkurruar drejtpërdrejt me produktet evropiane, sidomos në makina dhe bateri.
Si mund të kompensohen humbjet?
Ekspertët e BERZH-it theksojnë se tarifat amerikane mund të jenë edhe mundësi, pasi hapin hapësirë për eksportuesit evropianë të zëvendësojnë mallrat kineze. Një tjetër burim potencial është rritja e investimeve kineze në Evropë, veçanërisht në industrinë e automobilave.
Po ashtu, shpenzimet për mbrojtjen mund të shërbejnë si stimul ekonomik, sidomos nëse lidhen me infrastrukturën, energjinë dhe sigurinë digjitale. Investimet në kërkim-shkencë dhe zhvillim shihen si thelbësore për të gjeneruar rritje afatgjatë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto