Një rrugëtim i frymëzuar nga traditat, pasioni për embëlsirat organike dhe dëshira për të përkrahur komunitetin lokal, historia e “Jo Vetëm Neps” është një udhëtim emocionues që i fton njerëzit të shijojnë shije të shëndetshme në një mënyrë inovative. Ndërthurja e traditave shqiptare në kuzhinën e tyre dhe përkushtimi për të krijuar produkte të veçanta është thelbi i suksesit. Një mision i qartë për të ofruar një gamë të gjerë të embëlsirave vegane, hipoalergjenike dhe të prodhuara me kujdes është sfida që ata kanë përballur me guxim dhe pasion.
Në një intervistë për Business Magazine Albania, Bruno Ferra, themeluesi i “Jo Vetëm Neps”, na tregon se si e nisi gjithçka, sfidat dhe planet për të ardhmen.
1.Si u inspiruat për të themeluar Jo Vetem Neps? A ka pasur një ngjarje ose moment që ju shtyu drejt kësaj ideje?
Unë u inspirova për të themeluar “Jo Vetem Neps” kur një ditë takova një fermer në tregun e lagjes sime. Ai ishte duke shitur fruta dhe nënprodukte të qumështit organike që kishte kultivuar vetë në fshatin e tij në afërsi të Tiranës. Nisur nga cilësia dhe shija e produkteve të tij dhe vendosa të blija disa prej tyre. Kur po bëja pagesën, pashë se policia bashkiake po vinte drejt tij, sepse ai shiste pa leje. Unë e ndihmova të mbledhë gjërat e tij dhe të ikte para se të sekuestrohej malli. Ai më falenderoi shumë dhe më dha numrin e tij të telefonit, duke më thënë se mund të më furnizonte me produkte organike në çdo kohë.
Unë u ktheva në shtëpi me produktet e blera dhe vendosa të bëja disa ëmbëlsira për argëtim. Përdora recetat e mia të preferuara dhe i shtova disa prej produkteve organike që kisha blerë. Rezultati ishte shumë i mirë dhe vura re që ëmbëlsirat kishin dalë shumë të veçanta. Ditën tjetër vendosa t’i jepja disa prej tyre kolegëve e mi të mëparshëm në Tumo Tirana, një qendër për zhvillimin e talentit të rinisë. Ata u habitën nga ëmbëlsirat e mia dhe më lavdëruan shumë. Më thanë se unë kisha një talent të veçantë për gatimin e ëmbëlsirave organike dhe më sugjeruan të hapja një faqe në media sociale për të shitur produktet e mia. Ky ka qenë sugjerimi i Leos të cilin e falenderoj.
Ndoqa këshillën e tyre dhe hapa një faqe në Instagram me emrin “Jo Vetëm Neps”. Më pas fillova të postoj foto dhe video të ëmbëlsirave që bëja, duke treguar se si i bera ato dhe çfarë përbërësish përdora. Gjithashtu shpjegova se si unë bashkëpunova me fermeret lokal për të siguruar produkte organike dhe cilësore. Reagimi i publikut ishte shumë i madh dhe shpejt mora shumë porosi nga njerëz të ndryshëm. Unë vazhdova të punoja me pasion dhe përkushtim, duke u munduar të ofroja një shërbim cilësor dhe të besueshëm. Kështu lindi “Jo Vetëm Neps”, një biznes që ofron ëmbëlsira organike, hipoalergjenike dhe vegane, duke përkrahur komunitetin rural dhe duke promovuar një ushqim më të shëndetshëm.
2.Si u zhvillua rrugëtimi juaj personal dhe profesional në industrinë e embëlsirave handmade para se të themeloni kompaninë Jo Vetëm Neps?
Rrugëtimi im personal dhe profesional në industrinë e ëmbëlsirave handmade ka filluar qysh në fëmijëri, kur unë shikoja nënën time dhe gjyshen time të gatuajnë ëmbëlsira të bëra në shtëpi me produkte të freskëta nga fshati. Unë mësova shumë nga tradita e tyre dhe u bëra dashamirës i ëmbëlsirave organike dhe natyrale.Kur u rrita, vazhdova të studioja dhe të praktikoja gatimin e ëmbëlsirave, si një hobi. Unë gjithashtu kam marr një diplomë në financë dhe kontabilitet, që më ka ndihmuar të zhvilloj njohuritë e mia në tregtim, marketing, financim dhe administrim.
