Kardinalët e Kishës Katolike Romake do të nisin të mërkurën detyrën për të zgjedhur papën e ri, duke u izoluar nga bota derisa të vendosin se kush do të udhëheqë këtë komunitet të larmishëm por edhe të ndarë global.
Në një ritual që daton nga mesjeta, kardinalët do të hyjnë në Kapelën Sixtine të Vatikanit pas Meshës publike në Bazilikën e Shën Pjetrit dhe do të fillojnë konklavën sekrete për të zgjedhur pasuesin e Papa Françeskut, i cili ndërroi jetë muajin e kaluar. Prej shekujsh, asnjë papë nuk është zgjedhur në ditën e parë të konklavës, ndaj votimet mund të zgjasin disa ditë derisa njëri nga kardinalët të arrijë shumicën e domosdoshme prej dy të tretash për t’u bërë papa i 267-të. Të mërkurën do të mbahet vetëm një raund votimi. Më pas, kardinalët do të mund të votojnë deri në katër herë në ditë. Fletët e votimit do të digjen pas çdo raundi — tymi i zi nga oxhaku i kapelës do të sinjalizojë një votim të pasuksesshëm, ndërsa tymi i bardhë dhe tingujt e kambanave do të tregojnë se Kisha me 1.4 miliardë besimtarë ka një udhëheqës të ri. Papa i ri nuk do të jetë vetëm udhëheqës i Kishës, por edhe një zë moral dhe ndërgjegjësues në arenën globale. Gjatë meshës në Bazilikën e Shën Pjetrit para se të hynin në konklavë, kardinalët u lutën që Zoti t’i ndihmojë të zgjedhin një papë që do të ketë “kujdes vigjilent” për botën. Në predikimin e tij, kardinali italian Giovanni Battista Re u bëri thirrje kolegëve të tij të lënë mënjanë çdo interes personal dhe të mendojnë vetëm për “të mirën e Kishës dhe të njerëzimit”. Re, dekani i Kolegjit të Kardinalëve, është 91 vjeç dhe nuk do të marrë pjesë në konklavë, e cila është e rezervuar vetëm për kardinalët nën moshën 80 vjeç. Kohët e fundit, kardinalët kanë shfaqur mendime të ndryshme mbi profilin e papës së ri. Disa duan të vazhdojnë vizionin e Papa Françeskut për më shumë hapje dhe reforma, ndërsa të tjerë preferojnë një kthim tek traditat. Megjithatë, shumë kanë shprehur dëshirën për një papat më të matur dhe të parashikueshëm. Kardinali nga Salvadori, Gregorio Rosa Chavez, theksoi se nuk pret një rikthim pas: “Nuk do të ketë hapa pas,” tha ai për gazetën Corriere della Sera. “Kushdo që të zgjidhet, do të jetë një papë që do të vazhdojë punën që nisi Françesku.”
Lexo edhe:OKB jep alarmin: Zhvillimi njerëzor po përjeton një ngadalësim historik
Në këtë konklavë do të marrin pjesë një rekord prej 133 kardinalësh nga 70 vende të ndryshme, një rritje krahasuar me 115 nga 48 vende në vitin 2013 — kjo reflekton përpjekjet e Françeskut për të zgjeruar praninë e Kishës në rajonet më të largëta.
Nuk ka ende një favorit të qartë, edhe pse kardinali italian Pietro Parolin dhe kardinali filipinas Luis Antonio Tagle konsiderohen ndër kandidatët kryesorë.
Nëse bëhet e qartë që asnjëri prej tyre nuk mund të fitojë, votat mund të zhvendosen te kandidatë të tjerë, ku mund të ndikojnë gjeografia, afërsia doktrinore ose gjuha e përbashkët. Kandidatë të tjerë të përmendur janë Jean-Marc Aveline nga Franca, Peter Erdo nga Hungaria, Robert Prevost nga SHBA-ja dhe Pierbattista Pizzaballa nga Italia.
Re nënvizoi se kardinalët duhet të zgjedhin një papë që respekton diversitetin brenda Kishës: “Uniteti nuk do të thotë uniformitet, por një bashkim i thellë dhe i fortë në dallimet tona.”
Ashtu si në kohët mesjetare, komunikimi me botën e jashtme do të jetë i ndaluar gjatë konklavës. Teknologjia moderne do të përdoret për të parandaluar çdo përpjekje për përgjim.
Në të kaluarën, mesatarja e konklavave ishte rreth tre ditë dhe asnjë prej tyre nuk ka zgjatur më shumë se pesë ditë. Konklava e vitit 2013 zgjati vetëm dy ditë.
Këtë herë pritet që gjithçka të mbyllet shpejt për të shmangur përshtypjen e ndarjes apo pasigurisë në udhëheqjen e Kishës. Rreth 80% e kardinalëve që do të hyjnë në Kapelën Sixtine janë emëruar nga Françesku, çka e rrit mundësinë që pasardhësi i tij të vazhdojë politikat progresive, pavarësisht kundërshtimeve nga tradicionalistët.
Një tjetër çështje që do të peshohet është nëse papa i ri duhet të vijë nga jugu global, ku besimtarët janë në rritje, të rikthehet drejt Evropës, apo ndoshta të zgjidhet për herë të parë një papë amerikan.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.