Komiteti Shqiptar i Helsinkit, në bashkëpunim me Qendrën “Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim”, ka publikuar një paketë rekomandimesh për rregullimin e përdorimit të Inteligjencës Artificiale në Shqipëri, në një kohë kur institucionet publike po aplikojnë zgjidhje të AI-së pa një kuadër të posaçëm ligjor.
Sipas dokumentit, situata aktuale kërkon ndërhyrje tranzitore urgjente, deri në përafrimin e plotë të legjislacionit kombëtar me Aktin e Bashkimit Evropian për Inteligjencën Artificiale, me synimin për të shmangur rreziqet ligjore, etike dhe cenimin e të drejtave të njeriut.
Ekspertët rekomandojnë që qeveria të bëjë publik dhe të zgjerojë grupin e punës për përafrimin ligjor, duke përfshirë institucionet e pavarura të të drejtave të njeriut, akademinë dhe organizatat e shoqërisë civile.
Po ashtu, kërkohet që Kontrolli i Lartë i Shtetit të auditojë kontratat ekzistuese për përdorimin e sistemeve të AI-së, përfshirë marrëveshjet me kompani ndërkombëtare të teknologjisë.
Një tjetër rekomandim kyç është miratimi i një metodologjie të përkohshme për Vlerësimin e Ndikimit mbi të Drejtat Themelore për çdo sistem AI që përdoret në qeverisje, si dhe përfshirja e klauzolave të detyrueshme për transparencë dhe auditueshmëri në kontratat aktuale dhe të ardhshme.
Dokumenti thekson gjithashtu nevojën për krijimin e një grupi ndërinstitucional, të koordinuar nga AKSHI, me pjesëmarrjen e institucioneve të pavarura dhe shoqërisë civile, për të garantuar mbikëqyrje dhe llogaridhënie në përdorimin e Inteligjencës Artificiale.
Lexo edhe: Shërbimi postar danez ndalon shpërndarjen e letrave pas mbi 400 vitesh
Në të njëjtën kohë, rekomandohet nënshkrimi dhe ratifikimi i Konventës Kornizë të Këshillit të Evropës për Inteligjencën Artificiale, Demokracinë dhe të Drejtat e Njeriut.
Rregullimi afatgjatë i AI-së
Në planin afatgjatë, ekspertët kërkojnë miratimin e një kuadri të plotë ligjor për Inteligjencën Artificiale, të harmonizuar me legjislacionin e Bashkimit Evropian. Ky kuadër duhet të parashikojë krijimin e një autoriteti kombëtar për AI-në, ngritjen e një databaze kombëtare të sistemeve dhe algoritmeve të AI-së, si dhe mekanizma të qartë koordinimi ndërinstitucional.
Një vëmendje e veçantë i kushtohet lidhjes së qeverisjes së AI-së me sigurinë kibernetike dhe legjislacionin digjital ekzistues, për të shmangur mbivendosjet rregullatore dhe për të garantuar mbrojtjen e të dhënave personale.
Raporti rekomandon gjithashtu hartimin e një Strategjie Kombëtare për të Ardhmen e Punës dhe Aftësive në Epokën e Inteligjencës Artificiale, me fokus ndikimin e teknologjisë në punësim, arsim dhe riaftësimin e fuqisë punëtore.
Raporti është përgatitur në kuadër të programit për angazhimin e shoqërisë civile në procesin e integrimit evropian dhe është mbështetur nga Ambasada e Vendeve të Ulëta në Shqipëri.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto