Jeta pas chatbot-eve/ Kush janë “Veganët e AI” që po i thonë jo realitetit virtual? - Business Magazine Albania

Jeta pas chatbot-eve/ Kush janë “Veganët e AI” që po i thonë jo realitetit virtual?

Një brez i ri përdoruesish po i kthen shpinën inteligjencës artificiale gjenerative, jo për mungesë teknologjie, por për bindje morale dhe shqetësime mjedisore. Këta të rinj, të cilët tashmë quhen “AI vegans”, po udhëheqin një lëvizje globale refuzimi që sfidon mënyrën se si përdoren mjetet si ChatGPT, Midjourney apo Gemini.

Për Bella-n, një 21-vjeçare nga Çekia, pika e fundit ishte një konkurs arti në videolojën Warframe. Artistët kishin vetëm tre ditë kohë për të dorëzuar punimet e tyre, por mes tyre u pranua edhe një vepër e gjeneruar nga AI.

“Nëse nuk do të lejohej puna e AI-t, ndoshta do të konkurroja. Por të hyja në garë me dikë që nuk kishte harxhuar asnjë pikë përpjekjeje ishte poshtërim,” thotë ajo. Bella e braktisi AI-n sepse e sheh si moralisht të gabuar: “Do të ishte tradhti ndaj vetes dhe artistëve të tjerë. Unë kam vite që përmirësoj aftësitë e mia, ndërsa kjo teknologji vjedh rezultatet e punës sonë.”

Ajo nuk është e vetme. Komuniteti anti-AI në Reddit ka kapur tashmë mbi 71 mijë anëtarë, dhe rritet çdo ditë që kalon.

Lexo edhe: Business Magazine Albania prezanton “Business Leaders 2025”

Një lëvizje etike, kundër “vjedhjes kreative” dhe kostos ekologjike

Krahasimet me veganizmin nuk janë rastësore. Ashtu si vegjetarianët që shmangin mishin për parime etike, “AI vegans” shmangin mjetet gjenerative me argumentin se ato ushqehen me të dhëna të mbledhura pa leje dhe me një kosto kolosale energjetike.

Sipas një studimi të vitit 2023, një bisedë e shkurtër me ChatGPT konsumon energji dhe ujë sa një shishe uji.

“AI vjedh pa miratim nga gjithçka,” thotë Marc, një 23-vjeçar nga Spanja. “Shkel privatësinë dhe prodhon fitime mbi kurrizin e punës së të tjerëve. Është një mjet kapitalist që rrit shfrytëzimin e punëtorëve.”

Për më tepër, shumë prej tyre besojnë se varësia nga AI po shkatërron aftësitë bazë njohëse, analizën, vetëbesimin, mendimin kritik.

Kur inteligjenca artificiale na bën më pak të zgjuar

Një studim i ri i MIT forcon këto shqetësime: pjesëmarrësit që përdorën ChatGPT për të shkruar ese shfaqën: angazhim më të ulët të trurit, vështirësi për të cituar çfarë sapo kishin shkruar dhe performancë më të dobët gjuhësore dhe njohëse.

“Nëse individi nuk mban mend çfarë shkroi, nuk ka as pronësi mbi punën,” shpjegon autorja e studimit, Nataliya Kosmyna. “Dhe kjo është e rrezikshme në skenarë realë, ku vendimmarrja ka peshë… deri në jetë a vdekje.”

Lucy, një 22-vjeçare nga Spanja, shqetësohet nga mënyra se si chatbot-et ‘përkëdhelin’ mendimet e gabuara të përdoruesve:

“Epoka dixhitale solli mjaft budallallëk, sepse njerëzit i keqpërdorin telefonat. Por chatbot-et që u thonë njerëzve sa të zgjuar janë? Ajo është shqetësuese.”

Heqja dorë nga AI: një sfidë e vërtetë

Në vitin 2025 gjenerimi i përmbajtjes nga AI është kudo: në universitete, puna e përditshme, rrjetet sociale, marketing, dizajn. Shmangia e tij kërkon pothuaj disiplinë të hekurt.

Marc, që ka punuar në kibernetikë të AI-t, thotë se distancimi është veçanërisht i vështirë në universitet: “Të gjithë, nga studentët te pedagogët, e përdorin për gjithçka.”

Lucy shton se në kompaninë e saj të dizajnit grafik përdorimi i AI-t është praktikisht i detyrueshëm, edhe kur rezultatet janë groteske.

“Kohët e fundit na kërkuan të animonim një asistente të krijuar nga AI, një figurë me duar të mëdha dhe fytyrë të çuditshme. Të vinte keq ta shikoje,” thotë ajo.

A mund të jetë etike inteligjenca artificiale?

Brenda komunitetit “AI vegan”, mendimet ndahen: disa duan ndalimin e plotë të saj, të tjerë kërkojnë rregulla më të forta. “AI mund të jetë etike vetëm nëse të dhënat trajnohen me leje dhe puna nuk mbështetet në shfrytëzim njerëzor,” thotë Lucy. Ekspertja Kosmyna propozon masa të ngjashme me rrjetet sociale: ndalim të përdorimit për të miturit dhe mosdetyrim në mjediset arsimore.

“Disa raste përdorimi janë të vlefshme,” shton ajo, “por nuk kam pse të shpenzoj energji sa për të djegur shtatë pemë për të rishkruar një email.” Në fund, realiteti mbetet i pakonkurrueshëm Për ata që i shmangen AI-t, bota reale është thjesht më e pasur. Më autentike. Dhe më e bukur. “AI është e përsëritur dhe sipërfaqësore,” thotë Lucy. “Kur të kalojë efekti i risisë, e kupton se argëtimi njerëzor është shumë më i mirë.”

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0