3.Si ju ka ndihmuar kultura dhe tradita shqiptare në krijimin e embëlsirave tuaja?
Kultura dhe tradita shqiptare më kanë ndihmuar shumë në krijimin e ëmbëlsirave , sepse unë kam marrë frymëzim nga recetat e vjetra që kanë kaluar brez pas brezi. Unë kam patur fatin të vizitoj shumë fshatra dhe qytete në Shqipëri, ku kam njohur njerëzit vendas dhe kam provuar produktet e tyre tipike, si fruta, perime, mjalti, arra, djathra, etj. Unë jam munduar të përfshij në ëmbëlsirat e mia elemente të kulturës shqiptare, si bakllavanë, por duke përdorur elemente moderne dhe krijuar harmoni shijesh.
4.Cilat janë disa nga sfidat kryesore që keni hasur në rrugën tuaj drejt suksesit me Jo Vetëm Neps?
Disa nga sfidat kryesore që kam hasur në rrugën time drejt suksesit me “Jo Vetëm Neps” janë:
Të bëhesh i njohur në një treg të mbushur me konkurrentë te fuqishëm dhe të njohur.
T’u sigurosh klientëve një shërbim cilësor dhe të besueshëm.
T’u përgjigjesh kërkesave të ndryshme dhe të vazhdueshme të klientëve.
Të mbahesh i azhornuar me teknologjinë dhe trendet e reja në industrinë e ëmbëlsirave.
Të ruash besnikërinë ndaj vlerave etike dhe sociale.
5.Si e përshkruani procesin e prodhimit të ëmbëlsirave tuaja? Cila është rëndësia e handmade në këtë proces?
Procesi i prodhimit te ëmbëlsirave është i thjeshtë, por i kujdesshëm. Unë kontrolloj cilësinë e tyre dhe i pastroj me kujdes. Pastaj unë i përgatis sipas recetave te mia origjinale ose të adaptuara nga tradita shqiptare. Përdor metoda handmade sa më shume të mundem, sepse besoj se kjo jep një shije më të mirë dhe më të natyrshme. Më pas i paketoj ëmbëlsirat me kujdes dhe i shpërndaj me shpejtësi dhe siguri.
6.Në një treg tërheqës të ëmbëlsirave, si e dallon Jo Vetëm Neps veten nga konkurrentët e tjerë?
“Jo Vetëm Neps” e dallon veten nga konkurrentët e tjerë duke ofruar një shërbim unik dhe inovativ në tregun e ëmbëlsirave. Ne jemi të vetmit që ofrojmë ëmbëlsira të bëra me produkte organike nga fermerët lokal, duke përkrahur komunitetin rural dhe duke promovuar një ushqim më të shendetshëm. Ne jemi gjithashtu të vetmit që ofrojmë menu të personalizuara për çdo klient, duke u përgjigjur nevojave të tyre specifike për alergji, intoleranca ose preferencë.
7.Cili është produkti më i suksesshëm dhe më i preferuar që keni krijuar deri më tani?
Këtu do më duhet të ndaj në dy pergjigje sepse, më i preferuari dhe më i sukseshmi janë dy të ndryshëm.
Produkti më i preferuar që kam krijuar deri më tani është torta vegane me karrota dhe arra. Kjo është një tortë e shijshme dhe e shëndetshme, që nuk përmban asnjë produkt shtazor. Ajo është e bërë me karrota organike, arra, vaj ulliri, lëng portokalli, vanilje dhe kanellë. Ajo është e mbuluar me një krem vegan nga tofu dhe soja. Ajo është një tortë e pershtatshme per cdo rast festiv.
Produkti më i suksesshëm që kam krijuar deri më tani është New York Baked Cheesecake. Kjo është një tortë e famshme amerikane, që ka një bazë të bërë me biskota digestive dhe një krem të bërë me djathë kremoz, vezë, sheqer, lëng limoni dhe vanilje. Ajo piqet në furrë për rreth një orë dhe pastaj lihet të ftohet në frigorifer për disa orë. Ajo shërbehet me një shtresë të hollë të marmelatës së boronices ose të frutave të tjera. Ajo është një tortë e ëmbël dhe e kremtë, që shkrihet në gojë. Ajo është e përshtatshme për çdo rast festiv ose për një ëmbëlsirë të shijshme pas dreke. Vlen për tu përmendur që çdo recel, krem fistiku apo glazaturë ne e bëjmë nga fillimi.
