Ndërsa kufizimet e pandemisë, trazirat politike dhe kostot në rritje, i shtyjnë emigrantët dhe profesionistët jashtë Hong Kongut, “fqinji” rival Singapori ngre flamurin për fuqinë punëtore të importuar. Profesionistët e rinj, që kërkojnë aventura dhe karrierë jashtë vendit, po përballen me një dilemë.
Cilat do të jenë pikat e nxehta kozmopolitane të së ardhmes, për të joshur një komunitet ndërkombëtar të gjallë me pagesa të larta dhe stile jetese luksoze të përballueshme?
Ndërsa vendet nga Curacao në Cape Verde kanë lëshuar viza nomade digjitale për punonjësit që punën e kanë online, ndërtimi dhe mbajtja e një baze të madhe talentesh kozmopolitane kërkon më shumë se një plazh dhe lidhje Wi-Fi.
Në një botë të ndryshuar nga pandemia, lufta dhe inflacioni, një grup qytetesh po sfidojnë rendin e vjetër, duke joshur kompanitë dhe start-upet për të vulosur markën e tyre, si qytete globale.
Kuala Lumpur
I lënë në hije prej kohësh nga Singapori fqinj si një destinacion për punëtorët emigrantë, kryeqyteti i Malajzisë po bëhet gjithnjë e më tërheqës për bizneset globale, për shkak të fuqisë së tij të madhe punëtore që flet anglisht, lidhjeve të lehta të fluturimeve në rajon dhe kostove të përballueshme të jetesës. Në vitin 2021, qyteti u rendit i pari në një sondazh në mbarë botën me rreth 12,000 emigrantë nga InterNations, duke u renditur në krye për strehimin.
Lisbona
Një nga qytetet më të vjetra në Evropë, Lisbona e ka rikrijuar veten si një destinacion për “hipsterat”, duke organizuar ngjarje të tilla si “Samiti vjetor i Web-it” dhe duke ofruar një përzierje të kulturës, jetës së natës dhe motit të ngrohtë brenda disa prej plazheve më spektakolare të Evropës. E përshkruar vitin e kaluar nga faqja e emigrantëve “Dispatches” si “ndoshta destinacioni më popullor i emigrantëve në Evropë për momentin”, Lisbona po shijon një bum që ka parë rritje të vazhdueshme të çmimeve të pronave ndërsa një fluks imigrantësh të pasur blejnë shtëpi në kryeqytet ose përgjatë plazheve të vendit.
Dubai
Shteti i shkretëtirës ka sfiduar Hong Kongun dhe Singaporin për trafik emigrantësh për më shumë se një dekadë tani dhe kombinimi i pandemisë dhe luftës në Evropë i ka bërë Emiratet edhe më popullore. Me ndërtesën madhështore të Burj Khalifa që ngrihet mbi një koleksion të arkitekturës futuriste, Dubai ka investuar miliarda në krijimin e një qyteti të së ardhmes.
Mexico City
Një shtrirje e madhe urbane prej afro 22 milionë banorësh, Mexico City mund të duket një kandidat i pamundur për një strehë emigrantësh, por kryeqyteti më i vjetër në Amerikë ka fituar me shpejtësi vëmendjen si një qendër e sipërmarrësve dhe startup-eve në Amerikën Latine. Meksika kryesoi renditjen globale në renditjen e “InterNations Expat Insider 2022” të vendeve më të mira për të jetuar dhe kryeqyteti i saj në lartësi të madhe është shtëpia e të huajve nga e gjithë bota. Duke përzier shtatë shekuj histori me disa nga politikat më progresive të rajonit – qyteti ishte i pari në Amerikën Latine që legalizoi martesat mes të njëjtit seks – kryeqyteti është gjithashtu shtëpia e një prej skenave më të gjalla të restoranteve në Amerikë.
Rio de Janeiro
Ish-kryeqyteti i perandorisë portugeze krenohet me një sfond ikonik malesh të mbuluara me pemë që rrethojnë një nga portet natyrore më spektakolare në botë. Ndërsa qyteti pësoi një rënie në vitet 1990, i lënë në hije nga qendra financiare Sao Paulo, atmosfera e qetë dhe plazhet me famë botërore të Rios vazhdojnë të ofrojnë një joshje për të huajt që lëvizin në ekonominë më të madhe të Amerikës së Jugut./ Bloomberg
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.