Kapitali Intelektual, cila është fuqia e tij? - Business Magazine Albania

Kapitali Intelektual, cila është fuqia e tij?


Sa e njohim dhe e vlerësojmë ne Kapitalin Intelektual. Për sipërmarrës e ekspertë në karrierë ky është një koncept shumë i rëndësishëm. Nëse nuk e ke çmuar siç duhet deri më sot, fillo ta njohësh e ta vlerësosh tani.

Ndaj, Businessmag ju sjell studimin rreth Kapitalit Intelektual të tri eksperteve, studiese në fushën e ekonomisë.

Informacioni dhe dijet që zotërojmë janë armët më të fuqishme konkurruese të kohës sonë. Shumica e hulumtimeve apo kërkimeve të kryera deri më tani janë fokusuar se si të rrisin raportin input-output të çdo organizate, por shpesh injorojnë atë vlerë të pashprehur që përpunon dhe krijon dijen brenda vetë organizatës. “Sot mbarë bota po bën një evolucion drejt ekonomisë së dijes. Por me sa duket ekonomia e dijes është diçka që nuk e kuptojmë shumë mirë” – Fjalë të thëna nga një mik shumë i mirë na bënë të mendojmë se ajo që ne kërkojmë është të mundësojmë që t’i japim vlerë dijes që zotërojmë, ta shprehim pse jo në terma monetarë atë. Shumçka lidhet me Kapitalin Intelektual.

Po çfarë është Kapitali Intelektual?

Kur dëgjojmë të flitet për Kapitalin Intelektual në perceptimin tonë menjëherë nënkuptojmë kapitalin njerëzor, pra atë human. Dhe kemi të drejtë, kapitali njerëzor është një komponent shumë i rëndësishëm, por nuk është i vetmi që merret në konsideratë kur studiohet dhe analizohet Kapitali Intelektual. Sipas AREOPA, një kompani e njohur ndërkombëtarisht e specializuar në fushën e menaxhimit të Kapitalit Intelektual, Kapitali Intelektual ka kuptim më të gjerë, nuk është vetëm kaq. Tashmë ata kanë identifikuar katër lloje të ndryshme kapitalesh, të cilët i kanë grupuar si Kapital Intelektual, dhe qëndrojnë në çdo organizatë për t’i i shëbyer më mirë asaj, duke vlerësuar si shumë të rëndësishëm identifikimin, zotërimin, matjen dhe ripërdorimin e tyre nga vetë organizata.

Më konkretisht bëhet fjalë për: (i) Kapitalin Human, në të cilin përfshihen dijet që posedojnë burimet njerëzore, talenti, kompetencat dhe përvoja e punonjësve dhe menaxherëve. Pra, përfshihen të gjitha vlerat që qëndrojnë në heshtje të markës së çdo organizate. Është ajo pjesë e kapitalit intelektual që “shkon në shtëpi gjatë natës” dhe mund të mos kthehet përsëri në mëngjes; (ii) Kapitalin Strukturor në të cilin përfshihen njohuritë e dokumentuara, proceset, softwarët dhe prona intelektuale, pra të gjitha njohuritë apo dija që qëndron në organizatë kur punonjësit (kapitali human) shkon në shtëpi në fund të ditës. Kapitali strukturor konsiderohet shumë i rëndësishëm në organizatat e sotme, sepse mund të kombinohet në shumë mënyra për të krijuar rrjedha të reja të të ardhurave nga aktiviteti i përditshëm i çdo organizate; (iii) Kapitalin Klient në të cilin përfshihen të gjitha marrëdhëniet kyçe me klientët, markën dhe reputacionin, të kuptuarit e nevojave të tregut etj, kërkon modelin e biznesit që lidhet me tregun dhe klientët; 4) Kapitalin e Aleancave Strategjike në të cilin përfshihen furnitorët, partnerët etj, pra të gjitha marrëdhëniet e jashtme që nxisin biznesin e çdo organizate.

Sa vlerë ka Kapitali Intelektual 

Studime të ndryshme në botë, kanë dëshmuar se pasuritë fizike të çdo organizate përfaqësojnë vetëm 13% të vlerës së vërtetë të saj. Pjesa më e madhe e pasurisë së organizatës qëndron në aspekte të cilat tradicionalisht nuk maten në terma monetarë, siç është edhe Kapitali Intelektual. Vlerësimi i Kapitalit Intelektual është i dobishëm jo vetëm për qëllimin e të pasurit një pasqyrë të vlerës së vërtetë të çdo organizate, por përfitimet e një vlerësimi të tillë shkojnë shumë përtej kësaj. Tashmë ka prova të konsiderueshme empirike që dëshmojnë se organizatat që kanë investuar në drejtim të dijeve dhe sjelljeve të personelit të tyre, aktiviteteve që ata kryejnë, veprimeve dhe qasjeve të sistemeve, të cilat i mundësojnë drejtimit të përmirësojë cilësinë e manaxhimit dhe të rrisë të ardhurat e institucionit, ndërsa ulin detyrimet.

Menaxhimi i Kapitalit Intelektual është një qasje e re në mbarë botën në koherencë me rolin e rëndësishëm që ka marrë ekonomia e dijes tashmë dhe si e tillë akoma nuk ka gjetur aplikim në vendin tonë. Disa njerëz thonë se dija mund të ekzistojë vetëm në trurin e njeriut dhe se çdo gjë tjetër që është e shkruar ose e ruajtur psh në bazat e të dhënave, përfshirë zërin etj, është informacion. Të tjerë bëjnë dallimin ndërmjet dijes së pashprehur (tacit) e cila qëndron në mendjen e secilit dhe asaj të dokumentuar (eksplicite) e cila ruhet në mënyra të ndryshme. Pra, të gjithë ata të cilët përpiqen të dalin me një përkufizim për kapitalin intelektual shpeshherë më shumë ngatërrohen me përshkrimet për të.

“Menaxhimi i dijes ka të bëjë me marrjen e informacionit të duhur, nga njerëzit e duhur, në kohën e duhur, në mënyrë që të kryhen më mirë proceset e biznesit”.

Por, dija qëndron në shumë vende … dhe ka shumë fytyra! Dija qëndron në prezantime, raporte apo shkrime të ndryshme, licenca, patenta, në pronësinë intelektuale, bazat e të dhënave, software, auditime, biblioteka, katalogë, arkiva, manuale, memo, aftësinë individuale, kujtesën, know-how, përvojën, skuadra, komunitete, grupe, networke, takime, materiale trajnimi, informacioni manaxherial etj. Nëpërmjet përdorimit specifik të këtyre dijeve dhe risive të vazhdueshme, organizatat krijojnë avantazhe konkurruese kundrejt organizatave të tjera.

Nëse elementët e Kapitalit Intelektual dhe integrimi i tyre do të mund të identifikohen, në gjuhën e ekonomistëve “të mund të magazinohen”, të ruhen që të mund të ripërdoren dhe të maten në vlerë monetare,  imagjinoni se çfarë do të kishte si rezultat real për organizatën. E gjithë dija qëndron brenda organizatës, në mënyrë që bartësit kryesorë të kësaj dije nëse vendosin të largohen prej organizatës të mos ndihet mungesa e tyre dhe sidomos dija apo investimi i kryer mbi këto njohuri të qëndrojë në organizatë si pronë e saj.

Në javët në vijim do të zgjerojmë këndvështrimin tonë dhe do t’ju japim më shumë informacion për manaxhimin e kapitalit intelektual, këtë fushë shumë të re dhe me interes për t’u lëvruar më tej.

Shkruar nga

Ornela KULLOLLI, Kontabël i Miratuar – Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare                                                                                Ela GOLEMI, PhD  – Universiteti Aleksandër Moisiu Durrës
Manuela MEÇE, Ass. Prof. Dr. – Universiteti Albanian University

 

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0