Konferenca e Klimës 2021, ka konflikte për financimin e projekteve - Business Magazine Albania

Konferenca e Klimës 2021, ka konflikte për financimin e projekteve

financimin e projekteve

Bashkëpunimi ndërkombëtar është thelbësor për mbrojtjen e klimës. Konferenca e OKB-së për klimën duhet të gjejë rregulla për veprim. Por, a mund të presin projektet për ruajtjen e klimës?

Është në fakt një projekt i arsyeshëm: Me ndihmën gjermane, në Ruandë po instalohen furra të ndryshme ekologjike. 90.000 prej tyre janë tashmë në funksion në fshatra, e plani është që të ndërtohen edhe 40.000 furra të reja në vit.

Furrat e reja kanë një efekt të dyfishtë pozitiv: Prerja dhe djegia masive e drunjve në rajon është reduktuar shumë. Njëkohësisht, zvogëlohet ndjeshëm edhe ndotja e ajrit në kasolle.

Dhe: Rreth 270.000 ton gazra serë shmangen çdo vit. Furrat kushtojnë rreth 100 euro secila – paratë për to vijnë nga Gjermania. Paratë mblidhen nga organizata “Atmosfair” – për shembull, nga kompani dhe individë privatë që duan të kompensojnë emetimet e gazrave serë që i bëjnë vetë përmes trafikut ajror.

Fjala kyçe “Neni 6”

Fjala kyçe për këtë është “Neni 6”. Pse? Kur filloi zbatimi i Marrëveshjes së Parisit për klimën në vitin 2015, të gjitha rreth 190 shtetet e Kombeve të Bashkuara u obliguan që të realizojnë qëllimet e tyre ndaj klimës. Fakti që të gjitha shtetet tani duhet të reduktojnë çlirimin e gazrave serë është parashikuar edhe me Marrëveshjen e Kiotos, e cila ishte në fuqi deri në vitin 2020. Kjo Marrëveshje parashikonte që vetëm 38 vendet më të pasura në botë të reduktonin gazrat e dëmshme. Me të drejtë, sepse vendet e industrializuara ishin dhe janë ato, të cilat mbajnë më së shumti përgjegjësi për ndryshimet e klimës. Projektet si ato në Ruandë lindën në përputhje me logjikën e Kiotos: Vendet e pasura japin para dhe financojnë projekte domethënëse në jugun e varfër. Në këmbim, ata kanë ndjenjën se po bëjnë diçka për përmirësimin e mëkateve të veta.

Por gjërat kanë ndryshuar me Marrëveshjen e Parisit. Tani të gjitha shtetet janë të detyruara të mbrojnë klimën, secili vend në mënyrën e vet. Me shumë eufori, në kryeqytetin francez u vendos që ngrohja globale të mos rritet më shumë se dy gradë, madje edhe më mirë do të ishte vetëm 1,5 gradë. Deri këtu mirë. Por çfarë nuk u vendos në Paris dhe nuk u rregullua më pas në takimet për klimën? Si dhe, mbi të gjitha, kujt do t’i besohen në të ardhmen projekte si ai i Ruandës? A do të paguhen paratë në llogaritë gjermane apo ruandeze? Kush mund të financojë cilat projekte në të ardhmen? Ky problem duhet të trajtohet në “Nenin 6”. Por problemi ende nuk është zgjidhur.

Lexoni: Fund shpyllëzimit në 2030/ Vendet perëndimore, bashkë me Kinën dhe Brazilin nënshkruajnë marrëveshjen

Atmosfair: Pa unitet do të ndërpriten edhe projektet

Nëse nuk ka një sqarim konkret për këto dilema në konferencën për klimën në Glasgow, e ardhmja do të jetë e zezë, mendon drejtori menaxhues i “Atmosfair”, Dietrich Brockhagen, në një deklaratë për DW-në. “Ne ndërtojmë impiante të reja për prodhimin e energjive të rinovueshme çdo ditë. Për ta bërë këtë, ne kemi nevojë për para dhe ne e marrim ato nga klientët tanë përmes kompensimit vullnetar të CO2. Prandaj, ne kemi nevojë për rezultate konkrete lidhur me Nenin 6 për të reduktuar CO2. Reduktimet mund t’i atribuohen Atmosfair. Ndryshe do të na duhej t’i jepnim fund këtyre projekteve të kompensimit”. Pra kreditimi duhet të bëhet edhe më tej nga Gjermania. Ruanda nuk ka kapacitetet për këtë.

Dhe pikërisht këtu qëndron thelbi i çështjes: Disa vende, si Brazili, duan të financojnë projekte të tilla në vendin e tyre në të ardhmen. Nëse nuk zhvillohen rregulla të qarta në Glasgow, ekziston rreziku i një “Sistemi të perëndimit të egër”, frikësohet David Ryfisch, ekspert i klimës për grupin gjerman të mjedisit Germanwatch. Prandaj Ryfisch kërkon transparencë mbi të gjitha: duhet të jenë ende të mundshme vetëm projekte që kanë një efekt shtesë klimatik në vendet e varfra.