8.A ka ndonjë histori të veçantë apo një moment që keni përjetuar në rrugën tuaj të themelimit të kësaj kompanie që do të donit ta ndani me audiencën?
Një histori të veçantë apo një moment që kam përjetuar në rrugën time të themelimit të kësaj kompanie është kur kam takuar një grua që shiste frutat dhe përbërës të tjerë organik. Ajo ishte një fermere që kultivonte fruta dhe perime organike në tokat e saj në Tropojë. Ajo ishte shume mikpritëse dhe me ofroi disa nga produktet e saj, si boronicë, mjedër, manaferrë etj. Ajo me tregoi se si ajo kishte trashëguar tokat dhe recetat nga prindërit e saj dhe se si ajo i kujdesej me dashuri dhe respekt. Ajo gjithashtu me tregoi se si ajo ishte e lumtur qe kishte gjetur nje partner si une, qe vleresonte punen e saj dhe i blinte produktet e saj me nje cmim te arsyeshem. Ajo me beri te ndihesha shume mire dhe me shtyu te vazhdoja punen time me pasion.
9.Si ju ndihmoni komunitetin lokal ose keni ndonjë iniciativë të veçantë të përfshirjes sociale që ndiqni me Jo Vetëm Neps?
Unë ndihmoj komunitetin lokal duke blerë produktet organike nga fermerët vendas, duke i siguruar atyre një burim të rëndësishëm të ardhurash dhe duke i inkurajuar atyre të vazhdojnë punën e tyre të vlefshme. Unë gjithashtu promovoj produktet e tyre në tregun urban, duke i treguar klientëve se çfarë kanë për të ofruar ata dhe se çfarë historie kanë pasur ata. Unë gjithashtu kam një iniciativë sociale ku kam gatuar ëmbëlsira falas për çështje të ndryshme sociale, barazia sociale, java e krenarisë dhe promovime të të drejtave të njeriut.
Lexo edhe:Wizz Air fiton çmimin Capa për Qëndrueshmërinë Mjedisore për të dytin vit radhazi
10.Çfarë sfidash shikoni në horizont për Jo Vetëm Neps dhe si planifikoni të zhvilloheni në të ardhmen?
Të zgjerohem në tregun rajonal, duke u përshtatur kërkesave dhe preferencave të klientëve të rinj. Të krijoj një aplikacionin web që u jep mundesine personave per te porositur duke zgjedhur produktet qe preferojne, duke e bërë më tërheqës, më funksional dhe më të sigurt. Të gjej më shumë furnitorë të besueshëm dhe cilësorë të produkteve organike, duke u siguruar se ata respektojnë standartet e larta të prodhimit dhe të shëndetit. Të ruaj cilësinë dhe origjinalitetin e ëmbëlsirave që ofroj, duke mos u kompromentuar nga presioni i konkurrencës ose i kostove. Të ndërtoj një imazh pozitiv dhe njohje në publik, duke u promovuar në media sociale, në shtyp apo në evente të ndryshme.
11.Cilat janë planet dhe ambiciet e tua për të ardhmen e kompanisë?
Të hap një dyqan ku te kem mundësinë të organizoj klasa workshope gatimi terapeutik dhe të shesim ëmbëlsirat në një lokacion fizik. Të organizoj më shumë evente bamirësie ku të çoj ëmbëlsirat nëpër azilet e të moshuarëve, shtëpitë e kujdesit për fëmijët e braktisur dhe institucione të tjera që vijnë në ndihmë të njerëzve në nevojë.
Të bëhem një lider në tregun e ëmbëlsirave organike, hipoalergjenike dhe vegane, duke ofruar zgjidhje të personalizuara për çdo klient. Të krijoj një rrjet të gjerë të bashkëpunimit me fermeret lokal, duke i ndihmuar atyre të zhvillojnë kapacitetet e tyre prodhuese dhe tregtare. Të kontribuoj në zhvillimin e turizmit rural dhe gastronomik në Shqipëri, duke treguar bukuritë dhe pasuritë e vendit tim. Të zgjeroj gamën e produkteve që ofroj, duke krijuar receta të reja dhe të larmishme, qe permbajne elemente nga kultura te ndryshme. Të rris numrin e stafit dhe të investoj në trajnimin dhe motivimin e tyre.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.