Drejtori ekzekutiv i McDonald’s, Chris Kempczinski, ka ndarë një këshillë karriere që, sipas tij, mund të tingëllojë e ashpër, por është thelbësore për suksesin profesional, askush nuk do të kujdeset për karrierën tuaj më shumë sesa ju vetë.
Në një video të publikuar në Instagram me titullin “Tough Love with the McDonald’s CEO”, Kempczinski u shpreh se edhe nëse dikush ka një shef apo mentor të mirë, është e rrallë të gjesh një person që do të garantojë zhvillimin dhe avancimin tënd profesional. Sipas tij, pritja që dikush tjetër të të hapë dyer është një gabim i zakonshëm.
“Duhet ta marrësh vetë në dorë karrierën tënde dhe të krijosh mundësitë për veten”, theksoi ai, duke inkurajuar të rinjtë të jenë proaktivë dhe të mos presin që sukseset t’u vijnë vetë.
Këshilla e tij përkon edhe me deklaratat e ish-zëvendëspresidentes së NBCUniversal, Bonnie Hammer, e cila ka theksuar se brezat e rinj janë më pak të përgatitur për të “luftuar” për mundësitë profesionale, duke besuar se diploma universitare mjafton për të siguruar një punë të mirë.
Në një tjetër video, Kempczinski ndau edhe një këshillë që e ndjek prej vitesh: organizimi. Ai tregoi se mban një ambient pune të rregullt dhe një inbox të pastër, pasi kjo e ndihmon të fokusohet tek gjërat më të rëndësishme dhe të jetë më produktiv.
Ekspertë të organizimit dhe sipërmarrës të njohur, si Marie Kondo dhe Barbara Corcoran, kanë theksuar gjithashtu se rregulli dhe planifikimi janë faktorë kyç për suksesin profesional.
Mesazhi i CEO-s së McDonald’s është i qartë: karriera nuk ndërtohet duke pritur, por duke vepruar, marrë përgjegjësi dhe duke qenë i organizuar çdo ditë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.