Qëllimet dhe projektet nuk duhet të përzihen

Vendet e varfra shpesh kanë synime shumë të thjeshta klimatike, si për shembull, zgjerimi i energjive të rinovueshme. Një projekt si ai në Ruandë do të përfaqësonte një arritje shtesë atje. Ryfisch është i bindur se “Neni 6 mund të luajë patjetër një rol pozitiv në mbrojtjen e klimës, nëse kjo do të thotë se teknologjitë futen në vendet në zhvillim që përndryshe nuk janë ende gati për konkurrencë”.

Një vend i pasur si Gjermania do të kishte mundësi të bënte më shumë për klimën. Por mbetet kontestuese nëse të gjitha shtetet janë dakord me këtë. Shumë vende duan të heshtin përgjegjësinë e tyre për dëmtimin e klimës. “Ne në Germanwatch jemi shumë të shqetësuar me faktin se gjërat nuk po formulohen saktësisht në marrëveshje.” Në Marrëveshjen e Parisit thuhet se të gjitha shtetet duhet të kontribuojnë në mbrojtjen e klimës, përmes objektivave të tyre të reduktimit. Por nuk parashikohen edhe masat konkrete në këtë drejtim.

Greenpeace: Nuk kemi nevojë për një treg global

Kjo është arsyeja pse ekspertja e klimës nga Greenpeace Gjermani, Lisa Göldner, mendon se Neni 6 nuk mund të zgjidhë problemet nëse nuk formulohet si duhet. Göldner thotë për DW se bashkëpunimi ndërkombëtar është tepër i rëndësishëm për të arritur objektivin për ngrohjen prej jo më shumë se 1,5 gradë Celcius.

“Shtetet duhet të punojnë së bashku për të kapërcyer krizën klimatike. Vendet e pasura duhet të mbështesin ato më të varfrat me ndihma financiare për klimën. Ka nevojë edhe për një shkëmbim teknologjish dhe të njohurive. Vetëm në këtë mënyrë mund të ketë sukses dalja e shpejtë nga përdorimi i qymyrit, naftës dhe gazit dhe riorientimi drejt energjisë më miqësore ndaj klimës. Por ne megjithatë nuk kemi nevojë për një treg global të karbonit.”

Rregullat në Nenin 6 u shpikën për të mbështetur jugun e varfër me para shtesë nga veriu, e jo për të kompensuar objektivat përkatëse klimatike që secili vend duhet të përmbushë vetë, analizon Göldner. “Kompensimet nuk do të thonë asgjë tjetër veçse që ndotësit e mëdhenj të paguajnë që dikush tjetër të reduktojë gazrat që lirohen në ajër. Ndërkohë që ata vazhdojnë me ndotjen, ndaj kjo është vetëm hipokrizi.”

Eksperti i klimës së Germanwatch, David Ryfisch ende shpreson se do të arrihet një marrëveshje në Glasgow për çështjen e vështirë të kreditimit të projekteve. Vitet e fundit, debati rreth Nenit 6 të Marrëveshjes së Parisit ka vuajtur nga fakti se ishte bërë shumë pak punë përgatitore për një zgjidhje koherente në prag të takimit vjetor të klimës. Por kjo është tani ndryshe nën presidencën britanike të konferencës për klimën në Glasgow. Nëse Ryfisch ka të drejtë, mbetet për t’u parë më 12 nëntor, kur konferenca e klimës në Glasgow të përfundojë me një marrëveshje të re. Apo me dështimin e saj.

/dw

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #28 - Prill 2022

Si sipërmarrës e keni dëgjuar, madje e keni predikuar shprehjen: jeta nuk bëhet më e lehtë, thjesht ju bëheni më të fortë. Kësaj radhe po e përjetojmë siç nuk e kishim imagjinuar.

Ndërsa po synonim të dilnim nga kthetrat e pandemisë, një tjetër plagë goditi Europën. Sulmi rus ndaj Ukrainës, i pakonceptueshëm nga bota moderne, erdhi si një Tsunami në Europë dhe madje në të gjithë Botën. Lufta me armë shkatërruese, deri tek kërcënimi i përdorimit të armëve nukleare, po sjell një dëm të jashtëzakonshëm për Ukrainën dhe popullin e saj. Mijëra të vrarë dhe mbi 4 milionë të shpërngulur nga vendi, pavarësisht rezistencës së fortë dhe të paparashikuar të ukrain- asve.

Zhvillimet dinamike në më pak se një muaj, çuan në vendime të pamenduara më parë për dhjetëra kompani ndërkombëtare. Tregjet e lëndëve të para panë çmime të rritura me ritmet më të larta të 40 viteve të fundit, ndërsa sheshet në kryeqytetet botërore, përfshirë Tiranën, pritën protestat, fillimisht kundër luftës e më tej kundër rritjes së çmimeve. Më 8 Mars, Çmimi i Naftës kaloi nga 199 lekë/litër në 260-270 lekë për litër, ndërsa po gjatë marsit, çmimi i bukës masive kaloi nga 80 lekë në 100 dhë së fundi 120 lekë. Qeveria ngriti komitete për të …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0