Jeff Bezos hyn zyrtarisht në garën e inteligjencës artificiale me start-up-in “Project Prometheus” - Business Magazine Albania

Jeff Bezos hyn zyrtarisht në garën e inteligjencës artificiale me start-up-in “Project Prometheus”

Jeff Bezos, themeluesi i Amazon dhe Blue Origin, duket se po rikthehet në skenën ekzekutive për herë të parë që prej vitit 2021. Sipas raportimeve të New York Times, miliarderi amerikan ka marrë rolin e bashkë-CEO-s në një start-up të ri të inteligjencës artificiale, të quajtur Project Prometheus.

Projekti mbetet ende i mbuluar me mister, por një gjë është e sigurt: ai po ngjall interes të madh në Silicon Valley. Start-up-i ka siguruar 6.2 miliardë dollarë (5.3 miliardë euro) financim në fazën e hershme, një shumë e jashtëzakonshme për një kompani që sapo nis rrugëtimin e saj dhe që e rendit ndër më të financuarat globalisht në këtë fazë. Një pjesë e këtij financimi vjen vetë nga Bezos, sipas tre burimeve të afërta me projektin.

Nëse konfirmohet zyrtarisht, ky do të ishte angazhimi i tij i parë operacional që nga dorëheqja si CEO i Amazon katër vite më parë.

Bezos, Musk dhe gara e re e AI

Ky zhvillim ka provokuar edhe reagimin e Elon Musk, i cili themeloi kompaninë e tij të inteligjencës artificiale, xAI. Në platformën X, Musk e quajti Bezos një “copycat”, duke rikthyer rivalitetin e gjatë midis dy miliarderëve në një fushë të re: zhvillimin e sistemeve të avancuara të AI-së.

Vitin e kaluar, Bezos investoi edhe në Physical Intelligence, një kompani që përdor AI për robotikë duke treguar qartë se ambiciet e tij në këtë sektor janë shumë më të thella se sa investimet e zakonshme.

Lexo edhe: Bie interneti në të gjithë botën, disa website ndalojnë së funksionuari

Një kompani sekrete, por me talentet më të kërkuar në botë

Informacionet publike për Project Prometheus janë të pakta. Profili në LinkedIn përshkruhet me vetëm një tagline: “AI for the physical economy”, pa detaje mbi vendndodhjen apo strategjinë.

Megjithatë, kompania duket se ka lëvizur shpejt. Ajo ka punësuar pothuajse 100 specialistë, përfshirë kërkues nga OpenAI, Google DeepMind dhe Meta, një sinjal se projektet që po ndërmerren janë tejet ambicioze.

Sipas burimeve të NYT, Project Prometheus synon të zhvillojë AI të orientuar drejt botës fizike, jo vetëm modele të mëdha gjuhësore. Fushat kryesore të fokusit pritet të jenë:

  • robotika,
  • projektimi i ilaçeve,
  • zbulimet shkencore përmes sistemeve që mësojnë nga ndërveprimi fizik etj,

Kjo e vendos start-up-in në një segment në rritje të inteligjencës artificiale, që shkon përtej modeleve të bazuara vetëm në të dhëna dhe synon krijimin e “trurit digjital” që vepron në botën e vërtetë.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.



Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0