"Juli i Bio Farm", nga ëndrra mes maleve, te shtëpia e të gjithë... - Business Magazine Albania

“Juli i Bio Farm”, nga ëndrra mes maleve, te shtëpia e të gjithë miqve

Nga Adelina Onuzi/ Ka njerëz që ndërtojnë biznese. Ka të tjerë që ndërtojnë shtëpi. Por ka dhe nga ata që ndërtojnë një komunitet, një ndjenjë, një mikpritje që nuk blihet dot me para. Kështu është historia e Julian Shyqyriut, apo siç e njohin të gjithë sot, Juli i Bio Farm.

 

Nuk ka nevojë për shumë fjalë për ta kuptuar që kjo nuk është një histori e zakonshme. Është rrëfimi i një njeriu që ka vënë pasionin përpara përfitimit, që ka vendosur të krijojë një fole të vogël mes maleve,  jo thjesht për vete, por për të gjithë ata që kërkojnë qetësinë, natyrën dhe një përqafim të ngrohtë shqiptar në zemër të Gramshit.

“Një dëshirë e imja e brendshme për të krijuar një fole të vogël mes maleve…”, e nis Juli, me një ton të butë dhe një buzëqeshje që ta lë mesazhin në mendje.

Ka nisur punën që 16 vjeçare dhe nuk e ka ndalur kurrë ritmin. Sot zgjohet në 6 të mëngjesit dhe fle pas mesnate, me një energji që nuk duket të zbehet. “Koha me familjen është më e shtrenjta”, thotë ai, dhe bashkë me bashkëshorten përpiqen që të edukojnë fëmijët me të njëjtat vlera, punë, kulturë dhe këmbëngulje.

“Bio Farm Gramshi” nuk është një biznes, thekson Juli. Është një shtëpi për të gjithë. Dhe kjo nuk është metaforë. Janë qindra vizitorë që rikthehen vit pas viti, që bëhen miq të vërtetë, që rriten bashkë me fermën. Punonjësit nuk janë thjesht staf, janë familje. Disa prej tyre janë aty prej katër vitesh dhe çdo ndryshim në fermë është edhe pjesë e rritjes së tyre personale.

Juli e kujton çdo mik që ka ndaluar në fermën e tij. E nuk është çudi, ai ka një kujtesë që fikson njerëzit, buzëqeshjet, falënderimet, ndoshta sepse çdo vizitë është një konfirmim që ai po bën diçka që ka kuptim.

Është një fermë që ofron më shumë sesa produkte, ofron përvojë.

“Mua më ka ndryshuar edhe mbiemri”, thotë ai mes së qeshurash. “Tani jam Juli i Bio Farm.”

Por pas gjithë këtij rrëfimi nuk mungojnë as sfidat. Rruga drejt fermës, e mirëmbajtur shpeshherë me shpenzime vetjake, është një ndër detajet që ai përmend me kujdes, duke bërë thirrje për më shumë bashkëpunim me pushtetin. Nuk është një ankesë, por një ftesë, për të bashkëpunuar në zhvillimin e turizmit rural dhe për të vlerësuar të gjithë ata që kontribuojnë me punë konkrete.

Në fund të ditës, ajo që mbetet është ndjenja. Mikpritja është zemra e agroturizmit dhe Juli e kupton më mirë se kushdo tjetër këtë. Ai nuk flet për strategji, për marketing apo për analiza të tregut. Ai flet për dashuri për punën, për njerëzit dhe për vendin.

“I vetëm nuk ja del askush. Duhet shumë miq.”

Dhe miqtë e Julian Shyqyriut janë shumë. Janë ata 12-15 mijë vizitorë në vit, janë banorët e zonës që gëzojnë nga zhvillimi, janë punonjësit e fermës dhe janë të gjithë ata që besojnë se “e nesërmja është më e mirë se e djeshmja”.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0