Nga biçikletat e lira deri te automjetet luksoze, të dhënat e Eurostat zbulojnë se çmimet e mjeteve të transportit personal ndryshojnë ndjeshëm nëpër Europë, duke treguar vendet më të shtrenjta dhe më të lira. Krahasimi i çmimeve të makinave midis vendeve europiane mbetet një sfidë komplekse. Fokusi tek disa modele specifike mund të japë një ide të pjesshme, pasi politikat e çmimeve dhe strategjitë e marketingut ndryshojnë ndjeshëm nga një treg në tjetrin. Edhe tregu i makinave të përdorura është shumë i luhatshëm, duke e bërë më të vështirë krahasimin e drejtpërdrejtë.Sipas indeksit të çmimeve për “pajisje transporti personal” të publikuar nga Eurostat, që përfshin makina, motoçikleta dhe biçikleta, por jo mirëmbajtjen, pjesët këmbimi apo karburantin, niveli mesatar i BE-së është 100 euro, dhe çmimet e vendeve të tjera maten në raport me këtë vlerë.
Turqia, më e shtrenjta në Europë
Turqia kryeson listën me çmime 36.4% më të larta se mesatarja e BE-së, që do të thotë se një makinë që kushton 100 euro në BE, në Turqi do të kushtonte 136.40 euro. Megjithatë, krahasuar me vitin 2021, kur kjo vlerë ishte 147.10 euro, çmimet kanë rënë disi.
Lexo edhe: Suksesi i ‘Plug and Play Tirana Expo 2025’/ 10 startup-e shqiptare drejt Silicon Valley
Në vendet e BE-së, Danimarka është vendi më i shtrenjtë me çmime 19.1% mbi mesataren. “Tatimet direkte mbi makinat (TVSH-ja dhe tarifat e tjera të lidhura me blerjen) ndryshojnë shumë brenda BE-së. Danimarka është një rast i veçantë me taksa të larta, çka shpjegon nivelin e lartë të çmimeve”, tha Georg Strasser nga Banka Qendrore Europiane për Euronews Business.
Islanda, Holanda, Irlanda dhe Zvicra janë gjithashtu ndër vendet me çmime të paktën 10% më të larta se mesatarja e BE-së.
Maqedonia e Veriut dhe Sllovakia, më të lirat
Në anën tjetër, Maqedonia e Veriut dhe Sllovakia janë më të lirat. Me një mesatare prej 87.70 euro dhe 88.60 euro, çmimet janë përkatësisht 12.3% dhe 11.4% më të ulëta se mesatarja e BE-së.
Sllovenia, Qiproja, Çekia, Norvegjia, Letonia, Mali i Zi dhe Polonia kanë gjithashtu çmime të paktën 7% më të ulëta se mesatarja europiane.
Spanja më e lirë ndër “katër të mëdhatë”
Nga ekonomitë kryesore të BE-së, Spanja është më e lirë me çmime 3.8% nën mesataren. Gjermania qëndron pak mbi mesatare me 0.4%, ndërsa Franca dhe Italia janë pothuajse në të njëjtin nivel me BE-në.
Sipas Strasser, diferencat në çmime ndikohen nga taksat, por edhe nga preferencat e konsumatorëve, fuqia blerëse dhe strategjitë e prodhuesve që përshtatin çmimet sipas tregjeve kombëtare.
Taksat, teknologjia dhe preferencat përcaktojnë çmimin
Në disa shtete, taksimi varion sipas tipareve të makinës, si motori apo emetimet duke ndikuar ndryshe në çmimet. Për shembull, një vend që takson rëndë makinat me motorë klasikë, por favorizon makinat elektrike, mund të duket “i shtrenjtë” në mesatare për shkak të mënyrës se si Eurostat llogarit indeksin.
Të dhënat e OECD tregojnë gjithashtu se ndryshimet e mëdha midis çmimeve para dhe pas taksave nuk shpjegohen vetëm nga TVSH-ja, por edhe nga tarifat shtesë dhe skemat e bonus-malus që aplikohen nga shtetet.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto