Ndërsa debati mbi mirëqenien sociale dhe kostot e jetesës intensifikohet, një realitet shqetësues po del në pah: miliona evropianë jetojnë në kufirin e varfërisë, por mënyra se si përkufizohet ky kufi ndryshon ndjeshëm nga një shtet në tjetrin.
Sipas Eurostat, mbi 72 milionë qytetarë të BE-së u klasifikuan “në rrezik të varfërisë” në vitin 2024, rreth 16.2% e popullsisë. Por çfarë nënkupton realisht ky rrezik?
Çfarë është “pragu i varfërisë” sipas BE-së?
Standardi europian mat varfërinë mbi bazën e të ardhurave: çdo person që fiton më pak se 60% të të ardhurave të disponueshme mediane në vendin e tij konsiderohet “në rrezik të varfërisë”. Ky tregues nuk mat pasurinë reale apo kushtet konkrete të jetesës, por krahasimin relativ brenda një shoqërie. Në nivel të BE-së, të ardhurat mediane vjetore për person në 2024 ishin 21,582 euro, që e vendos pragun e varfërisë në 12,949 euro në vit, rreth 1,079 euro në muaj. Por kjo shifër ndryshon drastikisht mes vendeve anëtare.
Në BE, pragu i varfërisë luhatet nga 391 euro në muaj në Bullgari deri në 2,540 euro në Luksemburg. Nëse përfshihen vendet kandidate dhe anëtarët e EFTA-s, diapazoni bëhet edhe më ekstrem: nga 201 euro në Turqi deri në 2,596 euro në Zvicër.
Edhe brenda ekonomive më të mëdha të kontinentit, dallimet janë të dukshme: Gjermani: 1,381 €, Francë: 1,278 €, Itali: 1,030 € dhe Spanjë: 965 €. Për një familje me dy të rritur dhe dy fëmijë, ky prag rritet në 2.1 herë më shumë, duke shkuar në 2,266 euro në nivel BE-je dhe mbi 5,400 euro në Zvicër.
Pse ka kaq shumë diferenca?
Sipas ekonomistes së ILO-së, Giulia De Lazzari, çdo shtet përcakton pragun e varfërisë sipas të ardhurave të veta mediane dhe këto varen nga produktiviteti dhe struktura industriale. Shtetet me sektorë të fuqishëm në financë, teknologji apo prodhim të avancuar kanë paga më të larta, ndaj edhe prag më të lartë të varfërisë. Kjo do të thotë se varfëria relative në këto vende nuk nënkupton domosdoshmërisht standard më të ulët jetese, por diferencë më të madhe mes grupeve të popullsisë.
Për të kuptuar realisht fuqinë blerëse të të ardhurave, përdoret një njësim i quajtur PPS (Purchasing Power Standards), ku një PPS supozohet të blejë të njëjtën sasi mallrash në çdo vend. Me këtë metodë, pragu i varfërisë për një të rritur varion nga: 449 PPS në Serbi deri në 1,889 PPS në Luksemburg
Lexo edhe: Business Magazine Albania prezanton “Business Leaders 2025”
Ku është rreziku i varfërisë më i lartë?
Në BE, rreziku i varfërisë në 2024 ishte sërish 16.2%, por disa shtete paraqiten dukshëm më të ekspozuara:
Më pak të prekura: Çekia (9.5%). Më të prekura: Turqia & Maqedonia e Veriut (22.2%). Shqipëria renditet së bashku me Serbinë në nivelin 19.7 %, shumë herë mbi mesataren europiane 16.2%.
Në grupin e ekonomive të mëdha, Spanja (19.7%) dhe Italia (18.9%) shfaqin një situatë më të vështirë, ndërsa Franca (15.9%) dhe Gjermania (15.5%) qëndrojnë pak nën mesataren europiane.
Europa, në kërkim të një standardi të përbashkët jetese
Të dhënat e Eurostat theksojnë një fakt të pakundërshtueshëm: Europa nuk ka një realitet të vetëm ekonomik. Edhe brenda të njëjtit treg dhe të njëjtës union, fuqia blerëse, pagat dhe koncepti i “jetesës së mirë” ndryshojnë në mënyrë dramatike.
Kjo e bën më të vështirë ndërtimin e politikave sociale të përbashkëta dhe më të thjeshtë rritjen e hendekut midis lindjes dhe perëndimit të kontinentit.
Dhe ndërsa debati për pagën minimale europiane dhe standardet sociale vazhdon, një gjë është e qartë: të ardhurat që të shpëtojnë nga varfëria nuk janë aspak të njëjta në një Europë që ngjan gjithnjë e më shumë me një mozaik ekonomik.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto