Ja përse Vladimir Putin e ka humbur tashmë luftën e tij - Business Magazine Albania

Ja përse Vladimir Putin e ka humbur tashmë luftën e tij

“As një javë nga nisja e luftës, po bëhet gjithmonë e më shumë e dukshme që Vladimir Putin po shkon drejt një disfate historike. Ai mund të fitojë të gjitha betejat, por do të humbasë luftën. Ëndrra e Putinit për rindërtimin e perandorisë ruse është mbështetur gjithmonë mbi gënjeshtrën se Ukraina nuk është një komb i vërtetë, se ukrainasit nuk janë një popull i vërtetë dhe se banorët e Kievit, Kharkivit dhe Lvivit dëshirojnë qeverisjen e Moskës”, shkruan The Guardian. Kjo është një gënjeshtër, Ukraina është një komb me më shumë se një mijë vjet histori dhe Kievi ishte tashmë një metropol i madh kur Moska nuk ishte as fshat. Por, despoti rus e ka thënë kaq shumë gënjeshtrën e tij, sa duket se  e beson dhe vetë.

Kur planifikonte pushtimin e Ukrainës, Putin mund të mbështetej në shumë fakte. Ai e dinte se Rusia ushtarakisht e eklipson Ukrainën. Ai e dinte se NATO nuk do të dërgonte trupa për të ndihmuar Ukrainën. Ai e dinte se varësia europiane nga nafta dhe gazi rus do t’i bënte vendet si Gjermania të hezitonin për vendosjen e sanksioneve të ashpra. Bazuar në këto fakte të njohura, plani i tij ishte të godiste fort dhe shpejt Ukrainën, t’i priste kokën qeverisë së saj, të vendoste regjimin e tij në Kiev dhe të largonte tërbimin e pafuqishëm të sanksioneve perëndimore.

Por, kishte një të panjohur të madhe për këtë plan, shkruan The Guardian. Siç mësuan amerikanët në Irak dhe sovjetikët në Afganistan, është shumë më e lehtë të pushtosh një vend sesa ta mbash atë. Putini e dinte se kishte fuqinë për të pushtuar Ukrainën. Por, a do ta pranonte populli ukrainas regjimin e Moskës? Putini luajti kumar se do ta bënin. Në fund të fundit, siç i shpjegoi vazhdimisht kujtdo që dëshiron të dëgjojë, Ukraina nuk është një komb i vërtetë dhe ukrainasit nuk janë një popull i vërtetë. Në vitin 2014, njerëzit në Krime vështirë se u rezistuan pushtuesve rusë. Pse 2022-shi duhet të jetë ndryshe?!

Çdo ditë që kalon, po bëhet gjithmonë e më e qartë se “kumari” i Putinit po dështon. Populli ukrainas po reziston me gjithë zemër, duke fituar admirimin e të gjithë botës dhe duke e fituar luftën. Ditë të zeza janë përpara. Rusët ende mund të pushtojnë të gjithë Ukrainën. Por, për të fituar luftën, rusët do të duhet të mbajnë Ukrainën dhe ata mund ta bëjnë këtë vetëm nëse populli ukrainas i lejon. Kjo duket gjithnjë e më e pamundur të ndodhë.

Çdo tank rus i shkatërruar dhe çdo ushtar rus i vrarë rrit guximin e ukrainasve për të rezistuar. Dhe çdo ukrainas i vrarë thellon urrejtjen e ukrainasve. Urrejtja është emocioni më i shëmtuar. Por, për kombet e shtypura, urrejtja është një thesar i fshehur. I varrosur thellë në zemër, ai mund të mbajë rezistencë për breza. Për të rivendosur perandorinë ruse, Putinit i duhet një fitore relativisht pa gjak që do të çojë në një paqe relativisht pa urrejtje. Duke derdhur gjithnjë e më shumë gjak ukrainas, Putin po sigurohet që ëndrra e tij të mos realizohet kurrë. Nuk do të jetë emri i Mikhail Gorbaçovit i shkruar në certifikatën e vdekjes së perandorisë ruse: do të jetë i Putinit. Gorbaçovi i la rusët dhe ukrainasit të ndiheshin si vëllezër e motra; Putini i ka kthyer në armiq dhe është siguruar që kombi ukrainas tani e tutje ta përkufizojë veten në kundërshtim me Rusinë.

Në fund të fundit, kombet ndërtohen mbi histori. Çdo ditë që kalon shton më shumë histori që ukrainasit do të tregojnë, jo vetëm në ditët e errëta që vijnë, por në dekadat dhe brezat që do të vijnë. Presidenti që refuzoi të ikte nga kryeqyteti, duke i thënë SHBA-së se i duhen municione dhe jo një fluturim shpëtimi, ushtarët nga Ishulli i Gjarpërinjve që i thanë një luftanijeje ruse “go f*ck yourself”; civilët që u përpoqën të ndalonin tanket ruse duke u ulur para rrugës së tyre. Kjo është gjëja nga e cila janë ndërtuar kombet. Në planin afatgjatë, këto histori llogariten më shumë se tanket.

Despoti rus duhet ta dijë këtë si çdokush. Si fëmijë, ai është rritur me tregime për trimërinë ruse në rrethimin e Leningradit. Ai tani po krijon më shumë histori të tilla, por duke e vendosur veten në rolin e Hitlerit.

Leco edhe: Pasojat ekonomike të luftës në Ukrainë

Historitë e trimërisë ukrainase u japin vendosmëri, jo vetëm ukrainasve, por gjithë botës. Ata u japin kurajo qeverive të kombeve europiane, administratës amerikane, madje edhe qytetarëve të shtypur të Rusisë. Nëse ukrainasit guxojnë të ndalojnë një tank me duar të zhveshura, qeveria gjermane mund të guxojë t’i furnizojë ata me disa raketa antitank, qeveria amerikane mund të guxojë të presë Rusinë nga Swift dhe qytetarët rusë mund të guxojnë të demonstrojnë kundërshtimin e tyre ndaj kësaj lufte të pakuptimtë.

Fatkeqësisht, kjo luftë mund të zgjasë. Por, çështja më e rëndësishme tashmë është vendosur. Ditët e fundit i kanë vërtetuar të gjithë botës se Ukraina është një komb i vërtetë, se ukrainasit janë një popull i vërtetë dhe se ata definitivisht nuk duan të jetojnë nën një perandori të re ruse. Pyetja kryesore e mbetur është se sa kohë do të duhet që ky mesazh të depërtojë në muret e trasha të Kremlinit.

theguardian

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0